Sulmi ndaj Turqisë, u godit e gjithë Europa

Jun 29, 2016 | 13:59
SHPËRNDAJE

harxhi fotoEDITH HARXHI

Është një dramë e madhe ajo që ka ndodhur dje në Stamboll. Sulmi kamikaz me dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur ka shkaktuar tërmet të fortë në shtyllat e Sigurisë së Turqisë.

Kur sulmohet aeroporti kryesor i vendit dhe pika lidhëse që lidh kontinentet Amerikë dhe Europë me Lindjen e Mesme dhe Azinë do të thotë se është sulmuar Europa në radhë të parë. Është sulmuar siguria në mënyrë të drejtpërdrejtë, janë sulmuar qytetarët e gjithë botës.

Sulmi i mbrëmshëm në aeroportin më të madh të Stambollit vjen në një moment të rëndësishëm për Turqinë dhe ekonominë e saj.

Së pari, sulmi vjen katër ditë para Bajramit (turqit e nisin të premten këtë festë) dhe po vihen në shënjestër të gjithë ata shtetas turq që gjatë kësaj feste do të udhëtonin në destinacionet turistike të Turqisë.

Së dyti është sulm kamikaz para sezonit veror, i cili i ka dhënë një goditje shumë të fortë ekonomisë turke.

Së treti, ky sulm vjen disa ditë pas një letre mjaft të përfolur që Presidenti Erdogan i ka nisur Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ku i ka kërkuar që të rivendoset paqja mes Turqisë dhe Rusisë pas rënies së avionit rus në tokën turke para disa muajsh.

Së katërti vjen disa ditë pas rivendosjes së paqes mes Turqisë dhe Izraelit me nënshkrimin e një marrëveshje mes dy vendeve që rikthente aleancën e vjetër që nga koha e Sulltanit, aleancën turko- hebreje. Kjo është një aleancë shumë e fortë gjeostrategjike.

Duke qenë se sulmi është marrë përsipër nga ISIS do të thotë që është synuar të preken të gjitha këto pika.

Është synuar të tronditet Turqia dhe Europa pas bombës në aeroportin e Brukselit. Eshtë një akt tragjik, është një akt shumë i rëndë dhe e vendos Turqinë fatkeqësisht në një pozicion të rëndësishëm sulmi. Prej më shumë se një viti sulmi po vazhdon përqendrohet në dy kryeqytete, në Bruksel dhe Stamboll.

* Opinion i ish-zv.ministres së Jashtme për Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura