Strakosha: De Biazi ia doli prej talenteve

Nov 20, 2015 | 13:08
SHPËRNDAJE

I fundit ishte Andi Lila që festoi me shqiponjë një gol të shënuar në stadiumin “Karaiskaqi” të Olimpiakosit. Veprim që ngjalli një reagim të gjerë në shtetin fqinj, ku me të gjitha mënyrat e “kryqëzuan” pa shkak lojtarin e Kombëtares shqiptare.

Foto Strakosha
Foto Strakosha

Ndërkohë, pas kualifikimit në Europian, është edhe një ish-kuqezi që ka arsye të festojë dhe që të mund të shpjegojë dhe kuptimin që ka festimi me shqiponjë. “Filasthlos.gr” përcjell intervistën me ish-portierin e Kombëtares shqiptare, Foto Strakosha.

Kombëtarja shqiptare ka arritur që, për herë të parë, të kualifikohet në Europian. Si e vlerësoni?

Është një ëndërr e bërë realitet. Jo vetëm për ne tani, por edhe për brezat që kanë qenë përpara nesh apo me siguri edhe për ato që do të na pasojnë. Është një arritje shumë e madhe dhe që na ka bërë të gjithëve krenarë.

Çfarë do të thotë për Shqipërinë ky kualifikim?

Është një vend me rreth 2.5 milionë njerëz. Kualifikimi për herë të parë është diçka e jashtëzakonshme. Shqipëria ka traditë të gjatë në futboll që fillon prej shumë kohësh dhe i mungonte një pjesëmarrje e tillë në një kompeticion të rëndësishëm. Duke parë që morën edhe nderim nga presidenti, është tregues se çfarë gëzimi u jep futbolli.

Përse mendoni se ka ardhur ky sukses i Shqipërisë pikërisht tani?

Nëse i marrim lojtarët një e nga një, ata janë pjesë e ekipeve cilësore kudo në botë. Secili prej tyre ka tipare interesante dhe kur i sheh të gjithë bashkë si skuadër janë me të vërtetë mjaft cilësorë. E pamë gjatë gjithë kualifikueseve që bënin shumë për njëri-tjetrin dhe kjo është një pikë e fortë në çdo ekip.

Si e vlerësoni punën e trajnerit De Biazi?

Arritja e tij fillon me përzgjedhjen e lojtarëve dhe formimin e grupit, për të mos thënë që është edhe më e madhja. Më duket sikur Shqipëria do të ndjekë shembullin e Greqisë dhe Portugalisë. De Biazi bëri diçka që trajnerët e tjerë nuk kanë arritur kurrë t’i shkojnë deri në fund.

Sa e ka ndihmuar Shqipërinë e vogël fakti që ka kërkuar lojtarë cilësorë nëpër Europë (gjetja e talenteve)?

Është e vërtetë, pasi kemi arritur të grumbullojmë shumë lojtarë cilësorë në Greqi, Gjermani apo në vende të tjera. Kemi marrë lojtarë me të ardhme, të cilët kemi arritur që t’i bëjmë bashkë në një ekip. Është diçka që unë nuk kam pasur guximin ta bëj dhe është duke e bërë De Biazi aktualisht. Ka shumë lojtarë me origjinë shqiptare që mund të formojnë dhe të ndërtojnë një ekip të fortë. Megjithatë, më e rëndësishmja është që këta lojtarë e shohin Shqipërinë si diçka të veçantë dhe ekstra për karrierën e tyre. Është një faktor interesant fakti që këtyre futbollistëve të mund t’u imponosh sensin e sakrificës për njëri-tjetrin.

Festimi me shqiponjë është diskutuar shumë gjatë në Greqi…

Festimi me shqiponjë nuk ka asnjë gjë të rëndë apo provokuese. Është vetëm forma e simbolit të flamurit tonë kombëtar dhe nuk fsheh asnjë nacionalizëm të tepruar apo asgjë për t’u keqkuptuar.

Si jeni ndier sa herë që keni luajtur kundër Kombëtares greke?

Kanë qenë ndeshje të vështira. Nëse do të bëhet fjalë për përballje të tanishme, do t’i këshilloja lojtarët që të mos e shohin si luftë.

Duket se e keni trashëguar si duhet pasionin dhe profesionin tuaj…

Po, Tomas është aktualisht te Salernitana dhe kam parë që ka bërë disa paraqitje të mira në Kupë dhe në kampionat. Ka dëshirë për të punuar dhe në moshën që është, ka më shumë cilësi sesa kam pasur unë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura