Sulmi ndaj ‘Prestige Resort’/ Meta: Rama kërkon të fshehë aferën 2.4 mld euro të të vëllait

Dec 3, 2022 | 7:26
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, akuzoi dje Kryeministrin Rama se përmes aksionit të paligjshëm për të shembur “Prestige Resort” synon të ushtrojë presion ndaj mediave që zotëron pronari i resortit, por ndërkohë sipas Metës, pas këtij aksioni fshihet edhe një qëllim tjetër.

“Tërheqja e vëmendjes nga grabitja e 2.4 miliardë eurove ndaj rreth 200 mijë qytetarëve evropianë përmes call centerave në Shqipëri”.

Sipas kreut të Partisë së Lirisë, në këtë skandal është i përfshirë ishkëshilltari i ministres Xhaçka, por dyshohet edhe vëllai i Kryeministrit Rama, Olsi Rama. Meta i referohet një artikulli të publikuar nga gazeta “Panorama”, që u referohet mediave ndërkombëtare.

Në këtë artikull flitet dhe për lidhjet e tij me personazhe të larta të qeverisë, ndërkohë qe emrin e Olsi Ramës jo në pak raste e ka bere publik ish-Kryeministri Sali Berisha dhe nga ish-Presidenti Ilir Meta.

“Sulmi i paligjshëm dhe brutal i regjimit hajdut dhe skizofrenik kundër ‘Prestige Resort’ është jo vetëm një akt terrorist ndaj lirisë të mediave, por edhe një akt kriminal, nëpërmjet të cilit synohet të tërhiqet vëmendja nga një tjetër skandal shumë i rëndë i bërë së fundmi publik, ku është përfshirë qartësisht Qeveria shqiptare dhe ku dyshohet të jetë pjesë edhe vëllai i Edi Ramës, lidhur me mashtrimin e rreth 200 mijë europianëve me kriptomonedha në vlerë 2.4 miliardë euro”, shkroi Meta.

PARALAJMËRIMI

Ndërkohë, paralajmëroi kreun e qeverisë se nuk do mund të mbajë fshehur atë që e cilësoi si grabitjen e shekullit.

“Banditizmi i Edi Ramës te ‘Prestige Resort’ nuk mund të mbulojë kurrë vjedhjet e shekullit dhe skenat e krimit që janë tek inceneratorët, Porti i Durrësit, koncesionet korruptive, PPP-të dhe tenderët sekretë që po vjedhin pa mëshirë shqiptarët çdo ditë. Llogaridhënies para drejtësisë dhe popullit shqiptar, Edi Rama nuk do t’i shpëtojë dot kurrë!”, shkroi Meta.

Duke iu referuar të dhënave të Policisë dhe Prokurorisë spanjolle që janë marrë me mashtrimin e të paktën 200 mijë europianëve me kriptomonedhat, ata kanë nxjerrë edhe emrin e një shqiptari të shpallur në kërkim.

Bëhet fjalë për Amant Josifin, për të cilin është lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar, ndërkohë ata tregojnë se ky person ka lidhje të nivelit të lartë me qeverinë shqiptare, duke specifikuar edhe detyrën e këshilltarit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjatë hetimeve, të cilët kanë konkluduar se me anë të mashtrimit është përfituar shuma prej 2.4 miliardë eurosh, është evidentuar edhe një detaj që fikson faktin se personi që kryente më shumë mashtrime merrte një certifikatë me titullin: “Ali Baba dhe 37 hajdutët”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura