Sukses historik/ Filmi kosovar “Zgjoi”, “rrëmben” tri çmime në festivalin e madh amerikan

Feb 3, 2021 | 10:14
SHPËRNDAJE

“Zgjoi”, një film me regji të Blerta Bashollit nga Kosova, fitoi tri nga çmimet më të rëndësishme të festivalit më të madh të pavarur të filmit, “Sundance”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

zgjoi

Filmi i cili flet për jetën e një gruaje që mbeti e ve pas luftës në Kosovë, fitoi çmimet: filmi më i mirë, regjisorja më e mirë si dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit.

Regjisorja Blerta Basholli, në një videomesazh gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të festivalit, që këtë vit u zhvillua online për shkak të pandemisë, falënderoi zonjën Fahrije Hoti, një grua e ve nga Krusha e Madhe, jeta e së cilës është në qendër të zhvillimeve në këtë film.

“Mbi të gjitha falënderoj festivalin Sundance i cili na dha mundësinë ta bëjmë të dëgjueshëm zërin e grave nga Kosova të cilat përmes punës dhe këmbëngulësisë së tyre do t’i japin shoqërisë mundësi për ta bërë botën një vend më të shëndetshëm e më të barabartë për të jetuar”, tha zonja Basholli.

Fahrije Hoti, rolin e të cilës në film e luan aktorja, Yllka Gashi, ishte vetëm 28 vjeçe, kur bashkëshorti i saj së bashku me 225 burra të fshatit Krushë e Madhe, u vranë nga forcat serbe.

Ajo ngeli vetëm me dy fëmijët, vajzën 3-vjeçare dhe djalin tre muajsh. Në përpjekjet për mbijetesë si nënë e vetme në Kosovën e pasluftës, Fahrija u bashkua me disa gra të tjera të fshatit që kishin mbetur të veja, dhe krijuan kooperativën bujqësore “Krusha”, ku merren me përpunimin e turshisë dhe ajvarit. Tash ndërmarrja e tyre punëson mbi 50 gra, pjesa më e madhe e të cilave familjare të personave të vrarë e të zhdukur në Kosovë.

Filmi “Zgjoi” është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cineforom, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi në Shqipëri. Ky film është prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio në bashkëprodhim nga Alva Film Production, Blac Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV. /VOA/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura