Sulmi në Manhatan/ Masakra ishte planifikuar prej javësh, autori synonte të…

Nov 2, 2017 | 14:05
SHPËRNDAJE

Sulmi terrorist në Manhatan ishte planifikuar nga i dyshuari prej disa javësh dhe u bë në emër të ISIS. Kështu beson John Miller, zëvendëskomisar i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut për inteligjencën dhe antiterrorizmin.

sulmuesi

Miller shtoi se një shënim i shkruar me dorë në arabisht, i gjetur pranë vendit të ngjarjes, kishte simbole dhe fjalë, por mesazhi i përgjithshëm ishte se ISIS do të rezistojë përgjithmonë. Saipov ishte radikalizuar në SHBA, sipas guvernatorit Andrew Cuomo, i cili foli të mërkurën në mëngjes.

Sipas tij, “Provat tregojnë, edhe pse hetimi është në vazhdim, se kur ai erdhi në Shtetet e Bashkuara, nisi të informohej për ISIS dhe taktikat radikale islamike”. Njëzetenëntëvjeçari, i cili vrau tetë veta dhe plagosi 11 të tjerë në një sulm terrorist të marrë përsipër nga ISIS, në Nju Jork të martën, ishte një mysliman, i cili falej në një xhami të dyshimtë në Nju Xhersi dhe thuhet se u radikalizua pasi u shpërngul në SHBA, shtatë vite më parë.

I dyshuari në sulmin terrorist është identifikuar si 29-vjeçari Sayfullo Habibullaevic Saipov, i martuar me tre fëmijë, i cili emigroi në SHBA në mars të vitit 2010 nga Uzbekistani. Kur ai foli me autoritetet në spital, nuk shfaqi keqardhje për jetët që kishte marrë.

Sipas një burimi të agjencisë amerikane të lajmeve, “ABC News”, Saipov dukej krenar dhe “New York Post” tha se ai po mburrej për sulmin. Në një intervistë për CNN të mërkurën në mëngjes, guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, tha se Saipov ka punuar si shofer komercial kamioni.

Planet e tij për të bërë kërdi në Nju Jork po thureshin prej disa javësh. Zyrtarët e Departamentit të Policisë së Nju Jorkut, NYPD, thanë në një konferencë shtypi të mërkurën në mëngjes se Saipov kishte planifikuar sulmin prej javësh të tëra, por nuk do të hynin në detaje rreth përgatitjeve të tij.

Megjithatë, ata thanë se ai ndoqi me përpikëri “një udhëzim T”, që grupi terrorist e kishte postuar në internet për të mësuar ndjekësit e tij mbi mënyrën se si të kryenin një sulm terrorist. Burime të zbatimit të ligjit gjithashtu thanë për “New York Post” se ata janë duke hetuar mundësinë që Saipov kishte tentuar të sulmonte edhe tri ditë para sulmit. Më 28 tetor, Saipov ishte parë në urën “George Washington”, në kalimin verior të ishullit midis Nju Xhersit dhe Nju Jorkut.

Po atë ditë, “EZpass” e tij e regjistroi atë duke lundruar nëpër Tunelin e Holandës (i cili gjithashtu lidh Nju Xhersin me Nju Jorkun). Tuneli i Holandës ndodhet në Manhatanin e poshtëm, afër vendit ku Saipov sulmoi të martën. Që kur kishte emigruar, Saipov kishte jetuar në shtete të shumta amerikane, me adresa në Ohajo, Florida dhe Nju Xhersi.

“NBC News” njofton se Saipov e mori patentën e tij të shoferit në Nju Xhersi, në vitin 2010, dhe më vonë u transferua në Florida. Fqinjët e Saipov thanë se ai ishte shumë i sjellshëm, nuk shkonte nëpër festa, por koha e tij kalonte në punë dhe në shtëpi, dhe se ishin të shokuar për ngjarjen e rëndë të paparashikuar se mund të ndodhte nga një njeri si ai.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura