Statistikat e ekonomisë tregojnë një trend të qartë rritës/ Ministrja Denaj përmbyll takimet me Misionin e FMN-së

Jun 11, 2021 | 18:40
SHPËRNDAJE

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Znj. Denaj të premten diskutoi me Fondin Monetar Ndërkombëtar procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare, në takimin përmbyllës me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Znj. Yan Sun.

anila denaj

Ecuria tërësore e financave publike ka vijuar të qëndrojë brenda parashikimeve të bëra nga Qeveria Shqiptare për këtë vit, si një vit i rimëkëmbjes dhe vaksinimit.”, theksoi Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë takimit.

Një vëmendje të vecantë në këtë takim mori diskutimi mbi zhvillimet makroekonomike dhe fiskale, financat publike, kryesisht mbi pritshmëritë fiskale, mbi realizimin e paramatrave buxhetore të këtij viti dhe pritshmëritë për elementët kryesorë të buxhetit të periudhës afatmesme.

Pas tremujorit të fundit të vitit 2020, ku rritja ekonomike u rikthye në trendin pozitiv, gjatë vitit 2021 ekonomia vlerësohet të ketë ecur në linjë me parashikimet fillestare, me një rritje vjetore prej rreth 5.5%. Statistikat e ekonomisë tregojnë për një trend të qartë, të fortë rritës të besimit dhe perceptimit të agjentëve ekonomikë për ecurinë e aktivitetit ekonomik si dhe pritshmëritë e tyre në të ardhmen e afërt. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ruan një parashikim të përafërt në rreth 5.3% të rritjes”, u tha në takimin përmbyllës.

Të dyja palët vlerësuan pozitivisht ecurinë e politikës fiskale dhe masat e ndërmarra në formë të qëndrueshme.

Një indikator tjetër, që sinjalizon një performancë të mirë të ekonomisë, është edhe ecuria e të ardhurave tatimore. Keto të ardhura gjatë 5-mujorit të parë të vitit kanë qenë rreth 20% më shumë se sa një vit më parë, dhe madje dhe rreth 2.5% mbi planin e periudhës. Edhe në periudhën afatmesme, Qeveria Shqiptare parashikon një rritje të qëndrueshme, në përputhje edhe me kuadrin makroekonomik dhe fiskal“, u theksua më tej.

Në të njëjtën kohë, tregtia me jashtë ka pasur rritje të fortë, duke qënë se eksportet e mallrave ashtu edhe importet kanë shënuar një rritje gjatë këtyre muajve. Përkatësisht eksportet janë rritur me rreth 35% ndërsa importet me rreth 30% dhe rritja vihet re pak a shumë në të gjitha kategoritë kryesore të mallrave”, citohet nga takimi.

Diskutimet gjatë këtij takimi u fokusuan gjithashtu mbi disa nga prioritetet e Qeverisjes si Strategjia Afatmesme e të Ardhurave, fiskalizimi, mbështetjen për sipërmarrjen në mënyrë strategjike dhe afatmesme, zbatimi i buxhetit të shtetit, përpjekjet për rritjen e aftësive monitoruese të risqeve fiskale dhe menaxhimin në rritje të garancive qeveritare në kuadër të mbështetjes për sektorin privat.

Qeveria Shqiptare ka përmirësuar procedurat e rimbursimit të TVSHsë, ku edhe gjatë vitit të pandemisë janë rimbursuar rreth 16. 5 miliardë lekë. Angazhimi i Qeverisë është që procesi i rimbursimit të  TVSH-së të jetë automatik prej vitit 2023”.

Në ndërhyrjen e saj Znj. Denaj u ndal edhe në prezantimin e Strategjisë për Zhvillimin e Biznesit dhe të Investimeve, e cila është aktualisht në procesin e konsultimit publik, dhe përbën një pasqyrë të qasjeve të reja për zhvillimin e ekonomisë shqiptare pas pandemisë, vecanërisht të një serë sektorësh që kanë vëmendje të vecantë.

Ky mision filloi në datë 7 Qershor dhe përfundoi ditën e sotme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura