Statistikat, në 9 muaj ekonomia u rrit me 3%

Jan 12, 2016 | 14:31
SHPËRNDAJE

Instituti i Statistikave prodhimin e brendshëm bruto për 2015-n e ka vlerësuar me rritje 2.98%. Bëhet fjalë për 9 muajt e parë të vitit, ka mbetur ende pa u llogaritur edhe 3-mujori i fundit. Rritja ekonomike me 3 për qind fillimisht u parashikua edhe nga Banka Botërore. Por në rivlerësimet që ajo u bëri indikatorëve të ekonomisë, rritja ekonomike u vlerësua me 2.7%.

Ministria e Ekonomisë
Ministria e Ekonomisë

Krahasuar me periudhat e mëparshme, Instituti i Statistikave ka publikuar në 3-mujorin e parë të 2015-s rritjen ekonomike me 2.24% dhe në 3-mujorin e dytë me 2.96%. Për 9-mujorin e 2015- s statistikat shfaqen më optimiste. Sipas tyre, kontributi kryesor për rritjen ekonomike me 3 për qind është dhënë nga sektori i ndërtimit dhe i aktiviteteve profesionale, kurse bujqësia ka shënuar ulje.

Rritja ekonomike ka ardhur me kontributin më të madh që i është bërë nga sektori i ndërtimit me 1.45%. Kujtojmë që 9-mujori është fundi i vitit buxhetor ku kryhen dhe punët publike. Prodhimi i brendshëm bruto është rritur me kontributin e sektorit të ndërtimit me 1.45%. Pas tyre janë renditur aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative, apo siç njihen call center, me 0.53%. Ajo që bie në sy është sektori i bujqësisë, ku për 2015-n prodhimi bujqësor ka shënuar rënie me 1.17% krahasuar me 3 muajt e mëparshëm.

Për këtë periudhë ky sektor ka dhënë kontribut negativ për rritjen ekonomike me 0.28%. Krahasuar me të njëjtën periudhë të më- parshme, rënie kanë shënuar aktivitetet financiare dhe sigurimet me 2.63%. Edhe shpenzimet për argëtim dhe art kanë shënuar rënie me 3.34%.

Në degët që kontribuuan negativisht në rritjen ekonomike kanë qenë edhe taksat neto mbi produktet me 0.02%, pyjet dhe peshkimi me 0.28%, shërbimet e tjera me 0.06%. Duke marrë në analizë me radhë sektorët e ekonomisë për kapacitetet e tyre prodhuese, sektori i arsimit dhe shëndetësia u rritën me 0.51%, pasuritë e paluajtshme me 0.32%, tregti hotele, restorante dhe transporti me 0.25%, informacioni dhe komunikacioni me 0.19% dhe industria, energjia, uji me 0.14%.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura