Strategjia e politikës së jashtme të Greqisë ndaj Shqipërisë

Oct 23, 2018 | 12:12
SHPËRNDAJE

LAVDRIM LITA/lavdrim-litaE gjithë strategjia e politikës së jashtme të Greqisë ndaj Shqipërisë ka qenë e bazuar në artin e luftës.

Ata kanë krijuar apo shpikur vatra problemesh, që, në fakt, nuk ekzistojnë dhe që shqiptarët të harxhojnë energji të pafundme për zgjidhjen e këtyre çështjeve dhe moszgjidhjen e çështjes kombëtare.

Ata shpikin pretendime për Vorio-Epir apo minoritete me pensione në Himarë dhe ushqejnë diatriba në media që shqiptarët të mos merren me çështjen “çame”.

U bë gati dy ditë që opinioni publik bombardohet me lajme se si një grup njerëzish, me influencë në jetën e përditshme të shqiptarëve, paguhen nga fondet sekrete të shtetit grek për të bërë propagandë në dobi të interesave helene në Shqipëri.

Lojërat agjenturore kanë qenë pjesë e fantazisë shqiptare për shumë vite, sidomos në periudhë e diktaturës ku frika ndaj armikut të jashtëm dhe atij të brendshëm mbante shoqërinë tonë në një qerthull të pambarimtë dyshimi dhe ankthi ndaj një rreziku që nuk ekzistonte.

Edhe paratë, që supozohet se kanë paguar për gazetarët në Shqipëri, duket se është pjesë e strategjisë së tyre për të humbur besimin tonë te gazetarët dhe mediat. Natyrisht që gënjeshtrat më jetëgjata janë ato që qepen me copa të së vërtetës. Nuk mund të përjashtohet pagesa jo direkte, por kjo është pjesë e justifikimit të lojës Zero Sum Game.

Në këtë mënyrë, ata shtjellojnë tezën se jemi të paqartë dhe të hutuar dhe për këtë arsye kemi nevojë për ndihmë nga jashtë, sidomos nga fqinji jugor. Por siç na mëson poeti romak Virgjil: Timeo Danaos et dona ferentis, nga grekët mos pranoni as dhurata!

Këtë strategji e kanë kuptuar mirë, edhe serbët, edhe maqedonasit që shpikin minoritete serbe në Fier e gjithkund që shqiptarët të merren me këto çështje, që krijojnë ata dhe jo me Luginën e Preshevës apo statusin shtetformues të shqiptarëve në Maqedoni. Derisa ne futemi në diatriba për Himarën, duke nxjerrë nga arkivi edhe kartën e studiuesit Eqerem Çabej apo kërkojmë të zbulojmë në portale listën sekrete të pagesave të Greqisë për gazetarët dhe mediat kombëtare në vend, do të thotë se asgjë nuk kemi kuptuar dhe asgjë do të bëjmë.

Qëllimi i kësaj skeme të përsëritur qindra herë është i qartë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura