Të gjithë maturantët e rinj apo të vjetër që kanë sytë nga Italia fqinje për të ndjekur studimet e larta, duhet të aplikojnë që tani. Ambasada Italiane ka publikuar hapat që duhet të ndjekin dhe dokumentet që duhet të dorëzojnë të interesuarit për të ndjekur studimet në vitin akademik 2016-2017.
Kështu, në fazën e para që është paraqitja e kërkesës për pararegjistrim kërkohet që brenda datës 7 korrik aplikantët të kenë caktuar një takim pranë Ambasadës Italiane që ofrohet online.
“Panorama” shkruan se në fazën e pararegjistrimit, ata duhet të dorëzojnë një sërë dokumentesh: certifikatë lindjeje dhe familjare të përkthyer, formularin e regjistrimit (të plotësuar por të pafirmosur) në të cilën duhet shënuar vetëm një degë universitare, formularin e autentikimit të fotografisë, certifikatë të gjuhës italiane, fotokopje të pasaportës, dy fotografi dhe origjinalen e dëftesës së pjekurisë dhe certifikatën e Maturës Shtetërore.
“Nxënësit e regjistruar në vitin e fundit të shkollës së mesme që do të marrin dëftesën në verën e 2016, duhet të paraqesin një fotokopje të palegalizuar të ‘Formularit A1’, me të cilin janë regjistruar online për provimet e Maturës 2016″, theksohet në njoftimin për shtyp të Ambasadës.
Mundësinë për studime të mëtejshme e kanë dhe studentët që dëshirojnë të ndjekin kurset e ciklit të dytë, specializim ose kurs të shkurtuar. Këta të fundit, përveç dokumenteve të mësipërme, duhet të dorëzojnë edhe diplomën universitare dhe listën e provimeve, si dhe të programeve të detajuara të studimeve.
Duhet pasur kujdes që dokumentet e shkollës së mesme të jenë vulosur në Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe Ministri e më pas të dërgohen në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ato duhet të jenë të përkthyera me ndihmën e Institutit Italian të Kulturës apo profesionistëve që mund të gjenden në faqen zyrtare të Ambasadës.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al