Starova pritet të bazohet te lojtarët që la pas Europës, ndryshimi fillon nga Çani

Nov 7, 2017 | 9:36
SHPËRNDAJE

Edgar Cani ka qenë personazhi që i ka turbulluar më shumë ujërat te Partizani që nga merkatoja e verës deri në përfundim të fazës së parë. Sulmuesi erdhi si blerja më e bujshme, më pas erdhi lajmi i dëmtimit të tij, që sipas raporteve mediatike duhet të ishte jashtë deri nga mesi i tetorit, por klubi e përgënjeshtroi duke thënë se do jetë gati që në start.

Starova ne kembe

Nga presioni, Çani u aktivizua para kohe nga stafi dhe kjo solli agravimin e dëmtimit që e la jashtë fushave deri më sot, ku lojtari po ndjek terapi speciale riaftësimi. Një javë më parë Moxhi i dha 10 ditë kohë që të bashkohet me ekipin, përndryshe do të shikojë prishjen e kontratës. Por, nga sot skuadra nis me staf të ri dhe trajneri Starova gjithnjë ka folur me superlativa për Egdar Çanin. Puna e “Bobit” në krye të ekipit nis me besimin ndaj ish-sulmuesit të ekipit Kombëtar.

Starova shpreson që Çani të rikuperohet në kohë dhe t’i shërbejë ekipit për pjesën e mbetur të sezonit. Në këto kushte çështja “Çani” pritet të marrë një rrjedhë ndryshe te të kuqtë dhe shpresohet që lojtari shumë shpejt të jetë i gatshëm për stafin e ri teknik. Gjatë kësaj jave sulmuesi pritet që të nisë përgatitjet në terren, ku si fillim do të stërvitet në fushat me bar natyral.

cani shameti

LOJTARËT SHQIPTARË

Me largimin Iulianos dhe ardhjen e Starovës në krye të Partizanit, pritet të ndryshojë filozofia e skuadrës në fushën e lojës. “Bobi” e njeh mirë ekipin dhe gjasat janë që ai të bazohet te grupi i lojtarëve që la pas eliminimit në Ligën e Europës. Ky është një lajm i mirë për futbollistët shqiptarë, të cilët pritet të luajnë në pozicionet e tyre , si dhe të jenë më të pranishëm në fushën e lojës.

FATI I “BOBIT”

Partizani nuk ka qenë i plotë në asnjë nga 9 ndeshjet e luajtura në fazën e parë, por situata u përkeqësua në prag të ndeshjes me Kamzën, pasi 7 futbollistë nuk ishin të gatshëm për trajnerin Mark Iuliano. Pas shkarkimit të trajnerit italian, Partizani ka thirrur në apel Sulejman Starovën, me shpresën për të sjellë ndryshimin e situatës dhe kthimin e ekipit te rezultatet pozitive.

“Bobi” do të ketë edhe fatin me vete, pasi për ndeshjen me Laçin ai pritet që ta ketë më të plotë grupin, me përjashtim të Çanit dhe Fejzullahut. Xhevahir Sukaj ka munguar në tri javët e fundit pas dëmtimit me Luftëtarin dhe pritet që të rikuperohet për ndeshjen e radhës, Gerhard Progni kthehet nga pezullimi. Relado Fili është rikuperuar plotësisht dhe pret shansin, gjithashtu shpresohet që edhe Adorjan të jetë gati për transfertën e Laçit.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura