Sulltani i Turqisë dhe pashallarët e Shqipërisë

May 15, 2015 | 11:54
SHPËRNDAJE

MARK MARKU

   Njëri pas tjetrit, Mbreti Abdullah i Jordanisë dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, kanë vizituar Shqipërinë këto ditët e fundit. Nisur nga mënyra si u shfaqën para shqiptarëve dhe si u sollën me përfaqësuesit e tyre shtetërorë dhe politikë ishte e vështirë të dallojë cili ishte mbret e cili president. Mbreti Abdullah i Jordanisë u shfaq me një përkorje të admirueshme prej presidenti, ndërkohë që Presidenti Erdogan me një megolamani dhe delir prej mbreti arrogant, shumë i ngjashëm me sulltanët e Perandorisë Otomane.
Kjo shfaqje nuk ka të bëjë me stereotipat negativë që historia ka krijuar për sulltanët e Perandorisë Otomane (tek e fundit, ata ishin prijës të një Perandorie gjigante si Perandoria Otomane), por me thelbin e mesazheve që ai vetë transmetoi përmes fjalimeve të mbajtura me zyrtarët shqiptarë dhe që u bënë të njohura për publikun përmes mediave.
Zoti Erdogan u tha përfaqësuesve të shtetit dhe politikës shqiptare se shqiptarët dhe turqit kishin një histori vëllazërimi gjashtëqindvjeçare, duke harruar së pari të bënte një ndarje mes Perandorisë Otomane dhe Republikës së Turqisë. Periudha otomane ka marrë fund de facto me shkatërrimin e Perandorisë Otomane dhe de jure me krijimin e Republikës Turke nga Mastafa Qemal Ataturku, dhe marrëdhënia e saj me popujt e përfshirë brenda kësaj perandorie ka qenë një histori pushtimesh dhe luftërash, një histori gjaku dhe terrori, një histori bashkëjetese aspak vëllazërore, përkundrazi. Natyrisht kjo histori nuk është vetëm e tillë, sepse aq e gjatë sa qe, do t’i kishte shfarosur popujt e pushtuar, gjë që nuk u interesonte as vetë pushtuesve. Ajo kishte edhe momente paqeje dhe harmonie mes otomanëve e popujve të nënshtruar, por gjithsesi ata të nënshtruar mbetën dhe otomanët sundues. Vëllezër të turqve qenë vetëm bashkëpunëtorët e pushtuesve, për të mos përmendur këtu ndonjë pinjoll biologjik, që ushtritë e tyre kanë lënë fushave dhe maleve të Ballkanit. Por, problemi nuk qëndron në faktin pse ai na drejtohet si vëllezër, sepse nuk ka asgjë të keqe nëse dikush të thotë vëlla, por pse ai lidh dy epoka që vetë ballkanasit, madje vetë turqit, i kanë ndarë një ose një shekull e gjysmë më parë: ballkanasit përmes lëvizjeve të tyre që sollën krijimin e shteteve kombëtare në Ballkan dhe turqit me krijimin e shtetit modern turk. Prej këtij momenti, marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit dhe Turqisë janë ndërtuar mbi këtë ndarje të qartë dhe kjo ka bërë që marrëdhëniet mes tyre të jenë korrekte, herë dashamirëse e herë të acaruara, por gjithmonë jo si raporte mes pushtuesve dhe të pushtuarve.
Presidenti Erdogan e harroi këtë dhe u soll me përfaqësuesit e shtetit shqiptar jo sikur të ishte president i një shteti mik të pavarur, po sikur të ishte sulltani i Perandorisë Otomane, që vizitonte një nga provincat e perandorisë. E ka bërë edhe në raste të tjera me përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe për turpin tonë, përfaqësuesit e shtetit shqiptar u sollën dhe janë sjellë jo si përfaqësues politikë dhe shtetërorë të shqiptarëve dhe shteteve të tyre, por si pashallarë të vilajeteve të Perandorisë.
Ishte e turpshme për më tepër kur zoti Erdogan u jepte urdhra përfaqësuesve të shtetit shqiptar që ata të shkatërronin bizneset e kundërshtarëve të tij politikë në Shqipëri. Urdhri i tij qe i qartë: mbyllini shkollat e kundërshtarit tim politik Gylen, shpallini ata terroristë, siç ai i ka shpallur armiq të gjithë biznesmenët që kundërshtojnë regjimin e tij, të gjithë gjykatësit dhe prokurorët që dënojnë klientët e tij, të gjithë gazetarët që shkruajnë për aferat e tij, të gjithë studentët dhe intelektualët që protestojnë shesheve të Turqisë kundër derivës së tij totalitare. Pashallarët e Shqipërisë nuk patën asnjë reagim kur ai deklaroi mu në turi të tyre urdhrin që u kishte dhënë autoriteteve të tyre. Askush prej tyre nuk i kujtoi atij se sjelljet e tij kundërshtohen nga opinioni publik turk dhe segmente të shoqërisë turke, si dhe nga opinioni dhe institucionet ndërkombëtare, se regjimi i tij akuzohet si regjim që po merr gjithnjë e më shumë trajtat e një regjimi antidemokratik, antilaik, antiligjor. Askush nuk tha se shteti shqiptar nuk mund të ndjekë të njëjtën rrugë që po ndjek ai. Askush prej pashallarëve të Shqipërisë. Kryeministri Rama, pasi ai iku, postoi në rrjetet sociale aktin e vetëm të tij rebelues ndaj këtij qëndrimi: dy foto të kapura vjedhurazi, ku ai na e paskësh detyruar zotin Erdogan të kalonte para fotove të Ismail Qemalit dhe Skënderbeut. Nuk e dimë nëse dikush në Turqi e ka parë këtë akt reagimi të Kryeministrit tonë, pasi Presidenti Erdogan e bllokon sa herë të dojë aksesin në rrjetet sociale.
Sjellja inferiore e përfaqësuesve të shtetit shqiptar në këtë rast është në vazhdën e sjelljes dhe raporteve që kanë ndërtuar historikisht përfaqësuesit e shtetit shqiptar ndaj përfaqësuesve të vendeve të tjera “mike”. Dhe këtu nuk ka dallim nëse shqiptarët janë të lirë apo të pushtuar: lule dhe përulje i dhuruan shqiptarët mbretit të Italisë pushtuese, V. Emanueli, lule dhe përulje Hrushovit dhe Cu En Lait, lule dhe përulje liderëve perëndimorë që vizituan Shqipërinë pas ‘90-s. Madje, nga ky poshtërim sistematik nuk kursehen as fëmijët, që si në të gjitha rastet edhe në këtë rast i dhuruan një poezi mikut, me vargun e parë të së cilës po e mbyll këtë shkrim:   
“Ej krenaria e botës islame, Presidenti ynë, prijësi ynë Rexhep Taip Erdogan”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura