Sulmi ndaj “Prestige Resort”- Deputetja e PD për Panorama TV: Situatë alarmante, sulm frontal ndaj medias së lirë. Do bëjmë betejën tonë në parlament

Mar 23, 2023 | 11:16
SHPËRNDAJE

Deputetja e Partisë Demokratike Sorina Koti ka folur për gazetarin e Panorama TV Klevin Muka në lidhje me sulmin e qeverisë ndaj “Prestige Resort”.

Ajo deklaroi se kjo është një situatë alarmante duke theksuar se kryeministri Edi Rama ka për qëllim të kontrollojë pushtetin e lirë që është media.

“Është një situatë alarmante. E kemi denoncuar këtë arrogancë të kryeministrit për të marrë gjithçka në dorëzim. Do të kontrollojë edhe pushtetin e lirë që është media. Ngjarja e djeshme ishte në vazhdimësi të asaj që kishte ndodhur disa muaj më përpara. Një sulm frontal ndaj medias në një ditë feste. Kryeministri ka kaluar në një lloj faze skizofrenie dhe arrogance.

Nuk po pyet më për institucionet e pavarura. Ndoshta është në fundin e vet dhe do të kontrollojë çdo gjë që i del përpara. Kemi bërë kërkesë për ndryshimin e rendit të ditës për një mocion me debat për sulmin ndaj lirisë së medias që del edhe në raportin e DASH por nuk kishin forcën e kartonave për ta miratuar. Ne do vazhdojmë të bëjmë betejën tonë qoftë brenda në parlament por edhe jashtë. Nuk do lejojmë që media të bjerë pre e arrogancës së kryeministrit”, deklaroi Koti.

Ajo tha se kur një biznesmen sulmohet me këtë lloj force dhe arrogance bie besimi i qytetarëve që duan të denoncojnë problemet e tyre por nuk marrin asnjë përgjigje.

“Kjo është edhe çështja e protestave tona të vazhdueshme që kemi pasur këto dy muaj edhe me bllokimin e foltores. Kur një biznesmen sulmohet me këtë lloj force dhe këtë lloj arrogance besimi bie edhe për qytetarët që duan të ankimojnë diçka dhe nuk marrin dot përgjigje. Gjithçka është shkatërruar. Ka humbur besimi në reformën në drejtësi. Ky është realiteti.

E vetmja rrugë që ne na ka ngelur si opozitë është protesta. Është ngritja e zërit. Është sheshi në fund të fundit. Ndoshta mund të duket thirrje politike por nuk na ka mbetur gjë tjetër. Ambasada e SHBA që ka qenë edhe financuesja e reformës në drejtësi duhet të kishte një reagim më të fortë edhe ndaj raportit të DASH dhe të kishte marrë masa që ky sistem drejtësie të mos degradonte në këtë pikë ku jemi sot”, tha ajo.

Koti theksoi se përpos medias sot edhe sistemi gjyqësor është i shkatërruar. “Ka një lloj stepje nga qytetarët, Është e mirëkuptueshme në një situatë kur është duke u instaluar një neo komunizëm. Njerëzit janë të traumatizuar për shkak  të dhunës nga qeveria. Kjo është bërë që në krye të herës kur kjo qeveri ka ardhur në pushtet deri kur ka arritur në pikën e sotme kur sulmi është publik. Nuk e di më se çfarë ka ngelur pa i bërë ky kryeministër këtij vendi. Sistemi gjyqësor është i shkatërruar edhe nëse ne hapim një proces gjyqësor dhe nuk gjejmë dot zgjidhje, populli pret ditën e zgjedhjeve. Të drejtën e votës nuk na e kontrollon kush”, u shpreh ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura