Sulmi me kallashnikov në banesë, Lala dëshmon disa orë në prokurori. Insiston se …

Sep 1, 2018 | 22:37
SHPËRNDAJE

Gazetarja e “News24”, Klodiana Lala, ishte ditën e djeshme në Prokurorinë e Tiranës ku është marrë në pyetje për disa orë në lidhje me sulmin me armë në banesën e prindërve të saj.

Klodiana Lala sulmi banese

Deri më tani, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal për “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” për sulmin me armë që fatmirësisht nuk shkaktoi viktima në banesën e prindërve të gazetares në Laknas të Tiranës.

Lala është pyetur për disa orë nga prokurori Armand Gurakuqi dhe një oficer i Policisë Gjyqësore në lidhje me ngjarjen, konfliktet e mundshme dhe kërcënimet që ka pasur në të shkuarën.

Por, ka pasur komunikim edhe me drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj. Prezent në Prokurorinë e Tiranës ditën e djeshme kanë qenë edhe drejtues të lartë të Policisë, si Ardi Veliu dhe Skënderaj.

Gjithashtu, në organin e akuzës janë parë të hyjnë edhe prokurorë të Krimeve të Rënda, të cilët janë vetofruar për të përshpejtuar hetimin dhe për të identifikuar agresorin.

Në lidhje me hetimet nuk jepen shumë detaje, por dyshohet se personi që ka sulmuar banesën me kallashnikov ka qenë i vetëm dhe është larguar në këmbë nga vendngjarja. Vetë gazetarja insiston se nuk ka pasur konflikte me askënd dhe se ngjarja ka të bëjë vetëm me detyrën e saj si gazetare.

/PANORAMA /

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura