Studimi, shkolla shqipe e Trebickës, 35 vjet para Mësonjëtores së Korçës

Jul 6, 2015 | 12:58
SHPËRNDAJE

U krijua pa lejen e Portës së Lartë në Manastir ose Kisha e Shën Mërisë

Përdori abetaren e parë shqipe hartuar nga babai i alfabetit shqip, Naum Veqilharxhi

Dëshmi e dokumente të panjohura për figurën e mësuesit të parë.
Thanas Xheka, mësuesi i parë i gjuhës shqipe. 
Ka pasur lidhje të ngushta me Naum Veqilharxhin.

Në qarkun e Korçës, në Trebickë të krahinës së Vakëfeve, ka ekzistuar një shkollë e gjuhës shqipe shumë më herët se ajo e 7 marsit 1887 (para vitit 1854), pavarësisht se nuk ishte me lejen e Portës së Lartë, laike dhe me një program të gjerë mësimor, sikurse qe Mësonjëtorja. Me këtë dëshmi historike nuk duam të nënvizojmë se duhet të njihet ajo si e para shkollë shqipe në vendin tonë, por t’i kujtojmë opinionit publik si dhe vetë historiografisë shqiptare se ka ekzistuar një e tillë para Mësonjëtores së famshme…

Abetarja e parë e Naum Veqilharxhit
Ka pasur një debat të hershëm që hapet sa herë që vjen 7 marsi, nga studiues të ndryshëm, të cilët rreken të vërtetojnë se nuk është Korça, por x apo y shkollë tjetër e para (në Shkodër, Elbasan, Tiranë, Manastir e gjetkë), duke mos bërë dot dallimin mes një shkolle kombëtare të organizuar legale (si Mësonjëtorja), me ato private brenda shtëpive e në mënyrë të fshehtë. Shkolla e Trebickës, për të cilën bëjmë fjalë, ka veçoritë dhe përparësitë e veta, që e bëjnë shumë më të avancuar nga mësimi fshehtas shtëpiak e gjetkë sepse funksiononte në një institucion publik (Manastir, ose Kisha e Shën Mërisë), njihej gjerësisht në krahinë dhe kishte një numër të konsiderueshëm fëmijësh (djem e vajza), i strehonte ata me ushqim e fjetje, përdori të parën abetare shqipe të hartuar nga babai i alfabetit shqip, Naum Veqilharxhi dhe kishte një mësues të përgatitur. Më poshtë po shtjelloj me radhë fakte, dëshmi e dokumente të bëra publike në një kumtesë që kam mbajtur në sesionin shkencor të organizuar me rastin e 100-vjetorit të Mësonjëtores së Parë shqipe, më 7 Mars 1987.

Shkolla shqipe e Shën Mërisë
Nga zonat e para (e dokumentuar) ku filloi të mësohej gjuha shqipe në Shqipëri, shumë më herët është zona e Vakëfeve, në rrethin e Korçës. Kështu, informacionin për një shkollë të fshehtë shqipe e gjejmë aty që në vitin 1854. Kur themi që në 1854 kemi parasysh dëshminë e shkruar sepse në të vërtetë gjuha shqipe në atë shkollë jepej para vitit 1854. Për këtë ngjarje të rëndësishme bën fjalë patrioti dhe folkloristi i mirënjohur vithkuqar Spiro Dine (1846-1922), i cili në veprën e tij me titull “Valët e detit” botuar në Sofje-Bullgari, në 1908, në faqen nr.19, në vjershën e titulluar “Të penguarit e gjuhës tonë”, në strofën e gjashtë të saj shkruan:”U nxuar dhe Shqipe shkronja,/ Zu e mësojnë njerëzia./ U(n) harita dhe këndova (‘)/Sa më dukeshin të mira”. Siç shihet, në fund të vargut të tretë të kësaj strofe, autori Spiro Dine ka vënë një shenjë dhe në mbarim të faqes që ka këtë vjershë, jep shpjegimin përkatës, duke shkruar pikërisht kështu: “Isha djalë 10-vjeç, kur ika nga Vithkuqi në Trebickë për të mësuar në shkollë të Shën Mërisë në Trebickë, në 1854, në të cilën më shpunë të mësoja prej Dhaskal Fan Xhekës nga Treska. Në këtë shkollë pashë për herë të parë djemtë me nga një abetare bërë prej Naum Bredhit, të cilin më të shumtit e dinë me emrin Naum Veqilharxhi, e me sa gaz i mësonin zantoret (zanoret) a, u, y, e, ë, i; po për fat të lig nuk ndenja përveçse një dimër. Që aty mua m’u rrënjos dashuria e gjuhës. Më të ikur, iu luçë Dhaskalit të më përshkruante apostullë e pashkëve… djalë jeshë. Nuk prisja pashkë, por prisnja të thosha apostullë shqip”.

Busti i Naum Veqilharxhit
Deklarimet e mësipërme e ndriçojnë plotësisht temën që në vitin 1908, pa asnjë lloj ndikimi e manipulimi (siç mund të tentohet lehtësisht sot): Spiroja ishte fëmijë i vogël, 10 vjeç dhe jo i rritur siç ndodhte shpesh në ato kohë kur zakonisht këta dëshironin të mësonin shqip fshehurazi; përdor termin shkollë dhe jo thjesht Kisha e Shën Mërisë, ku thekson se “Për fat të lig, nuk ndenja përveçse një dimër”, që do të thotë se shkolla atje vazhdonte me sezon të plotë gjatë vitit; shohim se përdoreshin abetare për çdo nxënës dhe jo vetëm një nga mësuesi; përdorej dhe gjuha shqipe në shërbesat fetare (pashkët) qysh atëherë, një gjë për t’u ndier vërtet krenarë dhe së fundi, shkolla njëherësh kishte konvikt për strehim, e rrallë për kohën. Duket qartë se rëndësia e kësaj dëshmie është e pakontestueshme për këdo. Nisur nga fakti se Spiro Dine ka vajtur nga Vithkuqi në Trebickë (fshatra këto 5 orë larg njëri-tjetrit) vërteton se shkolla ka qenë e njohur në të gjithë krahinën dhe me influencë në të. Njëkohësisht, nënkuptohet se ajo ka qenë e hapur jo atë vit (1854), por më parë, edhe pse fatkeqësisht nuk kemi datë, muaj e vit të dokumentuar me shkrim se kur i ka çelur dyert saktësisht.

Megjithatë, edhe sikur vitin 1854 të marrim si fillim, i bie që Shkolla e Trebickës të jetë hapur mbi 35 vjet para Mësonjëtores së Korçës. Të gjitha gjasat janë të ketë filluar aktivitetin menjëherë pas daljes së abetares së dytë të Veqilharxhit, Evëtarit fare i Ri, në 1845, sepse dihet që botimet e para të abetares (1844) ai i dërgoi urgjentisht në Korçë, Vithkuq, Vakëfe etj., vende këto të krahinës së tij. E nëse pranojmë vitin 1845, sikurse e argumentojnë më poshtë Gjik Prifti, Polikron Trebicka, Myslim Islami etj., patjetër që ka qenë muaji shtator i këtij viti. Këtë e dëshmonte z.Polikron, sipas tregimeve që mbante mend prej babait të tij, Simi Trebicka, vjelë nga i ati Sotir Trebicka (vdekur në vitin 1892). Trebickallinjtë prej kohësh kanë pasur një festë të tyre të përvitshme, 8 shtatorin, si festa e Shën Mërisë së Trebickës (P.Trebicka, krijimtaria historike letrare, botim 2011, fq. 533), e cila është shfrytëzuar si dita e parë e çeljes së shkollës. Abetaren e parë (1844) e morën brenda vitit edhe atdhetarët e qytetit të Korçës, për të cilat shprehën entuziazmin e tyre dhe mbështetjen financiare ndaj Veqilharxhit (shih letër e 22 prillit 1845, H.SH., 1984, V.II, fq. 136), por kurrsesi s’mund ta përdornin aty hapur (të çelnin një shkollë), përballë përndjekjeve dhe terrorit të egër grek brenda qytetit.

Atëherë përse u zgjodh Trebicka si vendi ku do të çelej kjo shkollë? Mendojmë se faktori bazë ishte autoriteti i madh i Manastirit të këtij fshati në ato krahina, duke garantuar funksionimin e saj me kushtet që ofronte si shpenzimet ekonomike, pagesën e mësuesit, mbrojtjen nga reprezaljet turke (zonë e thellë), si dhe maskimin e saj nën emrin e shkollës greke që funksiononte më parë. Mbi të gjitha, vendimtare ishte shqiptarizmi, ideali kombëtar i drejtuesve klerikë të Manastirit, ndryshe nga ndonjë kishë gjetkë, që ishte kthyer në shërbëtore të “megali idhesë”, projektuar në 1844. Nuk përjashtohet mundësia që grekët për të mos lejuar shkëputjen e Manastirit nga influenca helene të kenë bërë një sy qorr e një vesh shurdh, por edhe turqit nga ana tjetër, për të dobësuar influencën greke dhe rritur autoritetin e tyre në këto fshatra krejt të krishtere të kenë heshtur në një farë mase!! E themi këtë se e njëjta politikë u ndoq nga të dy krahët edhe në rastin e çeljes së Mësonjëtores së Korçës, më 7 mars 1887. Klerikët patriotë shqiptarë të asaj kohe mundoheshin t’i shfrytëzonin sa të mundnin këto hapësira të grindjes mes pushtuesve. Gjithmonë sipas studiuesit Polikron Trebicka, hapja e shkollës së parë shqipe në Trebickë, nuk ishte as rastësi, e as dëshirë e një personi të vetëm.

Shkolla u hap pikërisht aty, sepse ekzistonin kushtet e favorshme, të cilat në radhë të parë qenë atdhetarizmi i spikatur dhe dëshira e zjarrtë e vendësve për arsim, faktorë që i kishin rrënjët në të kaluarën e largët të Trebickës. Po kaq i rëndësishëm ishte fakti se trebickallinjtë qenë jo vetëm fshatarë, por edhe punëtorë krahu, tregtarë e kurbetçinj, ku mënyra e prodhimit dhe kurbeti kërkonin patjetër edhe një nivel kulturor më të avancuar e më të përshtatshëm që t’i përgjigjeshin këtyre kushteve.
Atdhetari i njohur Gjikë Prifti, nga Trebicka, dëshmon se në të arritën të përdoreshin gjatë librat e përgatitura nga patrioti rilindës Naum Veqilharxhi (1767-1854): ” Si një bekim i qiellit, – kujton ai, – na ra në dorë alfabetarja e vithkuqarit Naum Panajoti. Ne e ruanim dhe vlonim atë më tepër se korrat (ikonat) e shenjta të këtij Manastiri”. Shumë herë Gjikë Prifti dhe i ati i tij, Papa Spiro, ruanin shkollën nga nizamët turq që kalonin gjatë Tanzimatit ose nga spiunë e tradhtarë të tjerë, që kalonin nga Çamëria, Janina e Berati për në Shkup e Manastir.

Nga të dhënat që kemi deri tani, shkolla e gjuhës shqipe në Trebickë duhet të ketë qenë e para e këtij lloji në zonën e Vakëfeve dhe krahinat fqinje me të, ndryshe s’ka si shpjegohet që Spiro Dine, për të mësuar shkrim e këndim në gjuhën e nënës, detyrohet të lërë Vithkuqin (një qendër e lashtë e qytetërimit shqiptar) dhe të vinte në Trebickë, ku familja e tij kishte dijeni se ekzistonte një shkollë shqipe.
Si konkluzion, shkolla e parë shqipe në Trebickë mbetet më e hershme se shumë shkolla private që mësonin fshehurazi gjuhën shqipe në këtë periudhë si në Elbasan, Shkodër, Tiranë, Manastir, gjë që për fat të keq historiografia shqiptare deri tani nga mosnjohja e ka lënë në harresë. Në librin e studiuesit Myslim Islami, me titull “Naum Veqilharxhi: Ideologu i parë i Rilindjes Shqiptare”, Tiranë 1978, në faqen 86-87, ndër të tjera thuhet: “Vepra e Veqilharxhit është përhapur në Trebickë, fshat i vogël në zonën më të largët e të vështirë e u shërben të vegjëlve për mësimin e gjuhës shqipe”.
Duke folur për rolin e madh që ka luajtur përhapja e të shkruarit dhe të lexuarit të gjuhës shqipe në fshatrat e Vakëfeve, patrioti Goni Katundi thekson: “Mësimi i gjuhës amtare po përhapej me çape të shpejta në të gjitha fshatrat e Vakëfeve… Mund të them pa ndrojtje se vetëm kur mësova të shkruaj e të mësoj gjuhën e nënës, e ndjeva veten më burrë, më të ditur”. (P. Pepo vepra me titull – Lufta për çlirimin kombëtar në vitet 1878 – 1912, faqe 43).

Mësuesi Thanas (Theofan) Xheka
Këtyre burimeve të bëra publike me shkrim u vinë në ndihmë edhe dëshmitë gojore të trebickalleshave Thomaidha Nikollës, plakë 90-vjeçare, si dhe të Vasile Priftit, vdekur në 1948, në moshën 83-vjeçare, të cilat na krijojnë një ide më të plotë për shkollën dhe mësuesin e tyre, Thanas Xheka. “Jeshmë të vegjël shumë – kujton Vasile Prifti. Rrinja shesh me alfabetaren në dorë dhe keshë edhe gëzim të madh, por edhe frikë se mos na zinin e nuk mësonim dot zentoret shqipe: a, e, y, i, kur i ndjeri Thanas Xheka apënte (hapte) alfabetaren e këndonte shqip më mirë se bilbili që këndon në maj. Ca uleshin mbi velenxë, ca mbi postet që i shtronim mbi dërrasat e Manastirit…”, (Muzeu Historik Korçë, të dhëna nxjerrë në vitin 1986).
33 shkronjat e alfabetit të Naumit ishin origjinale që u përshtateshin plotësisht veçorive fonetike të gjuhës shqipe. Këto shkronja për dekanin e Albanologjisë, gjermanin J.G. Hahn, nuk ishin primitive dhe të vrazhda, por të punuara me estetikë dhe stil elegant (J.G. Hahn, Studime Shqiptare, 1854, f. 292-293).

Përcaktimet e tij për rëndësinë e gjuhës shqipe do të bëheshin gjithnjë e më të qarta dhe Naum Veqilharxhi do t’i shpaloste te “Qarkorja”, në të cilën shkruante: “Prapambetja e popullit lidhet, përveçse nga pushtimet e shumta të huaja, nga hyrja e dogmave fetare, por kryesisht nga moslëvrimi i gjuhës sonë kombëtare dhe zëvendësimi i saj me një gjuhë të huaj”, (Qarkorja, 1846, Encyklika). Po kush është ky Thanas Xheka, që ka këtë aktivitet kaq të pasur? Për mësuesin e parë të gjuhës shqipe, siç mund ta quajmë atë pa hezitim, pak është gërmuar. Në sesionin shkencor që u organizua në shtator 1984, në Trebickë, nga Instituti i Historisë pranë Akademisë së Shkencave Tiranë, u hodh një hap mjaft pozitiv në zbardhjen e aktivitetit të tij. Sipas kumtesës së mbajtur në të nga Ilia Karanxha (punonjës i Muzeut të Arsimit Kombëtar), Thanas Xheka ka qenë një patriot tepër arsimdashës nga fshati Treskë i Vakëfeve. Në vitet që u përmendën  më sipër ai duhet të ketë qenë i moshuar, por me shkollë, me kulturë të gjerë dhe influencë. Me siguri në këtë drejtim ka ndikuar ambienti i kulturuar familjar ku është rritur, fshati i lindjes (ndër më të zhvilluarit) dhe gjithë zona që shquhej për traditat arsimdashëse në ato vite e më vonë. Thanasi zgjodhi Trebickën dhe konkretisht Manastirin, si shkollë për gjuhën shqipe, për faktin se ky ishte një fshat i përparuar në atë kohë (afër Treskës), me rreth 200 shtëpi, në kryqëzim rrugësh, qendër tregtie e artizanati dhe me klimën më të butë në zonë. Aty kishte shumë patriotë që jepnin ndihmë direkte për arsimin dhe më kryesorja, një rol vendimtar për këtë qëllim luante Manastiri i famshëm i Trebickës, me një influencë dhe autoritet të padiskutueshëm në krahinë.

Kujtojmë se Naum Veqilharxhi qysh në 1824, nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes (me 33 shkronja), të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer ndasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi në 1844 të parën abetare të shqipes, Evetarin (elementarz). Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e ribotoi në 1845 me titullin Fare i ri Evëtar Shqip, të shoqëruar me një: “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”. Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera, që nuk janë ruajtur, nuk u botuan ose u dogjën. Sipas Misto Treskës, Thanasi ka pasur lidhje me Naum Veqilharxhin, si banor i së njëjtës krahinë. Ai kishte njohuri gjuhësore e didaktike, pasi e zbërthente dhe përdorte bukur abetaren, e cila, sikurse dëshmojnë dokumentet historike (Histori e Shqipërisë; vëll. II-të, f.135) alfabeti i saj ishte i vështirë për t’u përvetësuar. Thanasi dallonte qartë se alfabeti i Naum Veqilharxhit afrohej më tepër me atë latin. Aftësia e tij për ta lexuar abetaren aq pastër e rrjedhshëm, fakti që nxënësit arrinin të përvetësonin mirë shkrimin shqip, apo fakti tjetër që ai kishte arritur të tërhiqte edhe seksin femër në shkollë, krijojnë para syve tanë figurën e një mësuesi profesionist dhe një shkolle serioze e me emër.

Për këto arsye, Spiro Dine e kujton me respekt shkollën e Trebickës dhe mësuesin e vet, që me aq gaz e dëshirë i mësoi abc-në. Ndonëse të dhënat janë të pakta, mendojmë që shkolla ka vazhduar edhe pas viteve ’60-të të shekullit XIX-të, madje kujtimet e ish-nxënësve që cituam më sipër, këtyre viteve u përkasin, po të kemi parasysh moshën e tyre. Edhe sipas dëshmive të Bektash Musa Topçiut (datëlindja 1860), një ndër mësuesit e parë të gjuhës shqipe në Vakëfe, mësojmë se ai në moshën 10-vjeçare ka mësuar shkrim e këndim shqip në shkollën e Trebickës, me mësues Fan Xhekën. Sipas kësaj të dhëne i bie që deri në vitin 1870 ajo ka qenë e hapur, ndërsa pas vitit 1870 nuk kemi asnjë dokument apo dëshmi për vazhdimësinë e saj, vite kur mund të ketë vdekur dhe mësuesi Thanas Xheka, mbi moshën 80 vjeç.

Përkthyesi, studiuesi dhe publicisti Misto Treska, në historikun e fshatit të tij Treskë, shkruar në vitin 1984, na sjell të dhëna të reja për familjen e Dhaskal Xhekës: “… Nga kërkimet që kemi bërë në vend, në fshatin Treskë, – thotë ai, – del se në lagjen e Gurit edhe sot e kësaj dite është një copë truall që quhet ‘Luadhi i Dhaskalit’ dhe një copë tjetër që quhet ‘E thurura  e Dhaskalit, ose Sheshëza'”. Kur pyetëm Ligor Memon, nga lagjja e Gurit (në vitin 1982), se pse ai vend quhej “Luadhi i Dhaskalit”, u përgjigj se ka qenë pronë e një dhaskali, e dhaskal Vasilit, nga fisi i Xhekëve, që banonin në lagjen e Gurit. Ky dhaskal Vasili, sipas gjasës, duhet të ketë qenë i biri i Thanas Xhekës, i edukuar me ndjenja atdhetare sepse një plak i vjetër nga Panariti, Myrtoja, apo Jahoja, që ka vdekur vitet e fundit (rreth viteve ’70), në moshë shumë të shtyrë, tregonte se dhaskal Vasili u mësonte fëmijëve të Treskës dhe të fshatrave rrotull gjuhën shqipe fshehurazi në kishën e Shën Kollit, përtej lumit të Treskës. Sipas një dëshmie tjetër të Ligor Memos (nga lagjja e Gurit, Treskë), dhaskal Vasili kishte një vajzë me emrin Thomake (Thomaidha), e cila ka qenë martuar me Dhoskë Memon, xhaxhanë e Ligor Memos, që nuk dihet se çfarë fundi pati në Amerikë. Thomakeja u martua më pas në Trebickë me Xheke Nikollën (në vitin 1930). Thomakeja ka vdekur rreth moshës 90 vjeç, aty nga viti 1965. Kjo e fundit u thoshte Ligor dhe Ollga Memos se jo vetëm i ati, dhaskal Vasili, por edhe i gjyshi, Than Xheka, ka qenë dhaskal.

Dhaskal Xheka duhet të ketë qenë, në mos i vetmi, një nga të rrallët mësues që ka përdorur “Evëtarin” e Naum Veqilarxhit, qysh në vitet e para të botimit të tij, 1844-1845. E meqë Veqilharxhi është babai i alfabetit shqip dhe të parës abetare shqiptare (pavarësisht fundit të tyre dhe vështirësive që paraqisnin në përdorim), logjikisht edhe shkolla e Trebickës mbetet pionierja e arsimit shqip, që sivjet mbush 170-vjetorin e saj, po të marrim si fillesë vitin 1845. E nëse dikush pretendon se ka pasur gjetkë një shkollë shqipe më të hershme se ajo e Trebickës (sa mirë do të ishte!), atëherë lind pyetja, me cilën alfabet dhe abetare kanë mësuar ata nxënës?
Dihet historikisht se Kostandin Kristoforidhi, që me të drejtë cilësohet si babai i gjuhës shqipe (e përsërisim i gjuhës shqipe, jo i alfabetit shqip), për kontributin e madh që ka dhënë në këtë fushë është më i vonshëm se Veqilharxhi. Pra, në rrethanat historike të vendit tonë s’kemi luksin që raste si “Trebicka” t’i injorojmë fare, përkundrazi t’i evidentojmë dhe paraqesim para botës si shenja civilizimi. Një shtet tjetër këtë rast do e kërkonte me qiri dhe amplifikonte me të gjitha mjetet, e jo të mbetej si puna jonë me thjesht 7 Marsin 1887, a thua se ky erdhi papritur dhe nga hiçi.

PETRIT ZENELI
*Historian

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura