Suela Bako: “Po të mos isha nënë, nuk do isha askush”

Oct 13, 2014 | 14:23
SHPËRNDAJE

Suela Bako me bashkëshortin, Romir Zalla
Që të ndihej e plotësuar ajo zgjodhi një shok jete, por tani që është mama, ajo është e gjithë bota. Aktorja dhe regjisorja Suela Bako i përgjigjet pyetësorit për lirinë, dashurinë, moralin, martesën, bashkëshortin dhe mëmësinë. Për të “dashuria është “burgosja” më e ëmbël që ka provuar”.

Liria, mbytëse apo çliruese?
Ndodh që të mbytesh nga liria, në çlirim e sipër.
Dashuria, prangat i thyen apo i vë?
Dashuria është “burgosja” më e ëmbël që kam provuar. Ndërkohë që thyeja me shumë mund një palë pranga, po me aq mund i farkëtoja për t’i bërë të reja e për t’i rilidhur rreth vetes. Prangat, në një kuptim më të gjerë, janë një dimension i çuditshëm i lirisë. Ka hapësira të lirisë, që vetëm në prangat e dashurisë marrin kuptim. Ç’kuptim do të kishte po të ishte ndryshe?!
Morali, kufi apo rritje?
Morali është kufi, patjetër, është kufiri mes asaj që duhet dhe asaj që duam. Është thirrja e brendshme për vetëpërmbajtje, për ndershmëri, për t’u përshtatur, për të kërkuar pa fund në “të mirën” e përbashkët, për të kuptuar në fund të fundit se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Një kërkim që do shumë mund dhe sakrificë. Në fund fare, do përshtatje. Në përpjekjen time për “të moralshmen”, lufta më e madhe bëhet me veten. Është një përpjekje kolosale, në kërkim të paqes së shpirtit dhe mendjes. Është një proces, për të cilin kam shumë respekt. Kufijtë janë gjithashtu një dimension ndryshe i lirisë, një sfidë për të qenë e lirë, në hapësirën që të përket dhe jo në hapësirën e dikujt tjetër.
Martesa, zgjidhje apo zgjedhje?
Martesa është zgjedhje dhe mbetet e tillë deri në momentin që bëhet një zgjidhje. Një zgjidhje për bashkëjetesë, për të ndarë të mirat e të këqijat, për të pasur një njeri në krah, një prind për fëmijët, një shok për jetën. Martesa, më shumë se çdo gjë është vetëmohim, mund të tingëllojë absurde, por shpesh e kam gjetur veten të lënë pas dore (nga vetja) me një qëllim madhor, të bëj të lumtur njeriun me të cilin ndaj jetën time. Dhe kjo nuk do të ishte zgjidhje, pa qenë në fillim zgjedhje.
Burri, mik e shok apo frymëzues?
Një përzierje e të gjithave, kam pasur raste në të cilat gjithë qenia ime ka bërtitur “të dua”. Kanë qenë ato raste ku jam frymëzuar prej arritjeve të tij, e kam çdo mëngjes shok, për të ndarë ç’do të bëj gjatë ditës e mik në darkë, për të ndarë se ç’do të bëj gjatë jetës.
Mëmësia, dhuratë apo stil jete?
Mëmësia është dhurata më e bukur që më ka bërë Zoti. Unë mbase nuk jam mamaja ideale, por jam gruaja, e cila pa qenë mama, nuk do të ishte askush. Jam gruaja, që një e qarë fëmije ma këput shpirtin dhe një e qeshur e tij më bën qenien më të lumtur në botë. Dhe kjo, jo vetëm për fëmijët e mi. Mendoj që, pa fëmijët, jeta është një rutinë e shëmtuar pa dashuri dhe pa buzëqeshje. Çdo gjë ka lidhje me ta, unë tani ekzistoj dhe luftoj, sepse janë ata! Nëse do të mundesha, do të kisha bërë shumë fëmijë e nuk do e lija shtëpinë kurrë pa një bebe, që zvarritet në shesh e bën rrëmujë dynjanë. I adhuroj bebet. Shtatzënia dhe viti i parë i jetës së fëmijëve është periudha më e lumtur dhe më e çuditshme për një grua. Pastaj procesi i lindjes është hyjnor. Ne gratë na ka dashur Zoti shumë, që na e la këtë mision.
Shtëpia ideale e ëndrrës, e vogël apo pallat madhështor?
E vogël, e dashur, e ngrohtë në gjithçka, në “zjarr”, në ngjyra, në zhurma, në “përplasjen” e ëmbël të njerëzve që vijnë rrotull në të.
Trupi, burg apo liri?
Një burg i ëmbël.
Erotika, një natë e paharruar apo jetë e përbashkët?
Le të themi, një pulitje sysh, një prekje duarsh. Një shikim dhe një prekje!
Erosi, si lindje apo si vdekje?
Lindje. Lindja e një zjarri, që jo domosdoshmërisht do të zgjasë shumë dhe që jo domosdoshmërisht është uji, ai që e shuan.

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura