Stili i palimpsesteve të Moikom Zeqos

Jan 24, 2020 | 10:27
SHPËRNDAJE

VANGJUSH ZIKO 

moikon-zeqo
Moikom Zeqo

Vëmendjen ma tërhoqën dy palimpseste në librin e Moikom Zeqos “Traktati i pikturës së Leonardo da Vinçit”. “Palimpsesti i Gjenezës” dhe “Mes Skillës së Shkencës dhe Karidbës së Artit” janë një model interesant i paraqitjes dhe pozicionimit bashkëkohor ndaj parimeve estetike të Leonardo da Vinçit mbi problemet kardinale të traktatit. Në këto palimpseste të frymëzuara nga mendimet dhe konceptet e Leonardo da Vinçit mbi artin në përgjithësi, autori parashtron pikëpamjet e veta duke polemizuar me ide dhe koncepte të ndryshme historike mbi artin me përfaqësues të ndryshëm të artit, që nga lashtësia edhe në ditët tona.

Fryma polemike është karakteristika kryesore e palimpsesteve të Moikomit. Ai polemizon me mendime të dijetarëve, filozofëve, të shkrimtarëve dhe artistëve të epokave të ndryshme. Në këtë polemikë trajtohen probleme të këndvështrimit mbi natyrën, mbi ekuilibrin midis objektives dhe subjektives, mbi rolin e artit në transformimin e materies natyrale në vepër arti, mbi alibinë krijuese të mrekullisë së supernatyrores ndaj kopjes, mbi formulën bipolare të artit, të së dukshmes ndaj së padukshmes, që mishërohet në portretin e Mona Lizës. Moikomi shtron problemin e mprehtë, dilemën bashkëkohore: të jesh dhe të mos jesh Leonardo da Vinçi. Është koha kur arti u bë abstrakt në atë masë që bota është bërë abstrakte, kur fillesa estetike po bëhet neutrale. Arti kiç ka ngritur problemin e raportit midis njeriut dhe sendit, të njeriut send dhe sendeve, kur mungon pasqyrimi i botës shpirtërore, kur bukurisë njerëzore po i shuhet diadema metafizike dhe Mona Liza. Nuk e di në prek qenien seksuale të një gruaje, apo qenien joseksuale të një sirene. Kodi i artistit mbi vuajtjet e njeriut po zëvendësohet me atë të “vuajtjeve” të sendeve etj., etj.

Dalai Lama ka thënë një përkufizim të veçantë mbi këtë tjetërsim global të botës së sotme: “Njeriu është krijuar për t’u dashuruar dhe sendet për të shërbyer, kurse sot, njeriu është bërë për të shërbyer dhe sendet për t’u dashuruar”. Moikomi ka zgjedhur palimpsestin për të parashtruar mendimet e veta mbi këtë traktat. Palimpsesti është një formë letrare e prozës postmoderne, formë e paraqitjes së mendimeve apo ideve të caktuara të autorit të gërshetuara me ide të të tjerëve si analogji ose si polemikë, apo shtjellim e pasurim më tej të tyre me konceptet e autorit të shkrimit. Këto palimpseste janë një lloj i veçantë i eseistikës postmoderne. Kjo formë është e motivuar edhe fiziologjikisht, si veprimtari intelektuale. Shkenca na thotë se truri i njeriut i ngjan një “palimpsesti kolosal”, një “pergameni”, tek i cili informacioni i regjistruar më parë nuk zhduket pa lënë asnjë gjurmë, informacion i cili, si të thuash, ndriçohet nga informacioni i ri dhe mund të dekodohet kuptimi.

Kjo formë kërkon jo vetëm një erudicion e një bagazh të pasur njohurish dhe diturish, por edhe aftësi të rralla intelektuale, një talent sui generis për ta kompozuar këtë tekst në mënyrë asociative, transtekstor. Forma e palimpsestit që ka zgjedhur Moikomi për ta paraqitur dhe komentuar këtë traktat, është forma më adekuate dhe më shteruese e të kondensuar e vlerësimit, interpretimit dhe komentit bashkëkohor të këtij traktati. Palimpsesti moikomian dëshmon asimilimin e thellë të njohurive parake në fusha të ndryshme të aktivitetit intelektual, por mbi të gjitha, një zhvillim të mëtejshëm, një koncept krejt të vetin, një shtjellim të mëtejshëm linear dhe vertikal të ideve që ka hedhur i madhi Leonardo da Vinçi në këtë traktat.

Do veçoja mbi të gjitha talentin e tij të rrallë për të mos e ngatërruar shijen estetike të krijuesit me logjikën shkencore të filozofit. Një dëshmi e kësaj janë dhe palimpsestet e tij, që qëndrojnë në kufirin e mjegulluar midis krijimtarisë artistike dhe analizës shkencore, midis emocionit dhe logjikës cerebrale. Moikomi, edhe kur analizon një dukuri apo një fenomen konkret, ai e shikon atë me syrin e estetit, duke vënë në dukje jo urtësinë shkencore, por teknikën artistike, shpirtin, jo logjikën. Kam krijuar bindjen se poezia konceptuale dhe palimpsesti i Moikomit janë motër dhe vëlla. “Geni” i tyre krijues është një dhe i përbashkët, një filozofi e përbashkët krijuese, për të na dhënë dy produkte të ndryshme për nga gjinia e tyre, por jo për nga tharmi që i ka ngjizur. Këto janë “botanika aplikative” të të njëjtit mjeshtër. Dualizmi krijues i Moikom Zeqos është trajta më e lartë e krijimtarisë së tij

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura