Sulmi me kallashnikov, si po mbrohet familja e gazetares Lala. Ja ku janë përqendruar hetimet

Sep 1, 2018 | 13:20
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Pas sulmit me breshëri automatiku të shtëpisë së prindërve të gazetares Klodiana Lala, Policia e Shtetit ka marrë në mbrojtje atë dhe familjarët e saj. Pranë banesës së Arif Lalës, babait të saj, në Laknas të Tiranës, janë pozicionuar patrullat e Komisariatit nr.5, por edhe të tjerë efektivë që vëzhgojnë çdo lëvizje të dyshimtë.

Klodiana Lala sulmi banese

Dje, Policia dhe Prokuroria shpërndanë një deklaratë të përbashkët për shtyp, ku sqaruan se ngjarja po trajtohet me seriozitet maksimal dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor.

Në deklaratë thuhet se janë kryer veprimet procedurale në vendin e ngjarjes, si dhe janë kryer një sërë veprimesh me metoda speciale të hetimit për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu, theksohet se grupi hetimor po vijon me intensitet maksimal veprimet hetimore dhe procedurale, por për arsye hetimi nuk mund të bëhen me dije të dhëna të tjera.

DEKLARATA

Në lidhje me veprimet e kryera për ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 30 gusht 2018, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Arif Lala, i ati i gazetares Klodiana Lala, informojmë se:

Më datë 30 gusht 2018, rreth orës 06:40 minuta, Policia e Tiranës u njoftua se në rrugën “Shkëndija”, fshati Bruk, Tiranë, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Arif Lala.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit. Për pasojë është dëmtuar fasada ballore dhe dera hyrëse e banesës. Në momentin e sulmit, në banesë ishin prindërit e gazetares, vëllai, dy fëmijët e gazetares dhe dy miq të afërm të familjes. Personat brenda banesës nuk kanë pësuar dëmtime.

Në lidhje me këtë ngjarje, menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor me ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nga ana e grupit hetimor janë kryer veprimet procedurale në vendin e ngjarjes, si dhe janë kryer një sërë veprimesh me metoda speciale të hetimit për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor po vijon me intensitet maksimal veprimet hetimore dhe procedurale, por për arsye hetimi nuk mund të bëjmë me dije të dhëna të tjera.

HETIMI

Hetimet e Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës janë përqendruar në përplasjen apo kërcënimet që Klodiana Lala ka pasur edhe më herët si gazetare. Kujtojmë se rreth 2 vite më parë, një kallëzim për kanosje që ajo kishte depozituar në Prokurori ishte pushuar pasi nuk u arrit të identifikohej autori.

Edhe për ngjarjen e fundit, hetuesit kanë dyshime të arsyeshme se sulmi është bërë për shkak të detyrës. Fakti se është qëlluar me armë në shtëpinë e prindërve të saj dhe jo në banesën ku ajo jeton me bashkëshortin dhe dy vajzat, nuk shërben për të devijuar drejtimin e hetimeve. Madje, burimet thanë se nuk ka dyshime që sulmi ka qenë për gazetaren, por shtëpia e saj është shumë e vështirë për t’u sulmuar për disa rrethana konkrete.

Ajo jeton në një apartament në katin e 8-të të një pallati, që është i monitoruar nga kamerat në të gjitha anët. Por, një arsye tjetër është edhe prezenca e shtuar e forcave të rendit në pallatin ku ajo banon, pasi aty jeton edhe një police e mbrojtur.

Për këtë arsye, autorët kanë zgjedhur shtëpinë e prindërve të gazetares, duke u nisur edhe nga automjeti që ajo përdor, i cili ditën e ngjarjes ka qenë i parkuar para shtëpisë së babait të saj, pasi ishte përdorur nga të afërmit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura