“Stabiliteti i Ballkanit është i rëndësishëm jo vetëm për Evropën, por edhe për botën”

Jun 3, 2018 | 9:24
SHPËRNDAJE

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, tha se stabiliteti politik i Ballkanit është i rëndësishëm jo vetëm për Evropën, por edhe për gjithë botën, transmeton Anadolu Agency.

Kalın në artikullin e tij të publikuar në gazetën “Daily Sabah” me temë “Çfarë kërkon Turqia në Ballkan?”, tha se dikush çdo herë shpreh interes në marrëdhëniet e Turqisë me Ballkanin dhe Evropën Jugore.

thumbs_b_c_92e6b837b8dc48f66e039beedb8695d4

Ai duke rikujtuar se këtë javë në mbledhjen e organizuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Ankara, i është kërkuar përgjigje pyetjeve “Çfarë kërkon Turqia në Ballkan? Çfarë është ‘plani i madh’ i Turqisë ndaj rajonit?”, tha se përgjigjet që i janë dhënë këtyre pyetjeve kanë qenë “të mira për të gjithë”.

Kalın theksoi se nuk mund të injorohet kontributi i rëndësishëm i jetës kulturore, fetare, artistike dhe politike osmane ndaj shkrimtarëve, studiuesve dhe politikanëve me prejardhje nga Ballkani. Ai tregoi se shumë personazhe si Mehmet Akif Ersoy dhe Yahya Kemal Beyatli janë me prejardhje nga Ballkani.

Ai më tej rikujtoi se shkrimtari i parë i fjalorit të madh osman është shqiptari Şemsettin Sami (Sami Frashëri). “Për këtë shkak asnjë turk, nuk mund ta shohë Shkupin, Prishtinën, Sarajevën, Mostarin dhe Novi Pazarin si një gjeografi larg tij. Edhe muslimanët e Ballkanit ndjejnë të njëjtat ndjenja për Stambollin, Bursën, Konyan dhe qytetet tjera të Anadollit”, shkruan Kalın.

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë tregon se Turqia ka realizuar investime të rëndësishme në të gjitha vendet e Ballkanit pa bërë dallime etnike ose fetare.

– Projektet e Turqisë për Ballkanin

“Turqia nuk vlerëson si kontradiktore zhvillimin e marrëdhënieve me Serbinë nga njëra anë dhe me Bosnjë Hercegovinën nga ana tjetër”, thotë Kalın, duke vazhduar:

“Përpjekjet e Turqisë për njohjen pavarësisë së shtetit të Kosovës nga komuniteti ndërkombëtar më shumë ndihmojnë sesa pengojnë përpjekjet paqësore në rajon. Në vitet e fundit, bankat shtetërore turke kanë hapur degë të reja në qytetet e Ballkanit dhe kanë ofruar kreditë për fermerët dhe biznesmenët. Turqia eksporton bagëti nga Bosnja për të ndihmuar fermerët. Autostrada Sarajevë-Beograd do të përfundohet nga kompanitë turke dhe do të shërbejë si një ‘rrugë e paqes’ në Ballkan. TIKA me përfundimin e qindra projekteve të vogla dhe të mesme në mbarë rajonin siguron ndërtimin e kapaciteteve nëpërmjet ndihmave teknike. Turqia gjithashtu trajnon forcat e sigurisë të vendeve të Ballkanit dhe siguron nevojat e tyre. Përfundimisht, Turqia mbështet procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE të vendeve të Ballkanit”.

– “Stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe kulturor”, vizioni i Turqisë ndaj Ballkanit

Kalın duke theksuar se vizioni i Turqisë ndaj Ballkanit mund të mblidhet nën tre tituj kryesorë “stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe kulturor”, tha se “Turqia ka mbështetur të gjitha iniciativat për të mbajtur Ballkanin politikisht të qetë dhe të sigurt. Stabiliteti politik i rajonit është i një rëndësie të jashtëzakonshme jo vetëm për Evropën, por për tërë botën”.

Ai theksoi se Turqia ka bërë investime në Ballkan në fushat si tregti, financa, komunikacion, infrastrukturë, ndërtimtari, energji dhe bujqësi. Qindra kompani turke në Ballkan sigurojnë punësim për mijëra persona, tha Kalın.

– Rrezik i FETO-s në Ballkan

Kalın, ndër të tjerat ka shkruar edhe për luftën e Turqisë kundër ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit, duke treguar se edukimi fetar ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

“Turqia kundërshton ideologjitë e Al Kaedës dhe DEASH-it dhe të kuptuarit e tyre të fesë Islame. Megjithëse këto organizata terroriste kanë disa mbështetës në mesin e muslimanëve të Ballkanit, ata nuk gjetën mundësinë të depërtojnë në shoqëri. Prandaj Turqia mbështet programet arsimore për të siguruar që Islami të mësohet si duhet”, shkruan zëdhënësi i Presidencës së Turqisë.

Ai tregoi se organizata terroriste FETO është një kërcënim tjetër me të cilën Ballkani përballet. “Duke pasur parasysh sistemin e saj të çoroditur, FETO përbën një kërcënim jo vetëm për Turqinë, por edhe për vendet e Ballkanit. Ata funksionojnë nën maskën e qëllimeve të tilla të pafajshme si shërbimi, arsimi dhe dialogu ndërfetar dhe toleranca, por të gjithë duhet ta njohin fytyrën e tyre të vërtetë”, tha Kalın.

Kalın më tej vazhdoi: “Qëllimi i Turqisë në Ballkan nuk është të kërkojë ndikim, por të sigurojë stabilitetin politik, të nxisë zhvillimin ekonomik dhe të mbështesë aktivitetet kulturore dhe arsimore. Turqia kundërshton mikro-nacionalizmat e të gjitha llojeve. Ajo gjithashtu kundërshton ndërhyrjen e huaj. Çështjet kombëtare dhe lokale duhet të udhëhiqen dhe të jenë në pronësi të njerëzve lokalë dhe autoriteteve kombëtare. Ashtu si një Turqi e fortë është e mirë për Ballkanin edhe një Ballkan i qëndrueshëm dhe i begatë është i mirë për Turqinë dhe botën”./Anadolu Agency

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura