Startojnë të dielat pa makina, Mazniku: Më shumë hapësirë qytetarëve

May 23, 2016 | 16:05
SHPËRNDAJE

Qytetarët iu gëzuan dje ditës pa makina, e cila do të ndiqet nga të gjitha të dielat në vijim deri në nisjen e punimeve për transformimin e sheshit “Skënderbej”.

Kështu ka vendosur Bashkia e Tiranës, me qëllim për të ndërgjegjësuar ecjen dhe pedalimin me biçikletë, së paku në qendër të qytetit. Këtë e bëri me dije nënkryetari Arbian Mazniku dje gjatë pjesë- marrjes në aktivitetet e organizuara.

“Kjo është një pjesë e filozofisë së Bashkisë së Tiranës për t’u dhënë gjithnjë e më shumë hapësira qytetarëve, këmbësorëve, biçikletave, në mënyrë që qyteti të jetë i të gjithëve”.

arber-mazniku

Kjo ide, sipas Maznikut, po përqafohet nga shumë kryeqytete të Europës, për t’iu dhënë gjithnjë e më shumë hapësirë qytetarëve, biçikletave e për ta bërë jetën pak më sociale.

“Siç e shohim nga pjesëmarrja e njerëzve, është një ndjesi e bukur që të kemi mundësi që qytetin ta shijojmë në këmbë, pa makina dhe është një mënyrë interesante dhe e re e të jetuarit së bashku”.

Ndërkaq, gjatë gjithë ditës së djeshme përgjatë bulevardit kryesor janë ekspozuar produkte bio, foto të kalave në rrethina dhe monumente të natyrës, duke promovuar atë që quhet “turizmi i aventurës”.

Gjithashtu më të vegjlit kanë pasur mundësi të bëhen pjesë e festivalit të balonave, të luajnë në minifushat e basketbollit, tenisit, futbollit, si dhe të ndjekin koncertet e ndryshme të organizuara nga “Tirana Art Fest”, Qendra për fëmijë “Bujar Alliu”, “Bras Band Uart, grupet “All Band”, “Latin Beat”.

Ndërkohë që një grup i piktorëve të vegjël kanë pikturuar sheshin “Skënderbej” dhe godinat përreth. Gjithashtu, Bashkia e Tiranës kishte bërë të mundur që këtë ditë ta shfrytëzojë edhe për t’u prezantuar qytetarëve projektin e transformimit të sheshit “Skënderbej”.

Ata kanë pasur mundësi që nëpërmjet syzeve të posaçme të shikojnë në dimensionin 3D projektin e sheshit “Skënderbej”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura