Strasburgu, qeveria paguan 1.2 miliardë lekë detyrime

Apr 5, 2015 | 21:59
SHPËRNDAJE

Gjykata e Strasburgut

Shteti shqiptar ka shlyer së fundmi një faturë prej 1.2 miliardë lekë, për llogari të “gjobave” që ka marrë nga vendimet ndër vite të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

 Shuma në fjalë është totali i pagesave të kryera në tri javët e kaluara për kompensime dhe dëmshpërblime, sipas vendimeve të Strasburgut. Shifrat u publikuan nga portali “Spending Data Albania”, bazuar në të dhënat e Zyrës Qendrore të Thesarit. Sipas të dhënave, nga data 18 mars 2015 deri në datën 4 prill 2015, janë ekzekutuar gjashtë transaksione me vlerë 1 211 638 903 lekë. Mësohet se këto pagesa të shtetit shqiptar kundrejt palëve janë bërë nga Thesari i Shtetit, përmes një banke të nivelit të dytë. Përshkrimi i kategorisë se transaksionit është: Shpenzime për kompensime të tjera të papaguara. Gjithashtu për secilin transaksion ka edhe një përshkrim të detajuar fature. Referuar procedurës ligjore, ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut realizohet përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave, vendime që janë marrë gjatë mbledhjeve të qeverisë në shkurt-mars të këtij viti. Sipas “Spending Data Albania”, pagesa e kryer në tre muajt e parë të vitit 2015, për dëmshpërblime sipas vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut është 1.84 herë më e lartë se të gjitha pagesat për këtë kategori transaksionesh të kryer në muajt e vitit 2014, vit ku shteti shqiptar dëmshpërbleu në vlerën totale 656 076 123 lekë.

VENDIMET

Vendimet e Gjykatës së Strasburgut, të cilat janë ekzekutuar së fundmi nga ana e qeverisë shqiptare i përkasin kryesisht vitit 2014, përkatësisht katër të tillë. Ndërsa dy të tjerët janë shpallur në vitin 2011 dhe 2012. Në përfundim të shqyrtimeve, Strasburgu ka vlerësuar se kërkuesve u janë shkelur të drejtat e ligjshme dhe për këtë arsye ka urdhëruar shtetin shqiptarë t’i kompensojë dhe dëmshpërblejnë ata. Kështu, një nga vendimet ka qenë ajo e “Karagjozi kundër Shqipërisë”. Ankuesit në këtë çështje iu drejtuan Strasburgut për shkak të një vendimi të pazbatuar të Komisionit të Tiranës për Kthimin e Kompensimin e Pronave, të vitit 1996, në lidhje me njohjen e një trualli me përmasa 11 2014 metër katrorë. Sipas vendimit të Komisionit, ata do të kompensoheshin për shkak se ngastra e tokës ishte zënë nga dy ndërtesa, ku strehoheshin ambasada të huaja. Në çështjen “Puto kundër Shqipërisë” kërkuesit nuk ishin kompensuar për një sipërfaqe prej 5 mijë metër katrorë, për të cilën u ishte njohur më parë titulli i pronësisë. Në çështjen “Memiashaj kundër Shqipërisë”, kërkuesi ka pretenduar se nuk ishte zbatuar një vendim i Gjykatës së Lartë në përballjen e tij gjyqësore për rikthim në vendin e mëparshëm të punës. Në çështjen “Delvina Kundër Shqipërisë”, kërkuesve nuk kishin përfituar kompensimin apo rikthimin e një sipërfaqeje prej 1 600 metër katrorë, që ishte zënë nga Ambasada Italiane në Shqipëri. Në çështja tjetër “Luli kundër Shqipërisë”, shteti shqiptar është ndëshkuar për shkak të shkeljes së drejtave të ankuesve në zgjatjen e procedurave për kthimin e kompensimin e pronës së tyre, në rrethin e Durrësit. Edhe në çështjen “Eltari kundër Shqipërisë”, shteti shqiptar u gjobit për moszbatimin e një vendimi gjyqësor për kompensimin e një sipërfaqeje prej 10 mijë metër katrorë në qytetin e Vlorës.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura