Zyrtarizon “divorcin” me Lushnjën, Vilfor Hysa kalon tek Tomori për të zëvendësuar… Cankën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2021 | 9:39

Zyrtarizon “divorcin” me Lushnjën, Vilfor Hysa kalon tek Tomori për të zëvendësuar… Cankën

Pa kaluar as një ditë nga largimi i Mikel Cankës, Tomori gjen sulmues. Të enjten në Berat ka zbarkuar Vilfor Hysa dhe pas negociatave të zhvilluara me drejtuesit, akordi nuk ka vonuar. Ka zbarkuar edhe në stërvitje dhe tashmë është fakt: tiranasi do të jetë pjesë e beratasve për sezonin 2021- 2022.

vilfor-hysa

31-vjeçari është afrimi i 11-të për këtë merkato vere (ndonëse vlen të saktësohet se jo të gjithë kanë firmosur deri më tani). Tiranasi gjatë prononcimit të parë të dhënë si futbollist i beratasve, për “Panorama Sport” tregon se oferta ishte e parefuzueshme dhe u josh prej projektit të drejtuesve.

Qëllimi i klubit është vetëm ngjitja dhe sulmuesi, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Tiranën, Teutën, Laçin, Flamurtarin, Vllazninë, Kastriotin, Kukësin, Kamzën Dinamon, “zotohet” se do të japë maksimumin për realizimin e këtij misioni.

“Tomorin nuk mund ta refuzosh në asnjë moment. Vetëm po të jesh naiv dhe fillestar në futboll, mund t’i thuash ‘jo’. Jam duke përjetuar një ndjesi të rrallë që pas ardhjes në Berat, aq sa më vjen të them:

Duhet ta kisha bërë me herët këtë zgjedhje. Arrita akordin me drejtuesit dhe për sezonin 2021-2022 do të jem pjesë e këtij ekipi dhe qyteti të magjishëm.

Klubi i ka idetë të qarta, do ngjitjen. Vjet ishin aq pranë realizimit të misionit, por këtë vit mendoj se do ia dalim. Nga ana ime, unë zotohem që do të bëj maksimumin për të çuar Tomorin në elitë”, përfundoi Vilfor Hysa.

 

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"