Sulmi terrorist në Vjenë/ Flet nga Maqedonia gjyshi i autorit: Kujtimi ia ka bërë vetes

Nov 4, 2020 | 7:55
SHPËRNDAJE

Gjyshi i autorit të sulmit në Vjenë nuk dëshiron të flasë për nipin e tij, madje, sipas mediave maqedonase, fillimisht nuk e pranoi se ka lidhje familjare me të.

kujtim-fejzullahi-600x360

Gjyshi i tij thotë se ai nuk ka pasur kontakt me familjen e tij për gjashtë muaj.

“Çdo vit ai vinte me familjen. Kujtimi normal vinte në banesë te nëna dhe te baba, por banesën e ka pas të vetën. E tash, ç’ka ka bërë atje në banesën e vet nuk e din askush”, tha gjyshi i tij në “Klan Maqedonia”. Por, në fund shtoi se “Domethënë, Kujtimi është i vrarë, ashtu? Informatat e para janë ashtu… I vrarë është a?! Çfarë të bëjmë, vetën e ka marrë në qafë”, tha ai.

Ndërkohë, avokati i Kujtim Fejzullahut tha se nuk e besonte dot atë që kishte dëgjuar për klientin e tij në lajme. “Në vitin 2019 u arrestua në Turqi, për arsye se tentoi të kalojë në Siri dhe t’i bashkëngjitet ISIS. Ai, si person, nuk ta kapte mendja se mund të arrinte deri këtu”, theksoi avokati.

Sipas tij, familja e Kujtimit janë familje moderne dhe europiane. “Zyra jonë kishte përfaqësinë e personit në fjalë. Vetë babai dhe nëna e tij janë persona europianë, persona që as vetë nuk e kuptonin se çfarë kishin gabuar në punën e tyre si prind, në edukimin e fëmijës së tyre”, u shpreh avokati Mirsad Musliu.

Anëtari i komunitetit shqiptar në Austri, Ermal Vejsa, dëshmitar i ngjarjes në Vjenë, tha në T7 në Kosovë se komuniteti shqiptar atë natë kishte organizuar një aktivitet, në të cilin është shfaqur një film, në prani të rreth 80 pjesëmarrësve. Por, ata shpejt u informuan për sulmin që ndodhi dhe pasi dolën nga aty e panë qytetin në kaos. “Ne ishin rreth 80 veta, u shpërndamë dhe vazhduam në rrugët tona… Kam kontaktuar secilin, e kam vërejtur që shumë kanë shkuar në adresën e parë të mundshme, janë strehuar në një hyrje të banesës. Taksitë nuk funksiononin dhe as transporti publik”, dëshmoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura