Studiuesja kineze: Retushimet e Kadaresë për të forcuar identitetin kombëtar

Mar 12, 2018 | 13:28
SHPËRNDAJE

ALMA MILE

Kumtesa e saj për veprën e Kadaresë nuk kaloi pa u vënë re. Vizitat e saj të mëparshme kishin kaluar në heshtje dhe u desh një kumtesë, që ajo të vihej në qendër të vëmendjes, jo vetëm të rretheve akademike e studimore, por edhe të publikut të gjerë. Me një shqipe të shkëlqyer, prof. dr. Ke Jing mbajti së pari në Akademinë e Shkencave, kumtesën “Identiteti shqiptar përballë tjetrit në veprën e Ismail Kadaresë”, më pas një bisedë në Bibliotekën Kombëtare, ndërsa ishte e ftuar në COD, pranë Kryeministrisë për të ndarë me të pranishmit, “Albanologjia në Kinë – Arritjet dhe perspektivat”.

Pasi paraqiti punën në katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare në Pekin, Ke Jing, iu përgjigj edhe pyetjeve mbi aktivitetin e katedrës, apo mori sugjerime të ndryshme me karakter gjuhësor. E pyetur nga “Panorama”, Ke Jing rrëfeu mbi interesin e saj për gjuhën shqipe, vizitën e parë në Shqipëri, ndërrimin e perceptimit nga ajo çka kishte dëgjuar e lexuar, me atë që gjeti në Shqipëri, për t’u ndalur edhe te dy shkrimtarë të mëdhenj shqiptarë, te Dritëro Agolli, të cilin e kishte vizituar në shtëpinë e tij dhe Ismail kadare, veprën e të cilit e ka studiuar më së shumti.

profesoresha kineze 2

Ajo u përpoq të shpjegojë se, me pohimet e saj për veprën e shkrimtarit shqiptar, nuk ka dashur të theksojë aspekte negative, madje, edhe kur është shprehur se vepra e tij ka qenë e orientuar politikisht apo e retushuar, kjo ka pasur një qëllim, i cili, sipas saj, ka qenë fisnik, pasi ka lidhje me përforcimin e identitetit shqiptar.

STUDIUESJA

Prof. dr. Ke Jing (PhD) është studiuese albanologe dhe ballkanologe. Studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës për Gjuhë dhe Letërsi shqipe. Në vitin 2013 mbrojti disertacionin në Universitetin e Louiswille-it në SHBA, me studimin monografik “The Four Others in I. Kadare’s works”, botuar nga shtëpia botuese universitare më 2014. Prof. dr. Ke Jing ka drejtuar për disa vite me radhë, Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare në Pekin (BFSU), e cila është qendra më e rëndësishme e albanofonëve në Kinë.

Studimet e prof. dr. Ke Jing kanë karakter antropologjik dhe krahasimtar në rrafsh ndërballkanik dhe në rrafshe të tjerë. Artikujt e botuar prej saj kanë të bëjnë me identitetin historik dhe kulturor të shqiptarëve, vështruar përmes veprës së I. Kadaresë. Në mënyrë të veçantë ajo është e interesuar për raportet midis vetes dhe tjetrit. Kjo çështje i ka dhënë mundësi asaj, të bashkojë kompetencat në formim si albanologe e ballkanologe.

Si shefe e Katedrës së Gjuhës Shqipe dhe si drejtore e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë, detyrë që e ushtron prej tri vjetësh, prof. dr. Ke Jing ka inkurajuar fuqizimin e albanologjisë në BFSU. Nisma e fundme e saj njihet me emrin “Shqip plus”, që ka kuptimin përmes shqipes drejt gjuhëve të tjera të Ballkanit. Prof. dr. Ke Jing drejton shkollën e doktoratës në studimet albanistike në BFSU dhe projektet themelore të saj: botimi e përkthimi i rreth 25 titujve nga letërsia shqipe në gjuhën kineze dhe botimi i një fjalori prej 45 mijë fjalësh shqip-kinezisht dhe kinezisht-shqip.

Flisni një shqipe shumë të mirë, si ka nisur interesi juaj për gjuhën tonë dhe si e mësuat?

Dihet që në Kinë ka shumë dashamirës të botës shqiptare sepse vendi ynë ka pasur një marrëdhënie shumë të mirë me vendin tuaj, sidomos në vitet ’60-70. Kështu që, gjenerata e kaluar ka pasur më shumë shanse që të njohë Shqipërinë nëpërmjet filmave, por kishte edhe shumë delegacione miqë- sore etj. Kur unë isha studente në universitet, në mesin e viteve ’80, në fakt, Kina ishte duke njohur botën perëndimore, dhe duke u ndikuar më shumë prej saj. Nuk kam pasur shumë raste që të njoh Shqipërinë, mirëpo, nga çfarë na flisnin gjeneratat e kaluara për Shqipërinë, lindi interesi për ta njohur, kështu që kur erdhi rasti edhe na pyetën nëse kishte interes nga studentët, që një grup të shkojë në ishJugosllavi për të mësuar gjuhën shqipe në Kosovë, unë paraqita interesimin tim. Kërkesa ime u pranua dhe më zgjodhën. Ndonjëherë është e vështirë që ta shpjegosh, por unë e konsideroj veten fatlume.

Ka qenë e vështirë të mësoni shqipen, një gjuhë shumë larg asaj suajës?

Nuk ka qenë e lehtë. Gramatika e gjuhës shqipe është shumë e vështirë sepse ne nuk i kemi kategoritë gramatikore si gjinia, rasa etj. Për disa fjalë nuk ka logjikë se përse i përket gjinisë femërore edhe përse e gjinisë mashkullore. Mirëpo, është një gjë shumë e mirë për ne sepse duke mësuar gjuhën shqipe, na hapet një dritare tjetër për të njohur gjuhët e tjera në botë. Nuk është vetëm gjuha angleze, që mësohet shumë në Kinë, por studentët, duke mësuar gjuhën shqipe, mund të mësojnë lehtësisht gjuhët e tjera, ato neo-latine etj, që kanë këto kategori gramatikore.

 

Si ka ndryshuar interesi për gjuhën shqipe para dhe pas prishjes së raporteve mes dy vendeve tona?

Mendoj se para prishjes së aleancës mes dy vendeve, interesimi ishte më shumë politikisht e orientuar, pastaj vitet ’90 e këtej, ky interes ka qenë më shumë individual. Interesi nuk mungon, mirëpo Kina ka 1.4 miliardë banorë dhe është e vështirë të flitet me shifra. Por, është një rritje interesi nëse i referohemi Katedrës së Gjuhës Shqipe në Kinë.

Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli
Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli

Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri?

Mësimin e gjuhës shqipe e nisa në vitin 1986, por pas 25 viteve, në vitin 2011, pra, shumë vonë, kam ardhur në Shqipëri. Kam qenë katër herë më parë, ndërsa kjo është hera e pestë dhe sa herë që vij këtu, shoh përparim dhe ka shenja për zhvillim pozitiv, prandaj gëzohem shumë.

Si ka ndryshuar perceptimi juaj për Shqipërinë, para dhe pas vizitës suaj këtu?

Në vitet ’90, kur ishte koha e tranzicionit, sidomos pas trazirave të shkaktuara nga firmat piramidale, kemi pasur një imazh jo të mirë për Shqipërinë. E ndërsa, kur erdha më vonë, e gjithë shoqëria ishte në rregull. Kishte siguri dhe jeta ishte plot gjallëri, unë këto ndryshime i ndiej nga afër edhe për to përgëzoj edhe miqtë shqiptarë. Gëzohem shumë për ndryshimet dhe e konsideroj veten si pjesë të botës shqiptare, jo vetëm si mikeshë. Ka edhe gjëra për t’u përmirësuar, por në përgjegjësi shenjat janë shumë të mira, në mënyrën se si njerëzit jetojnë. Madje, edhe në buzëqeshjet e tyre e shoh ndryshimin.

Keni shprehur dëshirën për të përkthyer “Arkën e djallit” të Dritëro Agollit. Përse keni ndalur pikërisht te ky libër?

Kam qenë një herë në shtëpinë e zotit Agolli. Kam bërë një bisedë shumë të këndshme me të dhe gjatë bisedës, ndalëm te shumë gjëra lidhur me krijimtarinë e tij, por kjo sigurisht që varet edhe nga interesimi personal. Gjatë kësaj vizite, ai më ka sugjeruar dy vepra që mund të përktheja, një është “Zhurmë e erërave të dikurshme” dhe tjetra “Arka e djallit”.

Çfarë kujtimesh ruani nga takimi me të?

Për mua nuk është vetëm një shkrimtar i madh, që ka shkruar aq shumë vepra madhështore, por është edhe një njeri shumë i dashur. Unë kam shkruar për Dritëroin, edhe kam quajtur “Njeriu i mirë”, në të gjitha aspektet. E respektoj atë si njeri dhe shkrimtar dhe e çmoj bisedën që kam bërë me të.

Çfarë qëmtoni si karakteristikë të veprave të tij?

Unë studioj më së shumti veprën e Ismail Kadaresë dhe kontributi që ka dhënë Kadareja, është pastrimi dhe pasurimi i gjuhës shqipe. Që nga Kongresi i Drejtshkrimit, gjuha shqipe pasurohet gjithnjë edhe më shumë. Kadareja në veprat e tij ka dhënë një kontribut shumë të madh në identitetin e shqiptarëve. Por, një gjë të përbashkët që ka Dritëro Agolli me të është se, edhe ai shkruan me një gjuhë shumë të pastër, ndoshta me një stil jo aq të ngjashëm me Kadarenë, por nga pikëpamja e formimit edhe forcimit të gjuhës letrare në publik, mendoj se këta të dy kanë dhënë kontribute më të mëdha në këtë aspekt.

Ju i jeni referuar më së shumti raportit me “Tjetrin” në veprën e Kadaresë. A është “Tjetri” i konsideruar si “armik”, a ka një qëndrim të “ekzagjeruar”?

Duke u nisur nga krijimtaria letrare, për të përforcuar një koncept, duhet ekzagjeruar. Kjo lind nga nevoja e vetë krijimit. Por duhet ta pranoj se ka shkruar me shumë mjeshtëri. Nuk lidhet vetëm me ekzagjerimin nga pikëpamja politike nëse të tjerët e kanë vënë re, por ajo që mua më ka tërhequr, është mënyra se si i paraqet luftërat psikike, luftërat e brendshme të personazheve, të cilat janë përshkruar me të gjitha bukuritë.

Ju jeni shprehur se vepra e Kadaresë ka pësuar “retushime”, çfarë duhet të kuptojmë me këtë, heqje pjesësh, zëvendësim, shtim…?

Nga sa unë e kam studiuar veprën e Kadaresë, retushime ka pasur, por jo në mënyrë aq të dukshme. Njëherë ka shtuar ndonjë gjë, herë tjetër ka hequr ndonjë gjë, por ndonjëherë e ka bërë këtë duke konsideruar përmirësimin e stilit, ose për të qenë më konciz, por ka raste edhe me ndonjë qëllim politik, që në një etapë të re të krijohet një identitet i ri. Por nuk dua të gjykoj nga pikëpamja politike. Është tjetër gjë nga pikëpamja etike. Ajo që unë vë re, është përforcimi i identitetit të shqiptarëve në një periudhë të re, kur të gjithë shqiptarët duan të jenë pjesë e Bashkimit Europian. Dhe ky është qëllimi kryesor.

Ku e vini re më shumë këtë fenomen?

Më së shumti i jam referuar romanit “Kështjella”. Kur është shkruar për së pari nuk i gjejmë kishat, katedralet, kryqet. Por këto elementë i gjejmë më vonë për të evidentuar që populli shqiptar ka pasur një kontribut shumë të madh në mbrojtjen e qytetërimit perëndimor, përfshirë këtu edhe katolicizmin në Mesjetë. Por, siç ju e dini, kur është shkruar “Kështjella”, feja në Shqipëri nuk lejohej.

Çfarë mendoni për “Koncert në fund të dimrit”?

Fillimisht e kam lexuar këtë roman në vitin 1986. Një libër voluminoz. Mendoj që në përgjithësi është politikisht i orientuar. Duke lexuar ato pjesë që nuk janë edhe aq miqësore, nuk jam ndierë edhe aq mirë, sigurisht, jo aq sa të ndihem e fyer. Duke qenë kineze, sigurisht që nuk jam ndier mirë. Nga pikëpamja letrare do të ishte në rregull kur paraqiten karaktere individuale, por pa shkuar në atë shkallë ku përgjithë- sohet dhe jepet si imazh i gjithë Kinës. Edhe kur flet për totalitarizmin, ka probleme. Por, çdo shkrimtar është i ndikuar edhe nga koha, nga ambienti. Në atë kohë, ai ka pasur atë mendim dhe ashtu e ka paraqitur. Por ajo është një vepër, që nuk është shkruar në një vit, por që ka zgjatur 10 vjet. Ka një teori, që letërsia e vendeve të Botës së Tretë është më shumë e lidhur me politikën. Kjo vihet re edhe në veprën e Kadaresë, e shkruar me një qëllim politik. Nuk dua të keqkuptohem sepse nuk po them diçka negative për Kadarenë. Nuk dua të thonë që unë jam duke thënë që ai u ka shërbyer qëllimeve politike. Duhet pasur parasysh edhe qëllimin pse ai e bën këtë, nëse qëllimi i tij është fisnik. Nëse dikush i shërben një qëllimi fisnik për ndërtimin e një identiteti kombëtar, atëherë kjo është diçka pozitive. Dhe Kadareja ka luajtur një rol shumë të madh në këtë drejtim. Sigurisht, perceptimet e gjithsecilit janë personale. Kur ai kritikon islamizmin, ata që i përkasin fesë islame e quajnë islamofob. Pra, përjetimet përballë një vepre janë të ndryshme.

Por, cilën nga veprat e tij e vlerësoni më shumë?

Më pëlqen shumë “Kush e solli Doruntinën”, “Ura me tri harqe”, “Pallati i ëndrrave, “Prilli i thyer”.. Në përgjithësi, vepra që ka shkruar në fund të viteve ’70, fillimi i viteve ’80 më ka prekur më shumë se ajo që ka shkruar më pas.

Pra, ju mendoni se, në një farë mënyre, diktatura e ka ndihmuar krijimtarinë e Kadaresë, duke mos qenë e drejtpërdrejtë, duke shkruar me nëntekst, etj….?

Po, ashtu është.

Cilat vepra të Kadaresë janë përkthyer në gjuhën kineze?

Në gjuhën kineze janë përkthyer “Kush e solli Doruntinën”, “Ura me tri harqe”, “Pallati i ëndrrave, “Prilli i thyer”, që tani është përkthyer edhe nga shqipja, pasi më parë ka qenë nga frëngjishtja, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Darka e gabuar”, “Aksidenti”, etj., pra, vepra kryesore e tij.

Ju që e njihni shumë mirë shqipen, gjeni diferenca mes veprave të përkthyera direkt nga shqipja dhe atyre nga gjuhë të dyta?

Ka shumë diferencë, ndaj edhe ne duam, që nëse zgjidhet çështja e autorësisë, t’i përkthejmë direkt nga shqipja. Dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Keni hasur probleme me të drejtën e autorit?

Kemi pasur sepse ndonjë shtëpi botuese e ka marrë të drejtën e autorësisë dhe e përkthejnë nga gjuhë të tjera. Tani jemi duke negociuar me ta dhe do të gjejmë një zgjidhje.

Kadare është vazhdimisht kandidat për çmimin “Nobel”, mendoni se do ta marrë një ditë?

Shpresoj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura