Stigmatizimi i emigrantëve nga pandemia

Apr 1, 2020 | 14:13
SHPËRNDAJE

emigrantet koronavirusNga Jona Barjaba

Covid-19, ky virus global që na mban brenda shtëpive tona dhe larg nga njëri-tjetri, nuk e dimë se deri kur, pritet të ketë ndryshime në fusha të ndryshme të jetës. Pandemia e koronavirusit pritet të ristrukturojë shoqërinë në mënyra të ndryshme, për më mirë ose më keq, në varësi të këndvështrimeve për çështje të ndryshme globale. Urgjencat shëndetësore janë shkatërruese për të gjitha vendet e botës. Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, njerëzit nëpër Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe rajone të tjera po kufizojnë lëvizjen dhe rritin distancën sociale. Pasojat e këtij shpërthimi pritet të kenë një impakt negativ edhe për migrantët. Askush nuk e di saktësisht se çfarë do të ndodhë. Megjithatë, më poshtë po jap disa parashikime.

Duke kërkuar ndalimin e përhapjes së mëtejshme të koronavirusit, më shumë se 140 vende të botës u detyruan të marrin masa të rrepta, si mbyllja e kufijve, kufizimi i udhëtimeve dhe shtimi i kontrolleve. Në këtë kontekst, presim gjithashtu që politikat mbi migracionin të ashpërsohen.

Në afatshkurtër, këto kufizime lëvizshmërie mund të ilustrohen nga reagimet e fundit të disa shteteve të BE-së ndaj emigrantëve. Politikanët në vendet të ndryshme do të fillojnë të përdorin pandeminë si një justifikim për politikat e rrepta të migracionit. Azilkërkuesit dhe migrantët pritet të fajësohen si mbartës të virusit nga përtej kufijve. Më pak diskutohet për rreziqet e tjerë, njerëzorë, mjedisorë apo teknologjikë.

Shpërthimi aktual rrezikon të prodhojë një rrezik të madh për popullsinë migrante, stigmatizimin. Kemi vërejtur se edhe në të kaluarën, gjatë rënieve ekonomike apo urgjencave shëndetësore dhe epidemive, atdhetarizmi rritet dhe migrantët demonizohen. “Armiqtë” e përbashkët rrisin patriotizmin dhe koronavirusi është një i tillë. Covid-19 do të bashkojë vendasit, por frika e mbartjes së virusit mund të thellojë distancën e tyre nga “të jashtmit”, migrantët. Kështu, mund të kemi një rritje të paragjykimit anti-emigrant, e cila mund të përkthehet edhe në lëvizje apo qëndrime politike.

Në kohën e rënies ekonomike, njerëzit fillojnë të besojnë e pranojnë mitin se migrantët rrëmbejnë punën e vendasve në vendet pritëse. Kjo epidemi do të shkaktojë recesion ekonomik dhe një rritje të fajësimit të migrantëve për rënien e ekonomisë, pagave dhe punësimit vendas. Edhe pse analizat ekonomike japin një arsye të fortë për të besuar ndryshe. Kriza e urgjencës së shëndetit publik, siç është shpërthimi i sëmundjes së koronavirusit, mund të çojë në stigmë sociale ndaj migrantëve, pavarësisht nga vendi nga vijnë. Është e vërtetë që lëvizjet kontribuojnë në përhapjen e virusit, por nuk është e drejtë të shoqërosh një rrezik me një grup specifik të popullatës, kur nuk ka prova që rreziku është më i madh në atë grup sesa në popullatën e përgjithshme. Për më tepër, kur migrantët përbëjnë sot më pak se 3 përqind të popullsisë së botës ose rreth 270 milionë. Për të adresuar çështjen e koronavirusit dhe shpërthimeve të tjera në një mënyrë efektive, politikëbërësit duhet të synojnë politika më gjithëpërfshirëse, më pak strikte dhe më shumë fleksible. Prandaj, nuk ka prova që epidemia të përdoret si justifikim për të bllokuar flukset migratore dhe përhapjen e “ksenofobisë”.

Në terma afatshkurtër, koronavirusi ka nxitur gjithashtu ndjenjat dhe emocionet kundër refugjatëve. Për shkak të problemeve logjistike të shkaktuara nga shpërthimi i epidemisë, zyrtarët qeveritarë në shumë vende kanë ngadalësuar dhe ndalur pranimet e refugjatëve. Ka të ngjarë që pandemia të përdoret për qëllime politike dhe të vendosen ligje dhe rregulla të ashpra për refugjatët. Azilkërkuesit do të marrin më pak shërbime dhe ndoshta një numër më i vogël prej tyre do të marrin statusin e refugjatit.

Prurjet e migracionit nga vendet e varfëra në vendet e pasura, veçanërisht flukset e migrantëve të përkohshëm dhe të parregullt, pritet të ulen. Sidoqoftë, flukset e emigrimit të shqiptarëve mund të marrin një drejtim tjetër. Migrimi ndikohet nga kushtet në të dy vendet,  dërguese dhe pritëse. Por, historia tregon se rrethanat në vendet pritëse, pra faktorët tërheqës, kanë më shumë rëndësi gjatë krizave ekonomike. Në rastin e Shqipërisë, e cila vazhdon të jetë një vend dërgues, mund të presim një ulje të fluksit të emigrimit të jashtëm. Gjithashtu, duhet të kemi parasysh se Shqipëria është një vend me një varësi të lartë nga dërgesat e migrantëve, rreth 10 përqind e PBB-së së saj në 2018-ën. Në këto rrethana, një rënie në nivelin e dërgesave nga migrantët aktualë, mund të shtyjë më shumë njerëz të largohen nga Shqipëria për të mbështetur familjet e tyre.

Është shumë herët për të nxjerrë përfundime mbi ndikimin e koronavirusit në flukset e migracionit dhe për përdorimin e numrave për të parashikuar nëse njerëzit kanë më pak ose më shumë të ngjarë të migrojnë ose të kthehen për shkak të kësaj pandemie. Sidoqoftë, emergjenca aktuale na kujton ngjarje të tilla si kriza financiare e vitit 2008. Ekonomistët prashikojnë se kjo pandemi pritet të shkaktojë një recesion ekonomik dhe potencialisht të ndryshojë kontekstin për migracionin ndërkombëtar. Pasojat e koronavirusit ka të ngjarë të përfshijnë politika e kontrolle më të rrepta të migracionit në terma afatgjatë. A do të shkaktojë një kthim në mendësi prej 180 gradësh? A do të qëndrojnë kombet të mbyllura? Pritet të shohim disa ndryshime në hartimin e politikave të vendeve kryesore pritëse. Megjithatë, në cilindo skenar që të ndodhë, emigrantët  duhet të trajtohen me dinjitet. Të drejtat e tyre njerëzore duhet të respektohen, megjithë vështirësitë që të gjithë po kalojmë gjatë kësaj periudhe dhe në vitet që vijnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura