Zyrtarizimi dhe firma po vonojnë, zbulohen prapaskenat e Da Silvës me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2022 | 14:56

Zyrtarizimi dhe firma po vonojnë, zbulohen prapaskenat e Da Silvës me Partizanin

Viktor da Silva është një nga lojtarët, me të cilin Partizani ka arritur marrëveshjen paraprake për transferimin në kryeqytet, por firma dhe prezantimi zyrtar po shtyhet dita-ditës.

VIKTOR DA SILVA 1

Fillimisht ishin procedurat mjekësore arsyeja. Braziliani ka pasur probleme të shpeshta fizike në sezonin e shkuar me fanellën e Vllaznisë dhe te Partizani donin të ishin të sigurt për gatishmërinë fizike të tij, të shtyrë edhe nga fakti që në finalen e Kupës ndaj Laçit e la fushën i dëmtuar.

Tashmë procedura mjekësore është mbyllur dhe gjithçka mbi detajet e kontratës është gati, por sërish zyrtarizimi po shtyhet. Kësaj here një pjesë të fajit e ka edhe Vllaznia.

Klubi shkodran ka detyrime financiare të prapambetura ndaj 27-vjeçarit dhe lojtari ka kërkuar nga ana e Partizanit që ta presë të mbyllë llogaritë me shkodranët, përpara se të nisë aventurën e re, me qëllim për të mos u dhënë drejtuesve shkodranë ndonjë avantazh të mundshëm, që do të mund ta shfrytëzonin për të mos i shlyer borxhin.

Gjithsesi, me aq sa dihet mediatikisht, Da Silva kishte kontratë për 2 vite me Vllazninë, me opsionin për të rinovuar edhe për 2 të tjerë në rast se të dyja palët bien dakord.

Da Silva ka refuzuar të aktivizojë klauzolën e rinovimit dhe këtë rast rregulli i FIFA-s i jep tërësisht të drejtë edhe nëse prezantohet te Partizani.

Gjithsesi, ky hezitim i ishlojtarit të Kievos të shtyn të mendosh se kontrata me Vllazninë mund të ketë prapaskena të tjera.

Mesfushori i avancuar aktualisht po shijon pushimet në Barcelonë, teksa në ditët në vijim me shumë mundësi çështja me Vllazninë do të jetë mbyllur dhe do të zyrtarizohet si lojtari i ri i Partizanit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"