Sulmi në banesën e prindërve/ Klodiana Lala, 90 minuta dëshmi në polici, çfarë tha për ngjarjen

Aug 31, 2018 | 9:05
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Gazetarja e “News 24”, Klodiana Lala, përmes një reagimi në lidhje me sulmin me armë ndaj shtëpisë së prindërve të saj, shprehet se kjo ngjarje lidhet me detyrën e saj si gazetare.

Sipas saj, as ajo dhe as familjarët e saj nuk kanë asnjë konflikt personal me askënd. Lala falënderon ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit, që janë angazhuar maksimalisht për zbardhjen e ngjarjes.

Pavarësisht sulmit për shkak të detyrës që ajo ushtron prej vitesh si gazetare e kronikës së zezë, Klodiana Lala thotë se këtë profesion e ka ushtruar me profesionalizëm dhe do të vazhdojë ta ushtrojë me të njëjtin përkushtim.

“Të dashur miq! Po ju flas në emrin tim dhe të familjarëve të mi. Jemi mirë, asnjëri prej nesh nuk është lënduar. Megjithatë, jemi të tronditur nga ngjarja. Duke i lënë institucionet të bëjnë punën e tyre, ju siguroj se unë dhe familjarët e mi nuk kemi asnjë konflikt personal.

Dyshoj se sulmi vjen si rezultat i punës sime si gazetare. Këtë profesion e kam ushtruar me ndershmëri e profesionalizëm ndër vite e do vazhdoj ta ushtroj këtë detyrë me të njëjtin përkushtim, pavarësisht gjithçkaje. Faleminderit ministrit të Brendshëm dhe Policisë së Shtetit që u angazhuan maksimalisht për zbardhjen e ngjarjes. Ju jam mirënjohës secilit prej jush, që m’u gjend pranë në këto momente të vështira”, shprehet Lala në reagimin e saj.

lalaj

DESHMIA

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë dëshminë e saj në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, në lidhje me sulmin për shkak të detyrës. Për një orë e gjysmë, ajo ka treguar rrethanat dhe dyshimet e saj në lidhje me ngjarjen përpara oficerit të Policisë Gjyqësore, të Sektorit për Krimet e Rënda.

Lala është paraqitur rreth orës 15:00 në Policinë e Tiranës, ku i ka qëndruar versionit të saj, duke përjashtuar çdo konflikt personal të saj apo të familjarëve. Burime nga Policia e Tiranës thanë se ngjarja është regjistruar dhe do të referohet në Prokurori si “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.

Po ashtu, kanë dëshmuar në Polici edhe babai dhe vëllai i Klodiana Lalës, që po ashtu kanë sqaruar se përveç ndonjë debati të rëndomtë, siç mund të ndodhë në çdo lagje të vendit, nuk kanë pasur dhe nuk kanë asnjë konflikt tjetër me askënd.

Për ta, e rëndësishme është që askush nuk u lëndua nga breshëritë e plumbave që depërtuan deri në dhomën e gjumit, edhe pse në shtëpi ishin të gjithë familjarët, madje edhe dy vajzat e mitura të Klodiana Lalës.

Ndërsa kanë kërkuar zbardhjen e ngjarjes. Policia është angazhuar maksimalisht në mbledhjen e provave, zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e arrestimin e autorëve.

Ndërsa përveç provave materiale, dëshmitarëve apo verifikimeve që po kryhen nga grupi hetimor për zbardhjen e ngjarjes, mësohet se Policia po verifikon edhe lajmet e fundit që ka raportuar gazetarja Lala, për të zbuluar autorët e këtij sulmi ndaj familjes së saj.

PANORAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura