Strehimi/ Nisin sot aplikimet për kreditë e buta, dokumentet që duhen plotësuar dhe afati

Apr 16, 2018 | 9:03
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Qytetarët e pastrehë në kryeqytet mund të aplikojnë nga sot për të përfituar kredi të zbutur nga Bashkia e Tiranës. Bashkia e Tiranës ka hapur zyrtarisht programin e subvencionimit të kredive për shtëpi. Të interesuarit kanë një muaj afat për të aplikuar në njësitë administrative. Për këtë, mjafton vetëm një kartë identiteti.

auto_banesatsociale1487020699

“Bazuar në vendimin e Këshillit Bashkiak me nr. 28, datë 29.03.2018, Për miratimin e Programit Social të Strehimit “Për subvencionimin e interesave të kredisë” njoftohen të gjithë qytetarët e interesuar të paraqesin aplikimet e tyre sipas Aneksit nr. 2 për këtë program pranë Njësive Administrative që kanë vendbanimin, nga data 16.04.2018 deri më.16.05.2018″, citohet në urdhëresën e bashkisë.

Ndërsa lista voluminoze e dokumenteve (paraqitur në tabelën përbri) do të kërkohet në fazën e dytë vetëm për ata që kalojnë seleksionimin e parë nga Drejtoria e Strehimit në Bashki.

PROCESI I APLIKIMIT

Ata që mendojnë se përmbushin kriteret e vendosura nga bashkia, duhet të nxitojnë pranë njësive administrative për të kryer aplikimin. Aty u vihet në dispozicion formulari tip, në të cilin hedhin të dhënat e gjendjes familjare, të ardhurat si dhe deklaratën e vërtetësisë së informacionit.

Me rëndësi në këtë fazë është deklarimi i saktë i këtyre treguesve, pasi në të kundërt (nëse nuk përputhen me ato që disponohen në sistem), do të jenë vetë aplikuesit që penalizohen, duke u skualifikuar që në fillim nga gara. Me përfundimin e afatit njëmujor, Drejtoria e Shërbimit Social në bashki bën seleksionimin parësor dhe shpallin listën e fituesve.

Këta të fundit i nënshtrohen fazës së dytë të aplikimit, ku dorëzojnë dokumentet përkatëse. Në këtë rast këshillohet që dokumentet të merren brenda pak ditësh. Në rast se kalon afati 3-mujor në momentin e shqyrtimit të dosjeve, proces që mund të ndodhë në muajin qershor, aplikuesi skualifikohet edhe pse plotëson kushtet.

KRITERET E PËRZGJEDHJES

Përveç të ardhurave minimale e maksimale që duhet të plotësojnë aplikantët, janë pesë tregues që do të shërbejnë për komisionin si kritere apriori për të bërë përzgjedhjen finale.

Kështu, përfitues potencialë në programin “Subvencionimi i interesave të kredisë për familjet e reja” do të jenë familjet që kanë në përbërje një çift të ri mosha e përbashkët e të cilëve nuk i kalon të shtatëdhjetat; ato familje të reja që kanë në ngarkim persona me aftësi të kufizuar apo persona në pension; familjet që kanë të ardhura sipas limitit të përcaktuar në këtë program; ato që nuk janë dhe nuk kanë qenë përfitues të programeve të tilla të ngjashme më parë dhe sigurisht, nuk kanë në pronësi një banesë.

LISTA E DOKUMENTEVE

1. Certifikatë e gjendjes familjare dhe fotokopje ID e aplikantit;

2. Dokumentin zyrtar të celebrimit ( certifikatë martesore);

3. Vërtetim i të ardhurave nga punëdhënësi për të gjithë anëtarët madhorë, të cilët janë në marrëdhënie pune;

4. Vërtetimi nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse për personat, të cilët janë regjistruar si persona punëkërkues të papunë;

5. Vërtetimi nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension ;

6. Vërtetim i ndjekjes së studimeve;

7. Vërtetimi nga organet tatimore për të gjithë anëtarët madhorë të familjes, nëse figuroni ose jo të regjistruar në sistemin informatik të Drejtorisë Rajonale Tatimore, Tiranë;

8. Pasqyrat Financiare të vitit të mëparshëm financiar për personat e vetëpunësuar;

9. Ekstrakt historik nga Qendra Kombëtare e Biznesit;

10. Vërtetim nga Drejtoria Rajonale Tatimore në rast se subjekti tatimor ka bërë kërkesë për çregjistrim.

11. Vërtetimi nga Drejtoria Rajonale Tatimore për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, për të gjithë anëtarët madhorë të familjes të cilët janë në marrëdhënie pune;

12. Vërtetimi nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Tiranë për të gjithë anëtarët madhorë nëse disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si e tillë;

13. Vërtetimi nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotërojnë ( anëtarët madhorë të familjes , kur disponojnë ·pronësi;

14. Vërtetimi nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të vendit të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për anëtarët madhorë të familjes;

15. Vendimi i gjykatës origjinal ose i noterizuar, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra përmbarimore për masën e pensionit ushqimor që përfiton sipas vendimit të gjykatës;

16. Libreza e jetimit, lëshuar nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit, fotokopje e noterizuar;

17. Vërtetimi i komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar, për individët me aftësi të kufizuara, fotokopje e noterizuar; 18. Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”;

19. Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit lnformativ Shtetëror dhe Policisë së Burgjeve;

20. Vërtetimi i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës;

21. Deklaratë noteriale që lëshohet nga kryefamiljari, i cili shprehet se është dakord që kredia të lëvrohet për aplikantin që rezulton i përfshirë në formularin e strehimit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura