Studio televizive apo kriminalistike?

Oct 12, 2018 | 14:28
SHPËRNDAJE

NDUE DEDAJ

Ndue-Dedaj

Shqipëria duket se është mbërthyer nga një konspiracion i madh, ku të gjithë përgjojnë dhe përgjohen, me sfond të mirëfilltë politik. Konspiracion kundër kujt?… Le ta lëmë përgjigjen, me aq sa mundemi, për në fund të shkrimit.

Është pa mëdyshje situata e pastabilizuar e rendit politik, publik e deri diku dhe mediatik, që, krahas maratonës së përnatshme politike të ekraneve, gjithë tension e zëra të ngritur debatuesish që nuk merren dot vesh mes tyre, studiot televizive qendrore kohët e fundit i janë kthyer botës së krimit, me synimin për ta shkokëluar atë para teleshikuesve me rrënjë e me degë, ku është e ku s’është. Aq e ethshme është bërë kjo, sa disa gazetarë investigativë të temave policore detyrohen të kalojnë sa në një studio në tjetrën brenda së njëjtës kohë televizive. Ekipe të tëra gazetarësh punojnë intensivisht për emisionin e mbrëmjes, që shpesh ndërtohet mbi një ngjarje kriminale që ka ndodhur aty për aty, pa pasur kohën e mjaftueshme për t’u fokusuar mbi të. Le pastaj kur bëhet fjalë për video-përgjime që nuk iu dihet saktësisht origjina, me gjithë “sigurinë” e folësve mbi autorësinë dhe protagonistët e tyre, zakonisht të ndarë në dy palë qëndrime e ku rrallë ndodh të hidhet për debat ndonjë alternativë e tretë, pasi kështu e do politika, që vigjilon pas çdo gjëje.

Në thelb është e lavdërueshme që televizionet janë bërë të ndjeshme ndaj problematikave të nxehta të ditës dhe përpiqen ta ndajnë shqetësimin e tyre qytetar dhe profesional me publikun një minutë e më parë, duke nisur që me lajmin e shpejtë. Informimi e komunikimi, siç dihet, është ai për çka mediat ekzistojnë. Kanë qenë të mirëpritura emisionet e para të tilla në ekranet tona, që kanë zënë fill jo shumë kohë më parë, pas ndonjë ngjarjeje të bujshme kriminale të ndodhur në kryeqytet apo diku tjetër. Por ne e kemi për zakon që çdo gjë të mirë që bëjmë ta shpërdorojmë pa kaluar shumë kohë. Në këtë gjendje kriminaliteti që ka Shqipëria do të ishte jashtë realitetit që të mos kishte, qoftë dhe për çdo natë, studio që në një format a në një tjetër të flasin për këtë tragjedi sociale, pasi si mund të heshtësh para vrasjeve të ndodhura në Vlorë, Shkodër, Elbasan, Dibër, Tiranë, Lushnjë etj.? Por është krejtësisht e pakuptimtë dhe e papërligjur që për vrasjen e ndodhur në ish-Bllok të gjëmojnë njëherësh thuajse të gjitha studiot e debateve të Tiranës!? A thua se nuk ka asgjë tjetër Shqipëria, për të cilën duhet folur! Të gjithë shqiptarët, nga e janë e s’janë, duhet ta mbajnë frymën për dy-tri mbrëmje radhazi në atë se çfarë e si ka ndodhur në lagjen ku dikur rronte Byroja Politike.

Çudia është se aty diskutohet si me qenë në zyrat e kriminalistikës të Policisë së Shtetit, ku gazetarë të terrenit apo analistë të ndryshëm, flasin me detaje për rrethanat e krimit të ndodhur, më e pakta pa qenë në vendin e ngjarjes njëherësh me policinë, por me ç’kanë mundur të mbledhin andej-këndej. Debatet hyjnë në hollësira të panevojshme për publikun, duke dubluar në mënyrë amatoreske hetimin e Prokurorisë. Kujt i hyjnë në punë nga publiku cic-micet kinse hetimore të studiove, nëse në lokal u fut i pari ky apo ai person i përfshirë në krim, nëse arma e krimit u hodh në lumë apo në pyll etj. Gjëra të tilla për publikun nuk kanë asnjë vlerë. Është tjetër gjë kur ndërtohen emisione të mirëfillta me ngjarje dhe personazhe të botës së krimit, që shfaqen një herë në javë, pasi të jetë mbledhur informacion i mjaftueshëm nga shumë burime. Kështu, nga nxitimi i të gjithëve për t’u marrë me rastin “Xhisiela” me patjetër, e kryekrejet i politikës, disa nga qasjet televizive ndaj saj u sfumuan pa kaluar njëzet e katër orë. Si mundet që një vajzë, që nuk ka folur kurrë për mediat, për më tepër në rrethana të rënduara psikologjike dhe nën ndikimin e korenteve të ndryshme, të mund të përballojë fluksin e intervistave me nga dy orë të gazetarëve apo drejtuesve të emisioneve të debatit? Në çka do të thoshte ajo i kishin sytë të gjithë, studiot për të rritur audiencën televizive, pala e akuzuar për të mos u rënduar më shumë, politika për ta përdorur për qëllimet e saj etj. Kurse zbulimit të së vërtetës i shërben vetëm hetimi i organeve të specializuara gjyqësore. Kjo asesi nuk i përjashton nga roli që kanë gazetarët investigativë të kësaj sfere, por ata nuk mund të sjellin para publikut si me magji atë që prokurorët e kriminalistët e bëjnë përmes hetimit dhe provave. Gazetarë kësodore nuk mund të bëhen interesantë nëpër studio, duke pohuar të dhëna sporadike të siguruara në rrugë konfidenciale nga dosjet hetimore. Ndërkohë që gazetari si zë i autorizuar i publikut duhet të vëzhgojë e shprehet dhe rreth qëndrimit të Prokurorisë ndaj iks çështjeje, përdorimit politik të ngjarjes etj. Studiot televizive nuk ka pse të kthehen në paradhoma të hetimit të çështjeve të nxehta penale e as të partive politike, që i gjuajnë studiot për të shpalosur me jo pak agresivitet interesat e veta ngushtësisht politike, siç e tregon dhe ping-pongu me video-përgjimet plot hije dyshimi si të tilla.

A është ky interesi publik? A ka nevojë ai që të bombardohet në këtë farë feje me krimin dhe jehonën e tij, qoftë dhe duke bërë thirrje për ta parandaluar? Do të ishte krejt ndryshe nëse panelet e debatuesve nuk do të bënin rolin e hetuesve dhe kriminalistëve për çështjet konkrete të ndodhura, por do të analizonin me kurajë e kompetencë profesionale rrethanat social-politike që kanë çuar në krijimin e bandave kriminale në shumë rrethe të vendit përgjatë tranzicionit, të cilat përplasën sot e nesër për prishje pazaresh të drogës, prostitucionit etj.. Flitet për suport të tyre nga politikanë të ndryshëm, duke u lakuar emra, por pa u vërtetuar asgjë deri më tani. Po kështu, do të ishte me interes publik nëse nëpër emisione do të silleshin fakte se sa krime kanë ndodhur nga njerëz me sëmundje mendore, të dhëna dhe analiza të krimit në familje në përmasa të frikshme etj., ashtu si dhe për vrasjet për gjakmarrje, ku asnjëherë nuk sillen shifra të besueshme nga vendimet gjyqësore, por spekulohet rëndom me shifra të rreme shoqatash abuzive, kinse të pajtimit. Vërtet “kolori” i paneleve është demokratik në dukje, por si mund të flasin me të njëjtën gjatësi vale rreth vërtetësisë së një ngjarjeje një gazetar terreni, që ka për qëllim vetëm lajmin, kronikën, raportimin korrekt të asaj që ka ndodhur me një gazetar politik të afishuar majtas apo djathtas, apo një politikan etj. (Pa folur pastaj për avokatët e ftuar që dihet se ç’qëndrim do të mbajnë). Thënë ndryshe, edhe në debate të tilla që nuk kanë të bëjnë me politikën, i shëmbëllehet maratonës politike televizive, ku më së shumti plas “sherri” mes liderit të ftuar dhe analistëve. Stacionet këtu te ne janë bërë lëmsh, përderisa lideri i pozitës dhe ai i opozitës japin e marrin, pro e kundër, i pari duke deklaruar se zëri i video-përgjimit të “Babales” është i një inskenuesi dhe i dyti se ai zë është fiks i vëllait të ministrit Xhafaj, duke ia vënë ata “pikën” kësaj gjëje. Ky është një kurth për gazetarinë, në të cilin ajo asnjëherë nuk duhet të bjerë. Gazetaria është e tillë dhe politika e atillë, dy stacione “meteorologjike” me mot të ndryshëm. Nuk kemi pse e kërkojmë larg modelin e gazetarisë së mirëfilltë investigative, atë e kemi brenda nesh, në emisionet “Fiks-Fare”, “Stop”, “Boom” etj., ku ekipet punojnë me ditë, javë e muaj për të nxjerrë lakuriq para publikut të korruptuarit e shumtë të këtij vendi etj.

Vijmë tani te epilogu i shkrimit, përgjigjja e pyetjes që shtruam në fillim, se kundër kujt drejtohen gjithë këto rrufe politike bazuar në video-përgjime të njëpasnjëshme dhe personazhe konspirative të tipit “Babale” etj.? Edhe pse mund të ngjajë retorikë, një gjë është e sigurt – ato e shtyjnë tej e më tej qershorit hapjen e negociatave të Shqipërisë për në Bashkimin Europian. Nuk do ta dëshironim një “bast” të tillë, por kështu është…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura