Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2014 | 16:00

Tirana kryesoreIshte java e parë e majit, teksa luheshin ndeshjet e fundit të kampionatit, kur “Panorama Sport” zbuloi bisedimet mes Tiranës dhe menaxherit të Tomislav Bushiç. Tanimë, dy muaj e pak më vonë, vjen konfirmimi zyrtar: sulmuesi kroat firmos për Tiranën një kontratë sezonale me të drejtë rinovimi, por ku ekskluziviteti i mbetet klubit kryeqytetas. Kështu, drejtuesit e klubit i plotësojnë një dëshirë trajnerit Gugash Magani, i cili e pat piketur i pari për hir të së vërtetës këtë lojtar, duke e kërkuar që me atë të negociohej deri në kufirin e mundësive të klubit bardheblu. U tha, u bë. Dje Bushiç është takuar me ish-donatorin Refik Halili, me të cilin ka rënë dakord për të gjitha detajet dhe më pas është akomoduar në hotelin e këtij të fundit. Sot lojtari pritet të dalë në stërvitjen e parë me bardheblutë, të cilët gjejnë tashmë edhe “pykën” që kërkonin. Duhet thënë se edhe tre ditë më parë, “Panorama Sport” pat paralajmëruar se drejtuesit nuk do ta prisnin më brazilianin Gilberto dhe se në vend të tij do të vinte pikërisht Bushiç. Mësohet se, nga ana e tij, kroati pat kërkuar 6 mijë euro në muaj (pak a shumë e njëjta shifër që Tirana i pat ofruar Gilbertos, pra rreth 7500 dollarë në muaj), dëshirë të cilën Halili ia ka plotësuar. Me këtë lëvizje Tirana mbyll çështjen e merkatos në repartin e sulmit, aty ku pritet të zyrtarizohet edhe Elis Bakaj. Ky i fundit nuk ka firmosur ende, për shkak se nuk ka marrë dokumentacionin nga Skënderbeu. Bakaj rezulton si lojtar i Skënderbeut të Korçës, skuadër që e rekrutoi tri javë më parë, me qëllim që ta kishte për ndeshjet e Kupës së Kampioneve. Lojtari pat firmosur një kontratë vetëm për raundin e dytë të Champions-it, nga ku do të përfitonte një shumë të konsiderueshme, plus shpërblimin në rast kualifikimi për në turin e tretë të korçarëve. Por, gjatë fazës përgatitore në Austri Bakaj pati përplasje me Blendi Shkëmbin dhe Orges Shehin, ndaj klubi në një mënyrë apo tjetër e përjashtoi nga organika. Gjithsesi, dokumentacioni i tij mbetet ende te korçarët, ndaj para se Bakaj të kalojë në një skuadër tjetër, duhet të rikuperojë këtë të fundit, ose të presë derisa t’i përfundojë kontrata njëmujore me kampionët në fuqi të Shqipërisë. Gjithsesi, edhe për këtë lojtar afrimi duket çështje kohe, me Tiranën që si rrallëherë në tre-katër vitet e fundit po fuqizohet së tepërmi.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"