Stop komenteve denigruese në blogjet online të medias!

Nov 4, 2013 | 12:27
SHPËRNDAJE

BRIKENA KASMI

  Është ky mesazhi i përcjellë në këtë kohë nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Rasti në fjalë ka sjellë një debat të madh ndërmjet juristëve të medias. Media dënohet nëse një person në komentet e tij përmban fjalë apo shprehje denigruese për një person tjetër, qoftë ky dhe një figurë politike, publike.
Shpesh jemi mësuar t’i drejtohemi medias online për të parë lajmet me rëndësi në jetën politike, publike, të çdonjërit. Disa miq të mi thonë se: “më shumë se lajmin në një portal të përditshmeje, lexoj komentet e lexuesve, aty marr vesh të pathënat e lajmit dhe kënaqem me epitetet për personat subjekt lajmi”.
Por, për të përditshmen estoneze “Delfi AS”, përdorimi i portalit nga lexues dhe komentet e tyre janë gjetur si shkak për dënimin e saj nga Gjykata. Gjykata e Strasburgut, ndër të tjera, është shprehur se botimi i komenteve fyese nga publiku tejkalon caqet e lirisë së shprehjes dhe, për këtë arsye, e ka dënuar atë me gjobë.
Kjo Gjykatë vendosi se nuk ka një shkelje të lirisë së shprehjes ndaj të përditshmes “Delfi AS”, dhe se ajo duhet të kishte marrë të gjitha masat për mospublikimin e komenteve fyese ndaj SLK. Pavarësisht faktit se “Delfi” kishte një sistem menaxhimi të komenteve të publikut, pavarësisht filtrave të kontrollit dhe shpejtësisë së heqjes së komenteve fyese pas ankimit, gjykata në vendimin e saj konsideroi se: “aplikanti nëpërmjet publikimit të artikullit në fjalë duhej ta kishte ditur paraprakisht se do të shkaktonte reaksion negativ ndaj kompanisë dhe menaxherëve të saj dhe se, duke marrë në konsideratë reputacionin e madh të Delfi, kishte një rrezik më të madh se mesatar që komentet negative mund të dilnin përtej kritikës së pranueshme ‘acceptable criticism’”.
Po çfarë ndodh çdo ditë? Ka mijëra portale në internet të medias online, që ofrojnë informacione të ndryshme për publikun dhe po aty në shërbim të rolit të medias si një shoqëri informacioni, i japin mundësinë publikut të ndryshëm të postojnë komentet e tyre.
Në erën dixhitale është fakt që teknologjia për garantimin e një shërbimi ecën me ritme më të shpejta se hartimi i legjislacionit shoqërues. E kam fjalën këtu dhe për sfidën e legjislacionit për t’iu përshtatur kërkesave të sistemeve të ndryshme teknologjike. Çështja kundër Estonisë, e ndryshme nga paraardhëset Google, L’oreal, Ebay, ka prodhuar një debat sfidë për avokatët e medias. Ky debat konsiston në ndarjen e roleve dhe funksioneve të lirisë së shprehjes në funksion të një media të lirë dhe të pavarur dhe tregtimit në internet të informacioneve të ndryshme. Nga njëra anë, portali në internet i një gazete është shërbim mediatik i një shoqërie informacioni dhe, nga ana tjetër, është një shërbim thjesht transmetimit të informacionit nga përdoruesit te publiku ISISP (Internet Society Information Service Provider).
Në funksion të zhvillimit të teknologjisë, mekanizmat e përcjelljes së informacionit te publiku kanë evoluar, duke përfshirë modele operimi në tregun e biznesit mediatik si portale gazetash të ndryshme (si Panorama, Mapo, Shekulli, Tema etj.) apo media sociale e profesionale si (facebook, twitter, linkedin etj.) apo modele të e-clouds (google, skype, ebay, etj). Të gjitha këto modele dallojnë nga lloji i sistemit që përdorin, pra sistemi dikton rregullin. Kjo sjell një ndryshim nga rregulli i zakonshëm, sipas të cilit bëhet rregulli pastaj ndërtohet sistemi.
Funksionet teknike të një shërbimi në internet lidhen me funksionet parësore të ofruesit të këtij shërbimi të tipit biznes, informacion, lehtësim, ndërmjetësim etj.  Funksionet e një shërbimi të një shoqërie informacioni janë të shumta, por dy të parat, të cilat po i radhis sipas prioritetit, janë: (i) informimi dhe (ii) biznesi. Që të dyja këto ofrohen në mënyra të ndryshme të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe të ndihmuara nga aplikimi i sistemit më të mirë për të përmbushur funksionin (qëllimin).
E ndërsa funksioni i dytë (të bërit biznes) u nënshtrohet rregullave të biznesit, funksioni i parë, ai i informimit, për një shoqëri informacioni mbrohet gjerësisht nga koncepti i lirisë së shprehjes. Dimë që neni 10 i Konventës Europiane – Liria e shprehjes parashikon se: “Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione ose ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë…”. Nga ana tjetër, dimë që nenet 6 dhe 8 të po kësaj konvente sjellin rregullime të të drejtave të tjera të lidhura me personin, duke kristalizuar në akt juridik parimin e vjetër se të drejtat e tua përfundojnë aty ku të miat fillojnë. Konventa, por dhe aktet e tjera ligjore parashikojnë shprehimisht të drejtat themelore dhe rastet eksplicite të kufizimit të tyre. Paragrafi i dytë i nenit 10 shprehet se: “Ushtrimi i këtyre lirive… mund t’u nënshtrohet disa formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara nga ligji dhe që, në një shoqëri demokratike, përbëjnë masa të nevojshme…, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve…”
Në përputhje me lirinë e shprehjes, çdo organ mediatik ka të drejtën (nënkupto dhe detyrimin) që të publikojë informacione duke përfshirë fakte, rrethana, vlerësime apo mendimet e lira të individëve ndaj një çështjeje me interes publik. Është e rëndësishme të përmendet se ky funksion i medias duhet të ushtrohet pa dallime dhe pa diskriminime në shoqërinë e lirë demokratike. Legjislacionet e vendeve të ndryshme kanë parashikuar përgjegjësinë rast pas rasti të medias në cenimin e të drejtave të të tjerëve (shih Kushtetuta e RSH-së neni 17, Kodi Penal nenet 119 e vijues, Kodi Civil 650 e vijues).
Ka më shumë se 10 vjet që roli dhe funksioni i medias është përsosur duke përqasur dhe teknologjitë e reja dhe duke sjellë forma të ndryshme të operimit të saj si media në internet apo media sociale.  Kostot e teknologjitë e shtëpive botuese dhe proceset e faqosjes apo printimit janë zëvendësuar nga sisteme mirëmbajtjeje, hostimi, shpërndarjeje, marrësi apo pritësi. Zëvendësimi i teknologjisë përkoi me dy kërkesa të kohës së sotme: së pari, përditësimi i legjislacionit në fushën e medias dhe, së dyti, përcaktimi i përgjegjësive kryesore të ofruesve të shërbimeve mediatike në varësi të sistemit të shërbimit dhe funksioneve që ka ky sistem.
Sistemet e portaleve të medias ofrojnë informacion në ndarje të veçanta, duke dhënë një pasqyrim të hollësishëm të dritareve të lajmit, reklamës apo dhe pjesëmarrjes së publikut për çështje të caktuara. Shpesh pjesa (dritarja) e lajmit, opinioneve është në faqen kryesore, ndërsa pjesa e komenteve vjen pas çdo artikulli të lexueshëm në një nëndritare. Në rastin e dritareve të informimit, përgjegjësia e medias është qartësisht e përcaktueshme (në referencë të legjislacionit dhe praktikës mbi lirinë e shprehjes). Dritaret e komenteve, që sipas sistemeve të ndryshme kanë më shumë se një marrës e dërgues, janë pjesë e verifikimit dhe vlerësimit sipas parashikimeve të mere conduit.
Është vetë media që, në përmbushje të funksioneve të saj, duhet të përzgjedhë rregullat që kërkon të aplikojë dhe sistemet mbi bazën e të cilave ofron shërbimin si shoqëri informacioni. Sistemi dhe rregulli shkojnë bashkë. Është era e bashkëpunimit të juristit dhe stafit IT. Çdo ofrues shërbimi, përpara se të përzgjedhë mënyrën e ofrimit të shërbimit, duhet të konsultohet gjerësisht me juristin dhe stafin IT.
Në rastin Delfi vs. Estoni, një nga mësimet që mund të nxirren, do të ishte që media të përcaktojë të qartë përgjegjësinë në rastin e redaktimit të opinioneve të shkruara dhe përgjegjësinë në rastin e zgjerimit të lirisë së shprehjes për publikun me anë të komenteve. Natyrshëm lind pyetja: A do të ishte e mundur që portalet online të mediave të funksionojë me forma të ngjashme të sistemeve si operatorët e komunikimit Vodafone, AMC etj. të cilat transmetojnë mesazhe pa i redaktuar ato, apo si ofruesit e internetit Google, Yahoo etj., të cilat funksionojnë dhe si mbajtëse e postuese informacioni. Redaktimi i opinioneve (të shkruara me një autor) është deri në atë masë sa pranohet kritika, e ndryshme nga editimi (redaktimi) i komenteve që duhet të shërbejë pa limituar lirinë e publikut për t‘u shprehur. Në çdo rast për median është e këshillueshme që të përcaktojë qartë rregullat e shërbimit të informacionit online nëpërmjet komenteve të publikut në blogje.
Deri atëherë do të ngrihen dhe pyetje të tjera, si: a do ishte më mirë që në funksion të lirisë së shprehjes, përgjegjësia e medias për të botuar një opinion të një autori të caktuar të jetë e ndryshme nga përgjegjësia për botimin e komenteve të publikut nëpërmjet shpalljes së dritares së komenteve të publikut si tërësisht në përdorim e përgjegjësi të publikut dhe çfarë parametrash do të duhet të ketë një sistem për ta ofruar këtë shërbim.
Deri atëherë, legjislacionet e vendeve duhet të marrin masa të menjëhershme për të siguruar lirinë e çdo portali lajmesh, ndaj një përgjegjësie të mundshme për komentet e publikut dhe se opinionet e lira të individit e forcojnë më shume demokracinë e një vendi. Dhe deri atëherë debati juridik, brenda apo jashtë gjykatës, si dhe të drejtat e medias duhet të marrin një trajtë, sepse audemus jura nostra defendere – guxojmë për të mbrojtur të drejtat.
*Ish-zëvendësministre e Drejtësisë dhe anëtare e rrjetit ndërkombëtar të avokatëve të medias

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura