STATUTI/ Votimi për presidentin e FSHF, ja se si sekretari i Përgjithshëm mund të bëhet… faktor

Jan 14, 2018 | 17:22
SHPËRNDAJE

Asambleja e FSHF-së ka 66 anëtarë dhe duke qenë një numër çift, ekziston mundësia që në një garë me dy kandidatë të ketë rezultat të barabartë. Në këtë rast, “Panorama Sport”, me një vëzhgim mbi Statutin e FSHF-së, sjell edhe versionin se si mund të përcaktohet kreu i ri i institucionit të futbollit, në rast se do të ketë një balancë totale mes presidentit aktual Armand Duka dhe mes kandidatit tjetër zyrtar, Bashkim Fino.

Asambleja FSHF

ZGJEDHJET

Në nenin 30 të Statutit të FSHF-së, i cili korrespondon për zgjedhjet, përcaktohet mënyra e tyre që në pikën 1 ku thuhet: “Zgjedhjet bëhen në mënyrë të fshehtë. Në qoftë se numri i kandidatëve është i barabartë me numrin vakant, zgjedhjet mund të bëhen duke ngritur dorën”. Por, në këtë rast, numri i kandidatëve zyrtar deri më tani është dy, ndaj përcaktimi i mënyrës së votimit në zgjedhje saktësohet në pikën 3 të këtij neni.

Asambleja-zgjedhore-e-FSHF-se-Foto-Agim-Dobi-1-400x266

PRESIDENTI

Procedura e votimit në zgjedhje është e tillë që kandidati për president që fiton 2/ 3-at e votave, pra 44, në raundin e parë të votimit, fiton garën për president. “Gjatë zgjedhjes së parë, Presidenti ka nevojë për 2/3-ën e votave të vlefshme me qëllim që të zgjidhet sipas rregullave”, thuhet në krye në pikën tre të nenit 30. Mirëpo, gara vijon në rast se një numër i tillë votash nuk arrihet nga asnjë prej kandidatëve.

“Në rastet kur asnjë nga kandidatët nuk arrin këtë shumicë, bëhet një raund i dytë zgjedhjesh midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në raundin e parë. Në raundin e dytë, kandidati që merr më shumë vota, zgjidhet president. Në rastet e votave të barabarta, votimi do të përsëritet”, vijon shpjegimi i pikës së tretë për mënyrën e votimit dhe numrit të nevojshëm të votave për cilindo kandidat për të fituar mandatin e presidentit.

BARAZIA EKSTREME

Mirëpo, në rast se do të ketë barazi ekstreme edhe pas këtyre raundesh votimi, kandidatët për president janë në dorë të… Ilir Shulkut. Sekretari i përgjithshëm është i caktuari në statut që mund të përzgjedhë presidentin e ri të FSHF-së, në rast se kreu i institucionit nuk është përzgjedhur as në raundin e parë dhe as në raundin e dytë të përsëritur. Pra, në rast se presidenti aktual Armand Duka dhe deputeti Bashkim Fino do të marrin një numër të barabartë votash, nga 33, atëherë presidenti i FSHF-së zgjidhet me short.

Është Sekretari i Përgjithshëm që e përzgjedh. “Në qoftë se edhe votimi i dytë përfundon me rezultat të barabartë, vendimi merret nëpërmjet hedhjes së shortit nga Sekretari i Përgjithshëm dhe monitoruar nga Komisioni i Verifikimit”, vijon shpjegimi i pikës tre në nenin 30 të Statutit. Si Duka dhe si Fino, në rast se do të kenë një forcë të barabartë deri në ekstrem gjatë procesit të votimit, atëherë Sekretari i përgjithshëm në detyrë, Ilir Shulku, do të jetë personi që zgjedh fatin e kreut të institucionit të futbollit për katër vite…

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura