Zyrtarizohet Kanselo, por Interi vihet në kërkim të një tjetër mbrojtësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2017 | 13:40

Zyrtarizohet Kanselo, por Interi vihet në kërkim të një tjetër mbrojtësi

“Mirë se erdhe në Milano, Zhoao! Paç fat në aventurën e re si zikaltër”. Nis kështu rrugëtimi tek Interi i Kanselos, 23-vjeçari portugez i marrë nga Valencia.

Kanselo

Mbrojtësi i krahut të djathtë u mor në formën e huazimit deri më 30 qershor të vitit 2018, me opsion blerjen (në atë rast, zikaltrit do të duhet të paguajnë 30 milionë euro), pasi u shkëmbye me Kondogbian. Në fanellë ka zgjedhur numrin 7.

KARAKTERISTIKAT – Kanselo paraqitet si një lojtar i kompletuar për krahun e djathtë, por ka treguar se është më efikas në sulm se në mbrojtje. Gjatë sezonit të kaluar te Valencia është përshtatur me modulin 4-2-3-1. Spaleti megjithatë do të përpiqet ta forcojë në fazën defensive, lojtari do duhet të përshtatet me kërkesat taktike të kampionatit italian.

Kanselo inter

GATI PËR INTERIN – Kanselo përshëndeti stadiumin “Mestalla” të shtunën e kaluar, pasi u aktivizua si titullar nga Valencia në ndeshjen e parë të La Ligës. 23-vjeçari, i ardhur nga akademia e Benfikës, ka luajtur për 3 vite në Spanjë, duke treguar se e dominon krahun e djathtë.

Me Valencian ka shënuar 4 gola, në 91 ndeshje mes kampionatit, Kupës së Mbretit dhe Kupave të Europës. Mbikëqyrej nga zikaltrit që kur luante te të rinjtë e Benfikës: “Interi është një hap përpara në karrierën time”, ka deklaruar portugezi në faqen zyrtare të klubit. “Shpresoj ta fitoj titullin këtë vit dhe të ambientohem sa më shpejt. Do të jap gjithçka për këtë fanellë”.

Kanselo portugalia

ALDERVERELD – Pasi ka siguruar krahët, skuadra zikaltër do të ketë nevojë edhe për një tjetër qendërmbrojtës. Në frontin Mangala po pritet përgjigjja e Mançester Sitit që të miratojë huazimin e lojtarit, ndërsa duket e shuar pista “Mustafi” (i Arsenalit).

Aldervereld

Gjithmonë nga Anglia ka dalë në skenë hipoteza Aldervereld, pasi Totenhemi investoi rreth 40 milionë euro për të marrë Dejvison Sançezin nga Ajaksi. Duhet verifikuar edhe e ardhmja e Ranokias, i cili duhet të largohet, sipas Spaletit.

KOLIDIO – Interi do të përpiqet të mbyllë sa më shpejt edhe blerjen e Kolidios, brenda këtij seksioni të merkatos. Talenti i Boka Zhuniors po kryen procedurat për pasaportën si komunitar, ndaj nuk do të jetë e nevojshme të pritet që të mbushë 18 vjeç (më 4 janar) për të hedhur firmën në kontratë.

Kolidio

Klubi zikaltër është në pritje vetëm të dokumenteve të fundit përpara se të depozitojë dokumentacionin. Përpara se të mundet të luajë, megjithatë do të nevojitet kthimi i komisioneve nga FIFA (një procedurë që mund të kërkojë disa javë).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"