Zyrtarizohet trajneri i ri i Apolonisë, Miho: E ngjis në elitë dhe rikthej tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2018 | 21:35

Zyrtarizohet trajneri i ri i Apolonisë, Miho: E ngjis në elitë dhe rikthej tifozët

Marjol Miho është tanimë zyrtarisht trajneri i ri i Apolonisë. 35-vjeçari ka firmosur të dje kontratën 3-vjeçare si trajner i bardhejeshilëve, me objektivin kryesor që ta ngjisë skuadrën në Superiore dhe për ta kthyer Apoloninë në kohët më të lavdishme e jo më një ekip “tranzit” në kampionatin elitar. Një tjetër sfidë që trajneri i sapoemëruar i Apolonisë ka me veten, skuadrën dhe kohën, është edhe rikthimi në masë i tifozëve fierake në shkallët e “Loni Papuçiut”.

Për shtysat drejt këtij vendimi, si dhe për profilin e Apolonisë së pritshme në sezonin e ri, Miho flet në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.

apolonia bujar miho

Një sezon më parë e keni refuzuar stolin e Apolonisë, por çfarë ju bindi që këtë vit ta pranonit një detyrë të tillë ose, thënë ndryshe, çfarë ka ndryshuar në klub?

Sa i përket pyetjes se çfarë ka ndryshuar, po ju them se kanë ndryshuar shumë gjëra, por mbi të gjitha ka ndryshuar strategjia dhe filozofia bazë e skuadrës. Administratori i ri ka sjellë një frymë të re, por edhe një filozofi të qartë. Ka ndryshuar thelbi, pikërisht gjërat që vitin e kaluar na ndanë, këtë herë janë bërë reale. Tani është një strategji afatgjatë, përmes së cilës do ta ngjisim Apoloninë në Superiore për të mos u kthyer më pas në Kategorinë e Parë. Ja, këto janë ato çka na ndanë vitin e kaluar, planet konkrete dhe afatgjata.

Çfarë do të thotë për ju të jeni trajner i skuadrës së parë të Apolonisë?

Një ëndërr, të cilën e kam pasur që kur kam filluar trajnimin te moshat. Është ndjesi e veçantë, përgjegjësi maksimale, nder dhe krenari për mua, sepse jam djalë i këtij qyteti, kam qenë futbollist i kësaj skuadre dhe barra është shumëfish e ndjeshme tek unë. Por, e kam marrë me besim të plotë drejtimin e skuadrës, sepse jam i bindur se edhe futbollistët që unë do të drejtoj, do të jenë profesionistë të vërtetë dhe do të dinë ta vlerësojnë peshën e emrit të skuadrës.

Mund të na zbuloni disa nga detajet e kontratës në lidhje me objektivat apo periudhën që ajo ka?

Nuk duhet të ecim apriori dhe të shohim se si do të ecë skuadra, por të kemi objektiva të qarta që pa filluar sezoni. Strategji të qartë, jua thashë, skuadër të konsoliduar dhe kompaktësi në të gjitha hallkat funksionale. Nuk ka asnjë mundësi tjetër, për ta rikthyer Apoloninë në identitet, siç e kemi primare në strategjinë tonë. Qoftë dhe sikur një nga këto pika të çedojë, gjithë projekti dështon. Por, ne jemi të bindur që të gjithë bashkë do t’ia dalim mbanë.

Merkato është sekreti i ecurisë së një ekipi. Ju kanë lënë dorë të lirë që të kërkoni emrat që ju duhen në përputhje me objektivat?

Pa dyshim që kam dorë të lirë për të kërkuar lojtarët që i duhen skuadrës dhe synimeve tona. Nuk është gjithçka në dorën time, por është një punë kompakte dhe në grup, pasi ne do të punojmë në grup, bashkë me administratorin, menaxherët dhe mundësitë që ka klubi ynë. Pra, jo gjithmonë dëshirat plotësohen, pasi janë një sërë faktorësh që ndikojnë.

Ka një perceptim sikur po bëni “rokadën e vogël” dhe po sillni e riktheni në Fier shumë lojtarë që i keni pasur tek Albpetroli, një skuadër që ka luajtur në Kategori të Dytë, ndërsa Apolonia pretendon për ngjitje në Superligë…

Jo, jo, nuk është aspak e vërtetë, është një perceptim i gabuar. Ata që vlejnë, që mund të jenë edhe lojtarë të Albpetrolit momentalisht, ne do përpiqemi për t’i marrë, në të mirë të skuadrës sonë. E thashë, në të mirë dhe përmbushje të objektivave, pa dallim moshe, të rinj a të vjetër. Thelbësorja është që ne duam lojtarë që t’i shërbejnë vetes në aspektin personal, por edhe Apolonisë, në aspektin kolektiv. Prisni dhe do të shihni, në kohën e duhur do të kemi emrat e duhur. Ajo që më duhet të them tani, është fakti se kemi kontakte me emra me peshë dhe tratativat janë në rrugë të mbarë, me lojtarë që dinë të bëjnë grup e të kenë “uri” për sukses.

Në këndvështrimin tuaj, për çfarë lojtarësh dhe në cilat reparte ka nevojë Apolonia për përforcime?

Lojtarë profesionistë, të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për peshën e fanellës së Apolonisë. Gjithashtu, lojtarë që dinë të përshtaten me filozofinë e klubit dhe të skuadrës dhe të vënë të gjitha aftësitë e tyre për skuadrën. Së treti, të kenë mendësinë e duhur, karakter dhe mentalitet fituesi, çka është e lidhur me atë që thashë dhe më lart: “uri” për sukses. Së katërti, të jenë korrektë dhe ta kenë disiplinën pjesë karakteriale dhe të gjitha këto virtyte do të bëjnë që marrim rezultatet, që të jemi fitues, që t’i kthejmë Apolonisë fytyrën e duhur dhe shkallët e stadiumit do të mbushen plot, si dikur, sepse tifozët tanë janë të mrekullueshëm dhe rezultatet janë ato që i rikthejnë. Dhe ne e kemi një ndër sfidat kryesore këtë çështje.

Ka emra konkretë që kanë pranuar të firmosin me skuadrën?

Jo, ende nuk ka prurje të reja, por jemi në rrugë të mbarë me bisedimet që po bëjmë dhe, duke filluar që nga kjo javë, do të kemi dhe finalizime të marrëveshjeve besoj.

Klubi ka si strategji promovimin e lojtarëve të rinj dhe njëkohësisht ngjitjen në Superiore. Nuk mendoni se ka diçka që nuk shkon këtu dhe si keni menduar ta zgjidhni?

Jam dhe jemi të qartë e të kthjellët në këtë pikë. Sa më përket mua, po e them publikisht se në ekipin e parë do të kenë vend për të gjithë të talentuarit dhe këtë nuk e kam thjesht një deklaratë për media. Pa mungesë modestie, unë e njoh mirë futbollin e të rinjve, pasi kam drejtuar për vite me radhë aty, dhe di t’i evidentojë talentet. Në këtë aspekt them se do të bëjmë punën e duhur për evidentimin, promovimin dhe rritjen e të rinjve, jo thjesht t’i thërrasim në skuadrën e parë dhe t’i lëmë aty si vegjetues apo si numër, por t’u japim dhe hapësirat që meritojnë.

Ushqimi, akomodimi, vonesa e pagesave për muaj të tërë për lojtarët e skuadrës gjatë viteve që lamë pas janë disa nga problemet më të ndjeshme brenda kampit fierak. Keni kërkuar një zgjidhje për këtë?

Absolutisht që e kam pasur prioritar këtë shqetësim që po prekni ju, madje kontrata ime ka qenë në plan të dytë. Kam garanci të plotë nga administrator i klubit për gjithçka: pagat në kohën e duhur, akomodimin, trajtimin ushqimor dhe gjithçka tjetër që ka qenë shqetësim për futbollistët apo dhe stafin në të kaluarën. Ka qenë një pikat e negociatave dhe një ndër garancitë e para që më është premtuar.

Si u ndatë me Albpetrolin?

Shumë miqësisht. Kemi bërë një sezon shumë të mirë dhe kjo falë një bashkëpunimi të gjerë dhe shumë frytdhënës. Dua t’i falënderoj të gjithë, që nga kreu i bashkisë, zonjën Rajmonda Balilaj, administratorin Hiqmet Çela, punëtorët e fushës, tifozët, lojtarët…, të gjithë. I jam borxhli për gjithçka Albpetrolit, pasi ka qenë hera e parë që unë zhvilloja një sezon të plotë si trajner i parë.

Cilat skuadra mendoni se do të jenë pretendente dhe rivale të Apolonisë gjatë sezonit të ardhshëm?

Besoj se do të jetë një kampionat i fortë dhe i vështirë, me një sërë ekipesh që do të kërkojnë ngjitjen në elitë. Lushnja, Bylis, Tomori, por edhe Pogradeci e Elbasani do të jenë ekipe të vështira me të cilat do të ndajmë konkurrencën dhe luftën sportive për objektivat sezonalë.

A është e përshtatshme formula aktuale që përdoret në Kategorinë e Parë?

Jo, nuk mendoj se është skema e përshtatshme, pasi fazat e fundit humbet serioziteti i garës. Do të isha për një kampionat me më tepër ekipe dhe me vetëm dy faza, pasi besoj se kështu konkurrenca dhe lufta sportive do të ishte më e fortë dhe më e ndershme.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"