“Standard and Poor’s”: Ekonomia stabël. Marrëveshja me FMN, pozitive

Apr 18, 2015 | 20:37
SHPËRNDAJE

“Standard and Poor’s” ka mbajtur të pandryshuar vlerësimin e tij për ekonominë shqiptare, duke e lënë në renditjen B/B.

Agjencia e vlerësimit të riskut e ka konsideruar situatën ekonomike si të qëndrueshme, ndërkohë që nuk ka kursyer komentet për reformat e ndërmarra në fushën e pensioneve dhe atë të energjisë.

Ajo që ka ndryshuar në vlerësimin e kësaj here të bërë nga agjencia është ankora që duhet të ketë reforma e qeverisë shqiptare. Nëse deri në raportin e fundit, sipas S&P fokusimi i qeverisë për të nxitur reforma bazohej te marrja e statusit kandidat, tashmë ankorë duhet të shërbejë marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Sipas raportit të fundit, vlerësohet kjo marrëveshje si dhe nxitja që i jep ajo konsolidimit fiskal dhe synimit për të ulur borxhin e lartë publik në afatmesëm. Madje, nëse situata vazhdon të përmirësohet, S&P nuk përjashton një tjetër përmirësim në vlerësimin e Shqipërisë.

“Parashikimi pozitiv vazhdon të reflektojë mundësinë që ne mund të ngremë renditjen për Shqipërinë nëse progresi me konsolidimin fiskal vazhdon i drejtuar nga zotimi me FMN në marrëveshjen me këtë të fundit, dhe të nisë ulja e borxhit pas 12 muajve të ardhshëm”, thuhet në raportin e “Standard and Poor’s”.

Kjo e fundit bën një parashikim edhe për ecurinë e ekonomisë duke vlerësuar se pret që të ketë një rritje mesatare prej 3.9 për qind në periudhën 2015-2017. Një pikë që agjencia e vlerësimit të riskut e thekson edhe këtë herë është ajo e reformave strukturore dhe gjetja e një zgjidhjeje përfundimtare për çështjen e pronave. Politika e Bankës Qendrore nga ana tjetër vlerësohet si pozitive dhe që ka krijuar mundësi për ekonominë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura