Statuti i ri i PD, harrohet propozimi i Bashës për zgjedhjen e kryetarit çdo 2 vjet. Zbulohen prapaskenat për deklaratat e Topallit

Apr 20, 2018 | 16:54
SHPËRNDAJE

Juxhin Mustafaraj/ Partia Demokratike do të mbledhë sot Këshillin Kombëtar, në të cilin do të miratojë edhe draft-statutin që do të votohet në Kuvendin Kombëtar.

Por pas debateve të brendshme në grupin politik për çështjen e ndryshimeve statutuore dhe kryesinë e PD, çështja e mandatit të kryetarit ka ngelur e pandryshuar.

basha dhje topalli

Pavarësisht propozimeve për kufizimin e mandatit të kryetarit, grupi ka vendosur për të mos shtuar një nen për këtë çështje.

“Panorama” ka mësuar se një nga arsyet më të forta politike sipas grupit të punës është mungesa e një standardi etik nga rivalët brenda partisë për t’u vetëpërmbajtur në garën e brendshme, duke sjellë kosto për partinë.

Burime të “Panorama”, bëjnë me dije se gjatë diskutimeve në grupin e punës është sjellë në vëmendje për këtë rast deklarata e ish-nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli, pak ditë më parë kur tha se:

“Më parë duhet rrëzuar Lulzim Basha në PD e më pas kreu i qeverisë, Edi Rama”.

Gjithashtu, grupi i punës ka theksuar se në statutin e PD-së ekzistojnë instrumentet nëse një pjesë e anëtarësisë dëshiron shkarkimin e kryetarit dhe mund të ndërmerret në çdo rast nëse është e nevojshme.

Gjithashtu në statut nuk është vendosur as një propozim i hershëm i Bashës për zgjedhje çdo dy vjet për kryetarin e partisë.

“Jam i lumtur që ne jemi të gjithë të vetëdijshëm dhe të vendosur për hapat që duhet të hedhim. Për hapjen, për lirinë dhe demokracinë e brendshme, për mundësitë që duhet të jenë të çdo anëtari dhe jo vetëm të një grushti drejtuesish. Ne do të krijojmë mundësitë për konkurrencën e alternativave brenda partisë. Ne do të shkurtojmë kohëzgjatjen e mandatit të kryetarit dhe drejtuesve në dy vjet. Në këtë mënyrë, çdokush që ka një vizion apo një alternativë tjetër, do të ketë mundësinë të konkurrojë që vizioni i tij apo i saj të bëhet vizioni i partisë” , deklaroi Basha në 26 vjetorin e PD.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura