Studentja tregon pse i iku nga mësimi Nasho Jorgaqit: I tha Poradecit “plak i rrjedhur”. Çfarë thuhet për Teuta Hoxhën

Oct 7, 2020 | 21:20
SHPËRNDAJE

nashoDokumentet e publikuara nga studiuesi Agron Tufa, që tregojnë përfshirjen e shkrimtarit Nasho Jorgaqi si informator në Ish-Sigurimin e Shtetit me nofkën “Dragoi”, kanë ngjallur reagime të të tjera personazheve. Tufa (duke publikuar edhe faksimile e të dhëna) e etiketon Jorgaqin si “spiun-agjent” të disa personaliteteve, si Skënder Luarasi, apo të familjarëve të tyre, si motrën e Ismail Kadaresë, Kadrien. Përbri këtyre fakteve të publikuara në rrjetet sociale, përkthyesja Ana Kove, përmes një komenti, shton një tjetër akuzë për shkrimtarin. Ajo kujton përplasjen e pedagogut Nasho Jorgaqi me studenten Blerinda Idrizi, për shkak se shkrimtari përpiqet të fyejë kolegun e tij Lasgush Poradecin.

Nuk e harroj kurrë leksionin e tij për Lasgushin, në pranverë 1987 mbase, të cilin e quajti për lirikën filozofike shprehimisht ‘liliput qesharak’, dhe Blerinda Idrizi, vajza e Rinush dhe Frida Idrizit, doli nga leksioni në shenjë proteste”, shkruan Kove. Mirëpo, në mbrojtje studiuesit Nasho Jorgaqi i del përmes një letre publike përkthyesja Rezarta Reso, e cila ngjarjen e rrëfyer nga Kove e konsideron si qesharake. Pasi sipas saj, është e çuditshme që një indinjatë e tillë të vijë nga e bija e atyre “që shkruanin e korrigjonin tërë zell librat e Teuta Hoxhës”. Për “Panoramën” ka reaguar vetë Blerinda Idrizi, e cila tregon se libri që prindërit e saj kanë përgatitur për Hoxhën, është për Ismail Qemalin. Madje se ata i kanë kërkuar të bijës së Enver Hoxhës të mos retushoheshin në të dokumentet me figurat e papëlqyera për regjimin. Po ashtu, Idrizi hedh dritë mbi të vërtetat e leksionit të 1987- ës, ku Jorgaqi e etiketonte Poradecin “si plak të rrjedhur”.

BLERINDA IDRIZI

E bija e kujt jam dhe pse indinjohem! (Në përgjigje të manipulimeve dhe gënjeshtrave të R. Resos) Akti më i vështirë në jetën e njeriut është të mbrojë veten kur nuk ka kryer asnjë krim, kur duhet të japë shpjegime për akte qytetarie, kur duhet të shpjegohet për qëllimet e thjeshta, por të ndershme që ka në jetë, të arsyetojë mbrojtjen e së vërtetës, të shpjegohet pse dëshiron të mendojë me kokën që ka mbi shpatulla, pse nuk bëhet pjesë e turmës, pse nuk lejon të poshtërohet. Shkurt e shqip, të shpjegojë pse ka vendosur të jetojë me dinjitet. Në letrën e hapur të znj. Rezarta Reso, me titullin “Historia e ‘sigurimsit Nasho Jorgaqi’ me Kadarenë, babanë tim, letra e hapur e Rezarta Resos: Në vend të një përgjigjeje për një sharlatan dhe frikacak”, botuar në faqen e gazetës “Dita” dhe “Panorama”, 1 tetor 2020, znj. Reso ka marrë përsipër një mision të pamundur por që vetëm ajo mundet t’ia dalë.

Së pari, të mbrojë N. Jorgaqin; së dyti, të na tregojë që ai ka qenë dhe mbetet një profesor i shkëlqyer; së treti, që në Shqipërinë e asaj kohe askush nuk mund të indinjohej. Së fundi, ajo që është më e pëlqyeshmja për të tërë ata që mendojnë si znj. Reso: relativizimi i së keqes, ku të tërë kemi qenë njëlloj, viktimë dhe kriminelë në bashkëjetesë simbiotike!

Mua nuk më intereson nëse znj. Reso do të mbrojë idhujt e saj dhe mitet që ka zgjedhur të besojë, pasi kjo nuk ndryshon bindjet mia se e keqja nuk mund të relativizohet, se e shkuara nuk duhet varrosur, se e vërteta nuk mund të monopolizohet dhe se gjysmëfaktet nuk përbëjnë realitete faktike. Pavarësisht nga kjo, unë do të fokusohem vetëm në të pavërtetat dhe dyshimet që znj.

Reso ka shprehur për mua dhe prindërit e mi. Për korrektesë dhe referencë po citoj çfarë shkruan znj. Reso në letrën e saj për mua dhe prindërit e mi: “Vërtet Blerina Idrizi doli nga salla në shenjë indinjate kur Nasho vuri në lojë Lasgushin?! Ju lutem, mos më bëni të gajasem, sepse i bie që Blerina të ketë jetuar në rrugë tërën jetën e saj derisa erdhi në Amerikë, nga indinjata që duhet të ketë pasur ndaj të atit dhe së ëmës që shkruanin e korrigjonin tërë zell librat e Teuta Hoxhës”.

Në lidhje me daljen time nga salla, (bëhet fjalë për orën e leksionit të prof. N. Jorgaqit mbi L. Poradecin në vitin 1988), Znj. Reso i referohet komentit të bërë nga shkrimtarja dhe bashkëstudentja ime Ana Kove në faqen e “Facebook”-ut të z. A. Tufa, botuar më pas në një nga mediat e përditshme. Si fillim, për znj. Reso dhe këdo tjetër, emri im është Blerinda dhe jo Blerina. Unë znj. Reso, nuk kam jetuar ndonjëherë në rrugë dhe nuk jetoj në Amerikë. Udhëtimet e mia në shumë vende të botës, përfshirë dhe Amerikën që përmendni, kanë të bëjnë vetëm me edukimin dhe profesionin tim. Prindërit e mi quhen Rinush Idrizi dhe Frida Zeqo-Idrizi.

Nuk kam asnjë arsye të indinjohem ndaj prindërve të mi përderisa ata nuk kanë mbrojtur të keqen dhe as kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit, përkundrazi, ndjekja e tyre nga Sigurimi i Shteti është e dokumentuar dhe e publikuar. Për momentin, po mundohem të kuptoj pse që nga viti 1974 dhe deri më sot në vitin 2020, pra 46 vjet me radhë më përmendet nëna dhe babai; deri në vitin 1990 ishin me “lakra në kokë”, pas ’90-tës ishin hartuesit e librit të znj. Teuta Hoxha, ishin… ss ju vetë nuk e dini çfarë ishin dhe janë. Një gjë është e vërtetë: që nuk ishin dhe nuk janë si ju! Prindërit e mi nuk kanë shkruar dhe as korrigjuar me zell librat e znj. Teuta Hoxha siç pretendon dhe i manipulon faktet ti znj. Reso. Mund të më thoni znj. Reso sa libra ka në emrin e saj znj. Teuta Hoxha në periudhën 1982-1990? Ju sigurisht që nuk e dini se po ta dinit nuk do t’i referoheshit “librat”.

Në këtë periudhë, znj. Teuta Hoxha ka dy libra, dhe prindërit e mi kanë punuar vetëm për “Ismail Qemali: pe?rmbledhje dokumentesh, 1888-1919”. Mund të na tregoni se çfarë libri do të shkruante Rinushi dhe Frida kur libri është me përmbledhje dokumentesh? Çfarë do shkruanin nëna dhe babi im: letrat e I. Qemalit dhe figurave të tjera të Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë, konsujve dhe diplomatëve, zyrtarëve të Portës së Lartë?! E dini çfarë ka brenda ky libër?!

Rinush Idrizi në shtator të vitit 1981 filloi punë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, në Sektorin e Grumbullimit dhe Botimit të Dokumenteve që porsa ishte krijuar, pas nëntë vjet “shëtitjesh” nëpër fshatra, brigje e shtigje që pas Plenumit të Katërt. Viti 1982 ishte viti i 70-vjetorit të Pavarësisë. Drejtoria e Arkivave vendosi të bënte një botim me këtë rast të dokumenteve që dokumentonin përpjekjet për pavarësi.

Pse Rinushi u caktua të punojë me znj. Teuta Hoxha është lehtësisht e kuptueshme se ishte i vetmi që punonte në sektorin e grumbullimit dhe botimit të dokumenteve para vitit 1944, pranë Drejtorisë së Arkivave të Shtetit. Nuk di dikë që shkon në punë dhe zgjedh kë detyrë të bëjë dhe kë të mos bëjë, apo me kë të punojë e me kë të mos punojë. Mbase ju e keni këtë luks dhe aftësi!

Frida, sikurse ti e di shumë mire, po ke dëshirë të thuash gjysmë të vërteta, ishte redaktore në Shtëpinë Botuese Enciklopedike, në redaksinë e fjalorëve dhe biografive. Dhe vetëm kjo shtëpi botuese kishte detyrimin të botonte biografitë, literaturë enciklopedike, përmbledhje dokumentesh, përpos Akademisë së Shkencave që i botonte vetë botimet e veta.

Puna e saj ishte të redaktonte librat që aprovoheshin për botim dhe redaktorët nuk i zgjidhnin librat që do të redaktonin në ato vite. Për rikujtesën tuaj znj. Reso dhe për informim të publikut, titujt e librave që do të botoheshin dhe redaktorët e tyre caktoheshin nga shefat e redaksive dhe drejtoria dhe dërgoheshin në Zyrën e Shtypit të Komitetit Qendror ku aprovoheshin.

Puna për hartimin e përmbledhjes ka filluar diku nga muaji shkurt 1982 dhe mamasë sime i është dhënë vendimi për të punuar me librin pikërisht në atë muaj mbi të cilin kanë punuar deri në fund të muajit tetor 1982 kur përmbledhja ka shkuar në shtypshkronjë dhe libri ka dalë në nëntor. Prindërit e mi kanë punuar me shumë zell në fakt, po jo se punonin për librin e znj.

Teuta Hoxha, po se ishte një afat kohor i paimagjinueshëm tetëmujor për të punuar me dokumentet, të cilat duheshin lexuar, seleksionuar, renditur jo vetëm kronologjikisht por edhe sipas çështjeve, të sigurohej cilësia e përkthimit, saktësia e tekstit dhe gabimet apo harresat gjatë daktilografimit (se me këtë imagjinatë që keni mund të thoni që kishte kompjuter në atë kohë!) dhe të kontrolloheshin një për një figurat historike të cilat ishin problematike për regjimin për arsye ideologjike. Nuk kishte ndonjë ushtri me njerëz që punonin aty znj. Reso.

Ndaj juve apo dhe të tjerëve ju dukej si çudi që këta të dy e kishin bërë si shtëpi të dytë Sallën Albanologjike të Bibliotekës Kombëtare. Prindërit e mi kanë punuar me shumë zell edhe për një çështje tjetër shumë madhore. Ata i kërkuan znj. Teuta Hoxha të bisedonte me Babain (kupto: Enver Hoxhën, siç i drejtohej ajo) që të konsiderohej botimi i dokumenteve pa retushim, (pra heqjen e emrave të figurave që konsideroheshin armiq apo ideologjikisht problematikë nga partia, që do të thoshte edhe heqje paragrafësh apo dokumente të tëra nga botimi).

Kjo cenonte cilësinë e dokumentit, por mbi të gjitha, plotësinë e fakteve historike dhe të vërtetave të Pavarësisë. Propozimi ishte që të botoheshin dokumentet pa retushim, edhe për figurat historike problematike që binin në kundërshtim me qëndrimet zyrtare në lidhje me shumë figura historike të tekstit të historisë të botuar nga Akademia e Shkencave. Dhe znj. Hoxha e bëri këtë.

Fakti është që për herë të parë pas vitit 1945, emrat e të gjithë figurave që kanë kontribuar në procesin e Pavarësisë së Shqipërisë kanë dalë të plota. Kush dëshiron të verifikojë këtë fakt, le të marrë librin dhe ta krahasojë me botimin e vitit 1962 me rastin e 50- vjetorit të Pavarësisë, një botim mediokër, me dokumente të retushuara dhe ku emrat e figurave historike problematike për regjimin nuk ekzistojnë fare! Disa njerëz, nga zelli, si puna e prindërve të mi, janë kujdesur të dalë e vërteta znj. Reso! Kurse disa të tjerë, po prapë nga zelli deri dje e gëzonin Partinë me bashkëpunim, shpifje, denoncim, e sot e gëzojnë me justifikim.

Mbas bashkëpunimit me znj. Hoxha, mamaja po redaktore mbeti deri në vitin 1991, babai im po grumbullues i dokumenteve mbeti dhe ky deri në vitin 1992.

Asgjë nuk ndryshoi në jetën e tyre. Kaq për bashkëpunimin “e zellshëm” të prindërve të mi me znj. Teuta Hoxha. Kush ka dëshirë dhe do të mësojë të vërtetën dhe do të bindet, këto janë faktet, as ju heq e as ju shtoj asnjë presje. Për sa i përket sjelljes sime në auditor, ju habiteni dhe ju bën të qeshni dalja ime nga ora e mësimit, por nuk ju bën përshtypje që profesori e quan Lasgush Poradecin “liliput qesharak” (citoj A. Kove).

Në fakt, kujtesa ime më thotë disa fakte të tjera. Atë ditë të leksionit mbi poetin Poradeci, i cili mbahej në sallën 102 të Fakultetit HistoriFilologji si të gjitha leksionet e Letërsisë së Pavarësisë, prof. Jorgaqi, të cilit i kishim kërkuar paraprakisht si studentë të vitit të tretë të Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të përgatitej dhe të na mbante një leksion cilësor mbi poetin, tha mes të tjerash: “Lasgushi ishte një plak i rrjedhur që shëtiste me qenin e tij!”

Reagimi im ka qenë: “Sa herë që e kam takuar Lasgushin, nuk më është dukur i rrjedhur!” Të karakterizuarit e Poradecit si “liliput” e si “i rrjedhur” nuk janë të rastësishme. Të gjithë të padëshiruarit e regjimit që nuk ishin në burg dhe vendosnin të tërhiqeshin nga jeta publike, në mënyrë të veçantë kur profesioni i tyre ishte “fjala”, ata ishin “të çmendur”, “të paaftë”, “të parëndësishëm”. Do të kishte qenë mirë znj. Reso të pyesnit për çfarë arsyeje një shkrimtar dhe profesor i letërsisë, një individ që i kushtohet mendimit dhe krijimit, të ketë “anicir” nga mendimi dhe liria e mendimit! Nuk kam qenë vetëm unë e zhgënjyer dhe e indinjuar, znj. Reso!

Në kursin tim të gjuhës dhe letërsisë shqipe 1986-1990, kishte plot të revoltuar dhe ishte bërë shprehi që disa profesorë të Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë të na mbanin mbledhje partie për “sjellje të shfrenuara”, për indinjatat tona për padrejtësi që na bënin në provime dhe cilësi të mësimdhënies. Ndihem shumë mirë që kam qenë bashkë me ata. Dhe sa për indinjatat e mia dhe shprehjen hapur të mendimit, mos u habisni, se unë kam një histori që shkon shumë më herët se vitet universitare.

“Merita” ju takon njerëzve si ju të cilët kanë që nga klasa e parë më përmendin se e bija e kujt jam! Demokraci në këto tridhjetë vjet nuk kemi bërë dhe as e kemi prekur! As të vërtetën nuk e kemi nxjerrë nga fundit i dheut, por madje bashkë me drejtësinë e mohuar ndaj viktimave të së shkuarës i kemi hedhur në Gropën e Marianeve. Por për një gjë duhet të jemi në paqe me veten, që dolën fytyrat e vërteta të njerëzve! Gënjeshtrat dhe gjysmë të vërtetat janë kështjella në rërë znj. Reso; pas tyre ju mund të ndiheni e sigurt dhe e fuqishme.

Nga kështjellat tuaja të gënjeshtrës dhe shpifjeve ju mund të përpiqeni të jetoni jetën tuaj dhe të manipuloni të tjerët. Po ato kështjellat po prapë të rërës janë dhe mbi rërë janë ndërtuar. Kur të shkruani sërish të rrema znj. Reso, mendohuni mirë, se unë apo të tjerë, nuk do t’ju lejojmë të vazhdoni të villni vrer sipas midesë suaj të prishur prej vitesh. Herës tjetër nuk do të përpiqemi të faktojmë të vërtetat tona, po të gjejmë arsyet pse ju gënjeni!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura