Stërvitje deri në mesnatë, Konte e nis me Eriksenin. Danezi shans për të qenë titullar ndaj Lacios

Feb 14, 2020 | 14:28
SHPËRNDAJE

Kur ishte thuajse ora njëmbëdhjetë e natës, kur edhe tifozi i fundit interist kishte dalë nga “San Siro”, në mesin e fushës Erikseni ishte i angazhuar me sprinte prej 30 metrash. Jo vetëm ai, normalisht, që nisej pas çdo vërshëllime të përgatitësit Pintus, ndodhej i gjithë stoli, edhe rezerva tjetër Sançez. Ndërsa D’Ambrozio, i aktivizuar 20 minuta përpara danezit, jo.

eRIKSEN

Kristian po, i detyruar nga programi, nga i cili nuk shpëtojnë as yjet. Megjithatë, ndikon edhe dëshira për të mos humbur kohë tjetër, pasi çdo rast është i mirë për ta stërvitur, çdo seancë është e nevojshme për ta integruar në këtë Inter. Sepse, nuk mund të zgjasë gjatë ky rol i “rezervës”. Të mërkurën në mbrëmje në atë gjysmë ore në fushë gjërat u dukën të qarta: Eriksen ka diçka më shumë se të tjerët, mund të japë më shumë, mund ta ngjisë një shkallë më lart këtë skuadër. Me siguri nuk ishte e nevojshme një humbje kundër Napolit për ta zbuluar, por lojtarët duhen parë gjithmonë në ambientet e reja, në situata të reja.

eRIKSEN KONTE

PËRSHTATJE – Eriksen është një lojtar klasi, elegant, “vallëzonte” në fushë, pavarësisht se hapësirat ishin të reduktuara dhe Napoli i sigurt me golin e avantazhit. Në ato 23 minuta plus shtesë regjistroi dy goditje të rrezikshme, dy harkime të sakta, dy krosime në destinacion, një pasim perfekt për Sançezin. Kiliani nuk arriti ta përfundonte “veprën”, nuk u koordinua mirë për goditjen, por aksioni tregoi atë potencial për të hapur edhe mbrojtjet më të mbyllura, kur nuk funksionojnë lëvizjet e Lukakut apo Lautaros.

Më pas, sigurisht, duhet gjetur edhe mënyra për të qenë efikasë si në fazën me, po ashtu edhe pa top. Këtu shërben angazhimi i Kristianit dhe vërshëllimat e Pintusit. Dëshira duket qartë, u pa edhe në fushë në disa momente presingu: publiku do ta ketë vënë re, Konte do të ketë marrë shënime. E nuk është rasti as ta ndryshojë si lojtar. Me Poçetinon danezi edhe si fantazist rikthehej në mesfushë për të prekur shumë topa. Madje, edhe për t’ua marrë të tjerëve, në disa raste. Nuk duhet ndryshuar, mjafton të përshtatet. Momenti nuk është nga më të lehtët për ta bërë, me sfidën kundër Lacios fizike që po afron. Megjithatë, Konte do të përpiqet shumë shpejt.

Inter

ME LACION – “Nuk e aktivizova që në fillim sepse mendova se do të kishte disa vështirësi taktike, por edhe fizike. Për gjashtë muaj Kristiani nuk ka luajtur shumë te Totenhemi, duhet të gjejë intensitetin”, u shpreh trajneri zikaltër pas humbjes me Napolin, i pyetur nga gazetarët lidhur me blerjen e janarit, duke shpjeguar se përse nuk e përfshiu në 11-she. Në prag të derbit danezi mendohej se do të ishte titullar në rolin e fantazistit pas Lukakut, në mungesë të Lautaros së skualifikuar, por Konte i besoi sërish modulit me dy sulmues. Megjithatë, “çifti” Lukaku-Sançez nuk shkëlqeu. Mendoi sërish Eriksen ta zgjonte Interin dhe të gjente hapësirat që mungonin. A do të ketë shansin e tij nga minuta e parë me Lacion?

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura