Stilistja Anila Zajmi Katanolli: Si të dukeni bukur për ndërrimin e viteve

Dec 29, 2014 | 15:55
SHPËRNDAJE

Ngjyra, aksesorë dore dhe ndriçim në veshjet e Vitit të Ri
Çfarë sugjeron “AZK” për mënyrën si mund të vishemi në festat e fundvitit. Materialet, aksesorët, ngjyrat dhe prerjet…

Ditë të ngarkuara pune për artisten dhe stilisten Anila Zajmi Katanolli. Nuk ka të bëjë thjesht me faktin se është fundvit dhe atelieja e saj “AZK” duhet të krijojë edhe më shumë veshje, por edhe sepse stilistja ka qenë e angazhuar deri në detaje me kurimin e paraqitjes së gjithë artistëve, prezantuesve dhe të ftuarve në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Vetë stilistja na zbulon më shumë detaje mbi këtë ngjarje, por edhe këshillat e sugjerimet e “AZK” për veshje në këtë ndërrim vitesh.

Ju keni qenë e angazhuar këtë periudhë me kurimin e paraqitjes së të gjithë artistëve dhe pjesëmarrësve në Festivalin e Këngës. Çfarë keni pasur parasysh gjatë kujdesit për paraqitjen e tyre?
Është një punë, që ka si pikësynim të vetëm evidentimin e qëllimit, që është kënga dhe muzika live, duke krijuar me pak elemente veçori për secilin prezantues. Nëse njëra ka prezent ndriçimin si veçori, tjetra është trasgresive e moderne. Vetëm në një moment e kemi lejuar ekstravagancën në zhveshje… Gjithmonë me sens mase, për të balancuar prezantimin korrekt të të gjithës dhe për të bërë të qartë që nuk jemi konservatorë, por të kujdesshëm. Çdo individ është parë si personazh pa imponime, për të kuptuar sa më shumë për vetë artistin, për ta plotësuar tërësinë e prezantimit edhe me anën vizive, pa sforcime të qëllimshme, në natyrshmëri. E gjithë kjo në harmoni me tërësinë e gjithë spektaklit, si një marrëdhënie e përbashkët dhe jo si qëllim në vetvete.
Çfarë do t’u sugjeroni shqiptarëve e veçanërisht grave dhe vajzave për veshjen e festës së Vitit të Ri? Si duhet të ndryshojë ajo nëse festojmë në shtëpi, në restorant apo klub me miqtë?

Veshje nga koleksioni i Krishtlindjes “AZK-2014”
Shqiptarët i vlerësojnë tradicionalisht festat. Në gardërobën e veshjeve tradicionale zë një vend dominant ky prezantim, duke nxjerrë në pah jo vetëm hiret e personit, por edhe vlerat në ar dhe argjend nëpërmjet arturinave që shoqërojnë kostumin. Kështu, kjo traditë sot është e ndërthurur me bashkëkohoren. Zakonisht përgatiten veshje të reja për Krishtlindje dhe Vitin e Ri.
Pra, ju mendoni se është i rëndësishëm edhe shoqërimi me aksesorë i këtyre veshjeve? Çfarë sugjeroni si diçka të veçantë përmes linjës së veshjeve tuaja?
Aksesorë “hand-made”. Janë pasurim i veshjes, kryesisht me materiale të buta, por edhe të tjera me vlerë, që e bëjnë figurën më të pasur në këto raste. Një linjë interesante AZK është edhe ajo e trikotuar, e ndërthurur me lëkurë e detaje të tjera simbolike për ambiente familjare në shtëpi, ndërsa ato më lart për lokale e restorante. Në ambientet e klubeve si një rëndësi e dorës së parë mund të përdoren aksesorët e kokës, vëthë, varëse etj.
Është sërish “e kuqja” ngjyra e preferuar për festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri?
Këto dy festa, njëra fetare, tjetra pagane, kanë të përbashkët ripërtëritjen, rifillimin, kanë të bëjnë me jetën. Kështu që ngjyrat e gjalla apo potente janë gjithmonë simbolike apo kanë kuptim në këto festa: e kuqja, e verdha, bluja, jeshilja etj. Po ashtu edhe dizajnet me figura animaleske, floreale, gjeometrike.
Çfarë do të sugjeroni për sa i përket materialit, prerjeve, stilit etj.?
Veshje nga koleksioni i Krishtlindjes “AZK-2014”
Ngjyra e materiale ekstravagante që shkojnë në unison me ambientin, gurë, xixa, temina, tejdukshmëri sensuale me shifon apo materiale elastike, që evidentojnë linjat e trupit. Ngjyrat fosforeshente mund të jenë prezent, po ashtu e zeza, e arta, e argjendta, apo dantella me ngjyra e të tjera, në prerje kryesisht të shkurtra e komode, për t’u argëtuar. Kurse prerjet e gjata të fustaneve mund të përdoren në lokale luksoze. Ndërsa sugjerojmë forma e prerje amorfe me linja të thjeshta, por edhe futuriste. Materialet që linja “AZK” propozon, janë elegante (kadife me kombinime ngjyrash dhe aplikimesh të ndryshme, pizzo, lëkurë, stofra të holla, shantun).

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura