Starova analizon sfidën: Ja pse i kemi shanset për të fituar

Mar 14, 2016 | 13:22
SHPËRNDAJE

Partizani pret sot Skënderbeun dhe për ish-trajnerin Sulejman Starova kjo përballje ka karakterin e një finaleje, ku të kuqtë i kanë të gjitha mundësitë për të triumfuar. “Bobi” vijon të jetë pranë ekipit, gjë të cilën e ka bërë edhe dje, ndonëse nuk është në drejtim.demi starova dervishi partizaniSipas tij, Skënderbeu i tanishëm nuk është si ai dy fazave të para, kështu që Partizanin e shikon më të favorizuar. Për ish-trajnerin, presioni është tek të dy ekipet, por Partizanin e shikon më të etur për fitore, nisur edhe nga fakti që të kuqtë kanë gjendje më të mirë.

A e shikon Starova si ndeshje vendimtare për Partizanin përballjen me Skënderbeun?

Vendimtare nuk mund të them, pasi ka ndeshje plot, por të rëndësishme e shikoj. Fitorja do të jetë me vlera për Partizanin, pasi thuajse barazohemi me korçarët. Skuadra vjen në këtë takim pas dy rezultate pozitive.

A mund të themi se është ky momenti që ekipi të tregojë veten?

Partizani gjatë gjithë kohës është i përfshirë në luftën për trofe. Kemi lënë pikë rrugës, ashtu siç ka lënë edhe Skënderbeu. Që pas fazës së parë lufta për titull është e veçantë, pasi është bërë vetëm mes dy ekipe. Luajmë në shtëpi, gjendja e skuadrës është e mirë, si dhe Skënderbeu nuk është më ai i dy fazave të para, pasi e ndien mungesën e të larguarve. Personalisht mendoj se Skënderbeu nuk është siç ka qenë. Prandaj, duke analizuar këto faktorë, mund të them se Partizani i ka të gjitha mundësitë për ta fituar këtë takim.

A ka mundësi Partizani që ta përsërisë ndeshjen e fazës së parë ndaj korçarëve, duke ditur se ajo sfidë ka qenë një nga më të mirat për “demat në këtë sezon?

Të gjitha mundësitë janë. Duke ditur se ky takim ka trajtën e një finaleje, atmosfera është në favor të Partizanit. Pra, ka shumë anë pozitive për të zhvilluar një tjetër ndeshje të bukur ndaj korçarëve.

Presionin e shikoni më shumë ndaj Partizanit në këtë përballje?

Presioni është edhe mbi Skënderbeun. Pra, presioni është tek të dy ekipet, pasi edhe ata e kanë frikën e afrimit me pikë të Partizanit.

Në rast se Sukaj dhe Mazrekaj do të mungojnë në këtë takim, mendoni se mosprania e tyre mund të ketë ndikim te “demat”?

Mendoj se ata do të jenë të gatshëm për ndeshjen, pavarësisht se si fillon loja. E rëndësishme është që ata të jenë të gatshëm për të luajtur.

Duke parë se ka nisur diferencimi mes skuadrave në renditje, i druheni neglizhimit të ndonjë ekipi në fazën e katërt, kryesisht nga klubet pa objektiva?

Shpresoj që jo dhe konkurrenca të vazhdojë nga fundi deri te kreu. Dihet që 3-4 skuadra janë të përfshira në betejën për mbijetesë në Superiore. Kjo gjë besoj se do të eliminojë edhe atë problem që përmendi në këtë pyetje.

Zhurma e krijuar te Skënderbeu me rastin e Plakut dhe kapitenit Shkëmbi mund të jetë në favorin e Partizanit, pasi mendohet se kampionët e kanë humbur qetësinë?

Nuk mendoj se situata atje s’është shqetësuese. Këtë gjë s’e kam besuar në asnjë rast. Për shembull, çështja e Sebino Plakut është një fenomen që ndodh herë pas here te skuadrat, pasi pakënaqësitë e aktivizimit janë prezente. Ai e ka marrë dënimin për këtë gjë, pa hyrë në thellësi se kush ka të drejtë në këtë mes. Sigurisht që nuk është pozitive situata e krijuar me kapitenin Shkëmbi. Por pa gjë nuk është në këtë rast, pasi është ndryshe të vish me një skuadër pa probleme. Unë mendoj se këto lloj shqetësimesh nuk llogariten për nivelin e këtyre ndeshjeve. Ata e dinë rëndësinë e duelit me Partizanin. E dinë se jemi në gjendje të mirë dhe kemi dëshirë maksimale për ta fituar sfidën. Kështu që këto faktorë ua shtojnë mobilizimin atyre për ta përballuar kundërshtarin dhe për të ruajtur avantazhin.

Harmonia e krijuar, kryesisht nga drejtuesit, para derbit duket se ka transformuar gjithçka në ekip?

Absolutisht që po. Jemi grup jo vetëm për të mirën e ekipit të parë, por siç e shikoni sot (dje) ne jemi të tillë edhe në ndihmë të Partizanit B apo të rinjve. Kemi ambiciet tona për ta bërë klubin edhe më të fuqishëm. Trajneri Agostineli ka deklaruar se e njeh Skënderbeun.

Ju i keni dhënë ndonjë ndihmë atij në prag të sfidës me korçarët?

Trajneri u bë kohë këtu. Ai e ka parë direkt Skënderbeun, si dhe ka vëzhguar edhe të gjitha ndeshjet që kanë zhvilluar. Pra, është koha e mjaftueshme për të njohur një skuadër, në mënyrë që të mos ketë ato dilemat e fillimit. Agostineli ka deklaruar se kur ekipi ka sukses, nuk ka arsye që ta ndryshojë formacionin fitues.

Cili është mendimi juaj për këtë gjë në prag të takimit të sotëm?

Është një parim që herë pas here ka qenë i përdorshëm nga trajnerët, që formacioni fitues nuk ndryshon. Kjo lidhet edhe me kondicionin jo të mirë të Mazrekajt dhe Sukajt, të cilët kanë qenë të dëmtuar në ndeshjet e fundit. Në fund, trajneri është ai që vendos se kush do të luajë.

Cili është parashikimi i Starovës dhe kush mendoni se mund ta zgjidhë ndeshjen në këtë takim për Partizanin?

Unë mendoj se në këtë rast e zgjidh skuadra. Partizani i ka të gjitha mundësitë për ta fituar përballjen me Skënderbeun. Bazohem tek të gjitha ato që të thashë më lart, për aq sa unë e kam parë skuadrën korçare. Sfida ka karakterin e një finaleje, luajmë në shtëpinë tonë dhe kemi mbështetjen e publikut. Këto i shikoj si avantazh. E përsëris shpesh që nuk është Skënderbeu që kam parë më përpara

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura