Studiuesja Belina Budini, mbi rëndësinë dhe disa nga problematikat e përkthimit: Tekstet akademike, ka shumë mungesa dhe…

Sep 9, 2020 | 14:36
SHPËRNDAJE

Belina BudiniNGA ANILA DEDEJ/ Aleksandër Pushkin i konsideronte përkthyesit si “kuajt e betejës” së një kulture. Çdo tekst i përkthyer me kujdesin jo të duhur sjell një vepër të gjymtuar e në fund autori mbetet i pakuptuar.

Studiuesja dhe publicistja Belina Budini, në cilësinë e anëtares së jurisë së Fondit të Përkthimit, çelur dhe finalizuar dje nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, ceku disa nga pikat më të ndjeshme të përkthimit, si dhe vlerësoi këtë nismë inkurajuese për librin. “Më vjen mirë që isha pjesë e kësaj ngjarje të librit, që ndonëse shtetërore, ishte në thelb e lirë”.

Ndryshe nga garat klishe të librit, ku shpesh rekomandimet dhe favorizimet e mundshme e bëjnë punën të debatueshme, Budini u shpreh se përzgjedhja e veprave fituese të Fondit të Përkthimit u shoqërua nga transparenca dhe diskutimet konstruktive. “Me mënyrën se si u mbajt ky konkurs, zgjedhjet e balancuara që ne bëmë, mendoj se u dha edhe një sinjal me rëndësi për autorët, përkthyesit e shtëpitë botuese… një shtysë më shumë që herës tjetër edhe ata që ngurruan, të bëhen pjesëmarrës”, tha ajo. Më tej, studiuesja u ndal te përzgjedhja e gjashtë veprave shqipe, që do të përkthen në gjuhë të huaja.

“Ne si juri kemi vlerësuar fort relevancën e këtyre botimeve sepse sigurisht që ato duhet të jenë përfaqësuese të një niveli elitar. Dhe mund të them se me emrat e veprat e përzgjedhura, kjo pjesë është e garantuar”. Me eksperiencën e disa veprave të përkthyera prej saj dhe si autore, Budini i cilësoi të dyja proceset krijuese sa të bukura, aq edhe të mundimshme. “Janë dy përvoja që unë nuk do t’i ndaja dhe që kërkojnë me të vërtetë një përkushtim të madh”.

Si pedagoge dhe drejtuese e Departamentit të Shkencave Humane dhe të Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës, studiuesja ceku dje edhe një nga hallkat më të brishta të përkthimit në vendin tonë, siç janë tekstet akademike. “Shpresoj që përveç teksteve letrare, në të ardhmen të organizohen gara të tilla edhe sa i përket botës akademike. Gjatë punës sime disavjeçare në UET kam vënë re se në këtë pikë ka shumë mungesa dhe vështirësi. Pedagogët janë duke u trajnuar edhe sa i përket kësaj pjese, por natyrisht që kanë nevojë për motivim”, u shpreh Budini.

Belina Budini1

RITA PETRO: SHQIPËRIA, ME AUTORË E PËRKTHYES TË TALENTUAR

Rita Petro, poete e botuese e “Albas”, e ftuar dje gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve për Fondin e Përkthimit, e cilësoi iniciativën e QKLL-së si një mbështetje motivuese morale, profesionale dhe materiale për përkthyesit. “Shtëpitë botuese s’mund të mos jenë të kënaqura nga nisma të tilla, pasi përpos nxitjes morale sa u përket përkthyesve dhe autorëve, ndikojnë edhe te botuesit në uljen e kostos. Ndonëse ne botojmë një sërë veprash shqiptare dhe të huaja, mbështetje të tilla bëjnë që të shtojnë edhe tituj të tjerë”. Petro u shpreh se konkurse të tilla duhet të kenë në fokus veçanërisht të rinjtë. “Shpesh dëgjoj të thuhet se ‘përkthyesit e vërtetë s’jetojnë më’, por ne që përballemi çdo ditë me ta mund të themi se Shqipëria ka autorë dhe përkthyes mjaft të talentuar. Madje, mund të them se çdo ditë, autorëve shqiptarë, krahas lexuesve vendës, po u shtohen edhe të huajt dhe gara të tilla ndikojnë pozitivisht në këtë pikë”, tha Petro.

d5a3df97-7e3d-4cfb-adfd-d806fbeafd4e

PREÇ ZOGAJ: LIBRI, SI PËRPARËSI KOMBËTARE

Shkrimtari dhe analisti Preç Zogaj, në cilësinë e anëtarit të jurisë që përzgjodhi fituesit e Fondit të Përkthimit, theksoi dje se vendimi i jurisë, përpos diskutimeve pozitive, ishte konsensual. Ai u ndal te kjo eksperiencë dhe vështirësitë e saj. “Nuk është ndonjë lumturi e madhe të jesh anëtar jurie, duke pasur parasysh vështirësitë e përzgjedhjeve që duhen bërë. Megjithatë, vlerësoj faktin se juritë, anëtarët e tyre nuk janë më të përjetshme siç ndodhte në të kaluarën. Zogaj vlerësoi iniciativën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Ministrisë së Kulturës, që vë në qendër të vëmendjes librin. “Fondi për librin është investim, më shumë sesa një dhuratë bërë autorëve dhe përkthyesve, pasi libri duhet të mbetet përparësi kombëtare”. Po ashtu, ai u ndal te rëndësia që kanë nisma të tilla edhe për nxitjen dhe ndërgjegjësimin e përkthimeve cilësore, pasi autorët dhe përkthyesit sipas tij bëhen edhe përçues të gjuhës shqipe, si vlerë identitare e paçmueshme.

e87d0b09-abc0-4d2f-adae-1c2ddc12a2e8

Margariti: Qendra punoi edhe në pandemi, të rinjtë në fokusin tonë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme dje në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për Fondin e Përkthimit, të organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, vlerësoi punën e bërë nga kjo strukturë, në mbështetje të librit edhe gjatë periudhës së pandemisë. Ajo u shpreh te rëndësia që i duhet dhënë edhe në të ardhmen përkthimit, si një mënyrë e mirë për të përçuar vlerat krijuese dhe ato gjuhësore shqiptare edhe jashtë kufijve. Po ashtu, Margariti vlerësoi pjesëmarrjen në rritje të autorëve, përkthyesve dhe shtëpive botuese në konkurse të tilla. Ajo u shpreh se vëmendja e QKLL-së dhe Ministrisë do të fokusohet edhe te të rinjtë, për t’i angazhuar dhe motivuar edhe më tepër ata në punën që bëjnë me librin. “Investojmë te libri, pasi përmes tij hapen shtigje për njohjen e gjuhës, historisë, vendit e vetes sonë”, u shpreh Margariti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura