Studentët e përçarë, vihet në pikëpyetje vijimi i protestës. Sot vendosin…

Jan 17, 2019 | 9:17
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Pas shtatë netësh të ngujuar në disa fakultete të Tiranës e një bojkoti masiv të gjatë në auditore, vijueshmëria e protestës është vënë në pikëpyetje.

protesta-studentet-bllokimi1

Studentët kanë marrë përsipër vetë të vërtetojnë nëse janë një pakicë që po pengon shumicën apo e anasjella. Të rinj të fakulteteve të ndryshme kanë ndarë mes tyre sondazhe mbi vijueshmërinë e protestës.

Deri tani, vetëm Ekonomiku e ka marrë vendimin e tij, ndërsa të tjerë pritet të votojnë gjatë ditës së sotme. Dhjetëra studentë në Tiranë e të tjerë në universitetet e Durrësit e Elbasanit janë ngujuar në formë proteste për plotësimin e kërkesave, drejtuar qeverisë që në fillim të dhjetorit.

Të tjerë i mbështesin, duke iu bashkuar gjatë kohës së parashikuar për mësim, ndërsa shumica dërrmuese bojkotojnë nga shtëpitë e tyre. Jo të paktë në numër janë studentët “e devotshëm”, që paraqiten çdo ditë në fakultet për leksione e seminare, çka në jo pak raste ka çuar edhe në përplasje midis tyre.

ÇFARË DUAN STUDENTËT

Sondazhi i studentëve në Fakultetin Ekonomik rezulton në favor të bojkotit të mësimit. Janë së paku 68% e atyre që studiojnë në këtë fakultet që kanë votuar pro vijimit të protestës, ndërsa pjesa tjetër janë për mësim.

Por, një tjetër sondazh, i zhvilluar paralelisht me të parin, por nga ana e vetë fakultetit me pyetjen “Ku do të donit të ishit tani: duke bërë mësim apo duke protestuar?” (në të cilin mund të votojë lehtësisht kushdo, edhe pa qenë pjesë e FEUT) e hedh poshtë të parin. 46% janë për mësim, ndërsa 54% për protestë.

Ndërkohë sot voton Politekniku. Me një procedurë transparente, me një listë emrash të marra nga sekretaritë nga ora 8:00 deri në 18:00, të rinjtë do të shprehin vullnetin e tyre, rezultati i të cilit do i paraqitet rektorit dhe cilido qoftë ai, është premtuar të marrë mbështetje. Ndërkaq, studentët e Arkitekturës kanë kërkuar ndihmën e pedagogëve e drejtuesve për të vendosur problematikat e ditëve të fundit dhe vijueshmërinë e protestës.

Nëse këta të fundit nuk u përgjigjen, ata e shohin zgjidhjen te vijimi i ngujimit pa afat. Te Fakulteti i Shkencave Sociale bojkotohet në një formë të moderuar, duke parë filma të caktuar që iu japin zemër studentëve për t’i shkuar deri në fund kauzës së tyre. Një prej tyre është “Blokada”, i cili flet rreth bllokimit të jetës universitare në Kroaci në vitin 2009, ku pas 34 ditësh bllokimi, rezultati ishte arsim publik falas.

Pas mbështetjes së dhënë javën e kaluar me plotësimin e të katër kërkesave drejtuar dekanit të Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, ka takuar dje një përfaqësi studentësh, duke iu kërkuar të kundërtën, t’u japin fund bojkotit dhe zaptimit të fakultetit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura