Statusi i veteranit dhe mirënjohja për xhelatët

Dec 17, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

piro-ahmetajPIRO AHMETAJ

Statusi i veteranit është vër tetimi i të gjithë listës  së pjesëmarrësve në formacionet luftarake dhe mbështetëse të Luftës Nacional-Çlirimtare (70.000 sipas propagandës së Hoxhës).

Pra, është një proces tërësisht teknik, një listë-inventar, që certifikon çdo pjesëmarrës, pa dallim feje (dhe të pafeve), bindje, krahine dhe ideje në këtë luftë. Për ta bërë më të thjeshtë, statusi i veteranit është njësoj ashtu si statusi-memorie i librit të Roland QAFOKUT, të kryeministrave (nga Ismail Qemali – te Rama) që kanë drejtuar Shqipërinë në 103 vjet shtet, pavarësisht se si e kanë drejtuar!

Kështu, një lloj statusi që vërteton se në periudhën nga kjo kohë deri në këtë kohë, ke shërbyer në një organizatë/strukturë të caktuar (inxhinier, ushtarak, minator, mjek etj.), mbështetur në dokumente zyrtare që e provojnë këtë. Ndërsa dekorimi nuk është aspak një proces teknik, por proces vlerësimi dhe vendimmarrjeje kritike për të identifikuar dhe dekoruar (“shprehjen e mirënjohjes së qeverisë shqiptare në rastin konkret”!) për personazhe që kanë kontribuar më shumë ose që kanë bërë sakrifica sublime të dallueshme nga të tjerët?!

Në rastin konkret, përtej propagandës – nuk u është dhënë dekoratë mirënjohjeje (70 mijë luftëtarëve, pa u marrë me shifrën sa e vërtetë është) – por një liste të selektuar nga Qeveria për t’u shprehur mirënjohjen!!?? Kështu, qasja propagandistike e Kryeministrit mbështetur në letrat pa vlerë të Kodhelit, indinjon qytetarët (të gjallët), irriton me të drejtë të vuajturit dhe lëndon të vdekurit.

Parë në këtë këndvështrim, po paraqes disa konsiderata për qasjen e Kryeministrit për sa rastin në fjalë: Së pari, përtej emrave të përveçëm të xhelatëve të dekoruar dhe nëse është një apo janë më shumë se 30 xhelatë në listë – Kryeministri mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për qasjen me festimet-propagandistike në festën e 70-vjetorit të çlirimit dhe jo vetëm.

Fatkeqësisht, kjo qasje e Qeverise është demonstruar, me shallin e kuq-sovjetik, përkuljen para statujave, parakalimet me portretin e diktatorit-monstër dhe dollitë për “udhëheqësit legjendarë…”!. Në opinionin tim, pavarësisht se këto qëndrime u faturohen ca “të rrjedhurve…”, kjo qasje u konfirmua nga Qeveria dhe u inspirua nga fosilet e ish-Bllokut dhe Sigurimi Kriminal i Shtetit, që siç e përcakton Kadareja: “Monstra më e madhe që ka pjellë gjer më sot kombi shqiptar!”.

Së dyti, pse ky debat – 12 muaj mbas celebrimit të kësaj ngjarjeje? Kjo është një arsye që i shton përgjegjësinë Kryeministrit, i cili në vend të udhëheqë paqen sociale (jo militantët), e heqin zvarrë proceset duke u diskretituar në sytë e shqiptarëve.

E vërteta është se më shumë se 12 muaj më parë, Qeveria Rama – e turpëroi protokollin e shtetit gjatë festimeve të 70-vjetorit të “çlirimit”, duke u dhënë këtyre ngjarjeve dimensionin e Festave të Ushtrisë së Kuqe (dekorimi te Vito KAPO dhe një liste me ish-oficerë/xhelatë/ hetues të shërbimit kriminal të shtetit), deri dhe selektimit biografik i pjesëmarrësve/ftesave, duke mos ftuar në këtë ceremoni as Komandantin e Përgjithshëm, përfaqësues të Opozitës, – ndërkohë që Kodheli me arrogancën karakteristike nuk iu përgjigj kërkesave të përsëritura të Presidentit për t’u informuar:

“Përmbledhje zyrtare rreth praktikës së festimeve, audiencës së ftuar, kritereve të dekorimeve, listën e dekorimeve, motivacionet etj., me rastin e 70-vjetorit të çlirimit”!! Së treti, nëse e dinte apo nuk e dinte i “madhi fare… “

– Kryeministri, e diskrediton atë më keq se papërgjegjshmëria dhe qasja e letrave pa vlerë të Kodhelit? Kjo pasi, para një viti, debati ka qenë publik me dekorimin e Vito KAPOS (!), e shumë shpërdoruara nga monstra Hoxha, në luftën ndaj grupeve armiqësore! Përtej kësaj, “në biblën universale të pashkruar të shtetarëve”, udhëheqësi, në rastin konkret Kryeministri, mban përgjegjësi edhe nëse ka apo s’ka pasur dijeni njësoj, për ato që bëjnë gabim dhe ato që nuk bëjnë mirë.

Kështu po vijon “të mos ketë dijeni dhe përgjegjësi” për listën e deputetëve në Kuvend me: ish-hetues; ish-drejtues dege të Sigurimit kriminal të shtetit deri në ’92; për vrasësit, banditët; për ministrat, ambasadorët, zyrtarët e lartë bij/dhëndurë/nipër të byrosë dhe Sigurimit famëkeq, dhe më tej me të drejtë nga qytetarët shtrohet pyetja:

Kjo monstërpolitikanësh, si këta që na garantoi me krenari kryerilindasi-Rama “se do t’i zgjedhë prapë”, do të bëjnë reforma në drejtësi, dekriminalizim, do ta nxjerrin Shqipërinë nga kthetrat e mafies, korrupsionit, pasojat e “qeverisjes së dështuar” – mos u tallni me veten, se shqiptarëve u jeni neveritur! Së katërti, pse u bë i zjarrtë debati kur në listë u demaskua xhelati i At Zef Pllumit dhe profesor Sami Repishtit, është rrethanë rënduese që tregon papërgjegjshmërinë kritike të Kryeministrit.

Në përulësi të vlerave dhe me mirënjohje ndaj kontributit të dy personaliteteve të sipërpërmendura, gjykoj se fokusimi i debatit shtetar, politik dhe publik te këto dy figura, nuk u shton gjë personazheve të respektuara, por diskrediton edhe më shumë sjelljen e Kryeministrit.

Kjo pasi, në listë ka edhe xhelatë të tjerë që kanë dhunuar edhe më barbarisht se xhelati në fjale, qytetarë/ zyrtarë të zakonshëm (që i varrosnin të gjallë viktimat/qytetarët/kundërshtarët dhe këndonin lule, sofo lule djalë…) dhe kështu përgjegjësia dhe mëkati është njësoj, edhe pse viktimave apo xhelatëve nuk ua di emrin Kryeministri i dalldisur nga paranojat. Së fundmi, për qasjen “fajin e ka Saliu”, është demonstrimi më banal i paaftësisë për t’u përballur si shtetar me sfidat, por edhe verbërisë nga pushteti dhe urrejtja klasore!

Nga ana tjetër, gjykoj se opozita duhet të ngrihet mbi nivelin e debatit propagandistik Rama&Kodheli&Co, dhe te kërkojë hetim parlamentar, duke u paraqitur shqiptarëve pamjen e plotë të këtij akti të turpshëm (numrin, emrat e xhelatëve, propozuesit etj.), duke kontribuar me përgjegjshmëri për të mjekuar plagët, restauruar kohezionin dhe paqen sociale ndërmjet qytetareve të stërmunduar, dhe për ta nxjerrë shoqërinë nga ky debat me ndasi ekstreme.

Si përfundim, shpresoj të njihet nga opinioni i gjerë fakti se, në shumicën dërrmuese të vendeve të pushtuara&sunduara nga djajtë e kuq, u aplikua dënimi i krimeve të komunizmit, i personazheve/aktorëve të kohës, përfshi protagonistët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit famëkeq.

Ndoshta Shqipërisë, në rrethanat e një vend të vogël, iu imponua një model tjetër, por mësimi i përbotshëm i historisë është se ngjarjet/modelet që lihen në harresë, që nuk dënohen, rrezikojnë të përsëriten.

*Gjeneral në rezervë, ish-Këshilltar i Presidentit dhe përfaqësues Ushtarak Kombëtar në Komandën Supreme të NATO-s

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura