Zyrtarizohet e ardhmja e Garet Bejl, menaxheri: Tani gjithçka e ka në dorë Uellsi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2022 | 21:24

Zyrtarizohet e ardhmja e Garet Bejl, menaxheri: Tani gjithçka e ka në dorë Uellsi

Garet Bejl do t’i japë fund karrierës së tij si futbollist i Real Madrid pas 45 ditësh dhe nuk do të ketë më kthim mbrapa në këtë drejtim. Por e ardhmja e sulmuesit uellsian do të varet pikërisht nga përfaqësuesja e vendit të tij, pasi nuk dihet nëse ai do të vazhdojë karrierën apo jo, në varësi të kualifikimit në Botëror.

bejl 1

Xhonatan Barnet, menaxheri i tij, ka saktësuar se deri tani ka të sigurt vetëm se Bejl do të largohet nga Reali. “Garet ikën nga Real Madrid, por sa i përket të ardhmes, varet nga ajo që do të bëjë Uellsi. Nëse kualifikohet në Botëror, do të marrim një vendim, përndryshe ka variante të tjera”, theksoi ai për portugezen “Record”.

Ndaj dita kur do të vendoset e ardhmja e Garet Bejl do të jetë 5 qershori, kur përfaqësuesja e vendit të tij luan ndeshjen play-off për Botërorin 2022 ndaj fitueses së çiftit Skoci-Ukrainë. Nëse ia del të kualifikohet, Bejl do të kërkojë një skuadër cilësore për të vazhduar sezonin e ardhshëm meqë synon të jetë protagonist në atë aktivitet. Nëse jo, mbetet i hapur opsioni që ai të mbyllë përfundimisht karrierën e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"