Sulmet e Ramës ndaj medias, reagon PD: Nuk janë kriminelë gazetarët, kriminal është përdorimi politik i tragjedisë

Dec 2, 2019 | 19:42
SHPËRNDAJE

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka reaguar pas sulmeve të kryeministrit Edi Rama, ndaj mediave lidhur me raportimet e tërmetit të 26 nëntorit.

Rama1

Në një postim në facebook, Vokshi shkruan se akuzat e Ramës ndaj gazetarëve janë për të fshehur keq menaxhimin e situatës së emergjencës pas tërmetit.

Sipas ish-deputetes gazetarët kanë raportuar njoftimet e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa i moshuari që humbi jetën teksa transferohej nga spitali i Durrësit në një tjetër nuk duhej të ishte lejuar nga stafi mjekësor.

Në këtë histori sipas Vokshit kriminelët nuk janë gazetarët, por kriminale është që të përpiqesh të mashtrosh qytetarët për të fshehur gjurmët e mëdha të krimit.

Postimi i plotë:

Nuk ka gazetarë kriminelë! Ka Kryeministër që bën propagandë kriminale me fatkeqësinë

Për të mbuluar përgjegjësinë direkte për keq menaxhimin e emergjencës pas tërmetit, Edi Rama ka nisur të sulmojë gazetarët, të cilët përcjellin shqetësimet e vërteta të qytetarëve në zonat e prekura.

Nuk janë kriminelë gazetarët që raportuan njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë se Spitali i Durrësit po evakuohej.

Nuk janë kriminelë gazetarët pse një qytetar u lejua të zhvendoset nga spitali i Durrësit pas dhe, fatkeqësisht, humbi jetën rrugës për në Spitalin e Beratit.

Kriminale në këtë histori është përdorimi politik nga Edi Rama i tragjedisë, i tronditjes, i skamjes, i humbjes së besimit dhe sigurisë për jetën dhe banesën.

Kriminale është që të përpiqesh të shtysh edhe një ditë duke gënjyer, duke mashtruar qytetarët për të fshehur gjurmët e mëdha të krimit.

Në emër të Partisë Demokratike, inkurajoj gazetarët të mos intimidohen nga gjuha e dhunshme, e turpshme, e papranueshme e Edi Ramës.

Ngritja e zërit nga gazetarët, pro interesit publik, është arma e vetme për të zhbërë presionin kriminal të Edi Ramës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura