Stina e “gjyqeve” kundër Kadaresë dhe Skënderbeut

Aug 18, 2017 | 12:00
SHPËRNDAJE

ndue dedajNDUE DEDAJ

Sikur të mos mjaftonin zjar ret, që më shumë se kurrë iu afruan qendrave të banuara këtë verë, po përcëllohemi përditë dhe nga “flakët” e debateve tona përherë të ndezura. Sidomos në rrjetet sociale, pa kurrfarë etike dhe me një shqipe të mangët e agresive. Por dhe në faqe të tëra gazetash, me hidh e prit. Si është e mundur që ndodh kështu? Nuk e shtymë dhe një verë pa “gjyqin” e Kadaresë.

Verë, as dimër. Ama gjithë dosierët e arkivave në adresë të tij, përfshi dhe këta të javëve të fundit, me shkas nga një letër e shkrimtarit drejtuar E. Hoxhës aty kah 1980-a, vetëm sa e kanë përforcuar faktin se me Kadarenë është marrë e gjithë nomenklatura e djeshme, gjatë gjithë kohës, në të gjitha kanalet zyrtare, të dukshme e të padukshme. Edhe në rastin e letrës së mësipërme janë përshirë të gjithë, nga sekretari i Parë i KQ, Kryeministri, zv.kryeministri, ministrja e Arsimit dhe Kulturës, disa zv.ministra, ambasadorë etj.

Merret me mend se pas këtij tensioni që përshkonte herë pas here kancelarinë shqiptare ishte frika nga Franca, jehona ndërkombëtare e shkrimtarit dhe jo ndonjë dashuri e zyrave të larta për Kadarenë, të cilit dhe pas dhjetë vitesh që vepra e tij ishte përkthyer në gjuhët kryesore të Europës, i refuzohej viza për të shkuar në Paris për punë, siç ishte rasti i diskutimit për skenarin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Dihej që atij regjimi i interesonte thjesht propaganda e vetes jashtë dhe Ismail Kadare ishte i vetmi përjashtim, ngaqë i kishte kapërcyer përmasat e vetë shtetit. Nuk mund të thuhet ndryshe kur në burgje e internime ishin ende Musine Kokakari, Mehmet Myftiu etj.

Korrespondenca zyrtare e Tiranës tregon se Kadaresë nuk i lejohej nga qeveria e vendit të tij të takohej me personalitete të larta, përfshi dhe Presidentin francez, le pastaj të dekorohej nga “borgjezia”, bile as të shkruante artikuj në shtypin e huaj. Një aparat i tërë shtetëror këtu punonte mbi shkresa e protokolle për ta mbajtur nën kontroll jehonën e Kadaresë jashtë. Kadare i mbijetoi regjimit me statusin e shkrimtarit të njohur botërisht, në mënyrën e tij, që nuk ishte as disidencë e shpallur e as afrim me diktaturën. Por nuk dëshirojmë të zgjatemi me këtë diskurs mbi shkrimtarin, të cilin me siguri që e bezdis si sulmi, si “apologjia” ndaj tij.

Në debate të tilla mediatike, me pak argumente e shumë nervozitet, problemi nuk është Kadare, as personalitete të tjera publike që i “turbullojnë” ujërat, por mjedisi ynë social i etur për luftë virtuale, që ku ta gjejë një “njollë” te VIP-at për t’i fshikulluar vendçe. Se ja ku na doli dhe Mustafa Nano.

Ç’i duhej atij t’i thoshte serbe Vojsavës, nënës së Skënderbeut, a thua se me këtë pohim rebel të publicistit të njohur do të binte kështjella jonë skënderbegiane? Faji i tij është guximi intelektual për të rilevuar, apo dhe “provokuar”, në disa terrene kulturore thuajse tabu, kur shumë gjëra nuk mund të shihen më me romantizëm dhe të mbulohen me patetizëm kombëtar. Nano është një autor që eksploron në të shkuarën, por i mbështetur dukshëm në burime arkivore e literaturë të zgjedhur.

Ai i lexon dhe rilexon autorët pararendës të vendit dhe të huaj dhe nuk tjerr muhabete kafenesh si disa individë leximesh të përcipta. Si i tillë, nuk ka pse të kryqëzohet për penën e tij dhe as Skënderbeu nuk ka nevojë për ndonjë “apologji” të dytë. Nuk është më koha e përballjes së Frang Bardhit me boshnjakun Tomko Marnaviç për origjinën e Heroit tonë Kombëtar. Me zotin Nano mund të debatohet rreth ideve të tij, me argumente, por jo të akuzohet si “renegat”, “tradhtar”, që na paska bërë atë që nuk na e kanë bërë as serbët dhe grekët?!

Duhet pranuar që Mustafa Nano është një autoritet i publicistikës shqiptare bashkëkohore, përmes artikujve, debateve televizive, intervistave dhe autor i një qasjeje tjetër në rrafshin e polemikave historike, jo aq e hasur në letrat tona. Në proceset apo ngjarjet historike ai nuk sheh individët, por dukuritë. Nuk i merr gjërat domosdoshmërisht më të mirë, por ashtu siç janë. Kjo do të ishte për t’u përgëzuar dhe jo për ta kryqëzuar, më e pakta që në sprovat e tij studimore nuk imiton askënd nga paraardhësit. Se nuk “gabuan” vetëm Kastriotët me martesat me gra të huaja, më së shumti serbe.

Filli i mëkatit u zgjat plot pesë shekuj dhe erdhi deri te Mbreti Zog, që u martua me hungarezen e bukur Geraldina, edhe pse i rrethuar nga jo pak bukuroshe shqiptare të shkolluara në Perëndim. Edhe i biri, Leka I, nuk u martua me shqiptare, por me Suzanën e lindur në Australi me origjinë irlandeze, çka e “korrigjoi” vetëm Leka i ri, i cili u martua me princeshën Elia Zaharia me origjinë nga Përmeti. Si e ngatërruar kjo puna e martesës së mbretërve me të huaja dhe jo vetëm e atyre.

Martesat me sllavet i kemi pasur për zemër, sidomos në kohën e miqësisë me sovjetikët në vitet ’60. Ka disa personalitete të njohura, që mbajnë dhe titullin “Nderi i Kombit”, të cilët gratë i kishin ruse, si Dritëro Agolli (gruan e parë), Avni Mula etj., apo serbe si Bekim Fehmiu, Anton Çeta etj. Nëse gjërat i shohim me realizëm, krushqitë me të huaj/a nuk janë ndonjë sakrilegj kombëtar as sot e kësaj dite. Ne shqiptarët, që i hakërrehemi Mustafait për gjakun dhe gjininë e Gjergj Kastriotit, i kemi sot nipërit e mbesat tona në jo pak raste me kombësi italiane, greke, amerikane, holandeze, belge dhe doemos serbe etj. Vijmë te rasti më i fundit.

E çmonim si një ikonë tenorin e shquar Agim Hushi deri ditën që ai shprehu publikisht një pakënaqësi të veten qytetare ndaj klasës politike të vendit. Mirëpo, ku të lëmë ne! Ia përkthyem aty për aty në mëkat ndaj atdheut dhe u vumë ta kryqëzonim edhe atë. Ia dhamë në lule të ballit. Ai mund të këndonte në opera, por jo të na tregonte neve atdheun?! Na kujtoi për pak Fishtën me atë vargun blasfemues: “Ta marrë vesh gjithë bota mbarë…” Ah, Hushi do të ishte i mirë po të ishte beniamin i PS-së a PD-së, se do ta kishte të paktën një ombrellë, por jo që të mos ia mbajë kalin asnjërës palë.

Kështu zemërata që tenori shprehu për politikën shkaktoi furtunë në rrjetet sociale dhe në media, sa iu desh atij vetë të ndërhynte për të “sqaruar” vetveten para të tjerëve. Ata që e duan atdheun më “shumë” se ai, për çudi, ia njohin vetes të drejtën ta qortojnë artistin, paç- ka se ai i ka dhënë zë Shqipërisë sa dhjetëra diplomatë tanë nëpër botë. Nuk iu lejoka kësaj kategorie të zemërohet me paudhësitë e vendit të tij, në radhë të parë me ato të politikës? Një shkrimtar, një artist, një akademik e ka për detyrë të thërrasë fort kur atdheu braktiset përditë nga shqiptarët e ku të vetmit njerëz të lumtur, që nuk kanë halle mbi supe e brenga sociale, janë politikanët e pasuruar me lekët e shqiptarëve.

As Kadare, as Nano dhe as Hushi nuk e prisnin që papritur të viheshin në qendër të debateve mediatike, këtë verë të thatë. Nuk kishte pse zjarreve të këtij gushti t’u shtoheshin dhe këto “zjarret” pa tym, që vetëm tymojnë, duke mos sjellë asgjë të re në kulturën e debatit. Si mund të ketë debat kur përzihen me të njëjtën gjatësi vale si njerëzit e arkivave, dokumenteve, historisë, si qytetarët e thjeshtë që nuk i përkasin botës akademike.

E djeshmja nuk mund të përdoret për konsumim publik. Ajo është ara ku lërojnë vetëm profesionistët, pa emocione e paragjykime. Do të ndryshonte puna nëse nga arkivat do të dilnin materiale me interes publik, kulturor e historik dhe jo shabllone steriotipe të diktaturës, që dhe po të mos i dije a doje, të mësonin “Demkat” e partisë se si t’i shkruaje. Si mund të kërkoje të zgjidhje një çështje jetike dhe të mos e bëjë kërkesën sipas “kanunit” të partisë në fuqi? Të gjitha kërkesat tona rutinë të asaj kohe në drejtim të institucioneve të vendit për shkollim, punësim, strehim etj., mbylleshin me atë frazën steriotipe “për interesat e partisë dhe popullit nuk kursej as jetën”, që vinte si slogan që nga koha e Luftës.

Dosjet duhen hapur për krimet dhe jo për cingërima të tilla banale të burokracisë. Por kot që rrekemi të ndikojmë te njëlloj publiku që për atdheun ka fjalë të mëdha e punë të vogla. Ndërkohë që Kadare e ka bërë veprën e tij si askush në letrat shqipe, Hushi gjithashtu e ka dhënë shkëlqimin e tij artistik anë e mbanë botës dhe Nano nuk ndalet në “provokimin” e tij me historinë, religjionin etj. Na mbetet vetëm t’i pranojmë siç janë ata e të tjerë, “gjyqin” ua bën koha, jo bashkëkohësia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura