Zyrtare, katër kandidatë për stolin e Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2016 | 18:30

Zyrtare, katër kandidatë për stolin e Flamurtarit

Flamurtari po negocion me katër trajnerë të njohur të Kategorisë Superiore për të gjetur atë që do të drejtojë skuadrën në sezonin 2016-2017. josa1Administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, konfirmon ekskluzivisht për gazetën emrat e publikuar në “Panorama Sport” dy ditë më parë pas shkarkimit të trajnerit Zekerija Ramadani.

Zyrtarisht, kandidatë për stolin e Flamurtarit janë Mirel Josa, Ilir Daja, Armando Cungu dhe Gugash Magani. I pari drejton Skënderbeun dhe prej katër sezonesh radhazi shpallet kampion, ndërsa Daja dha dorëheqjen dje nga klubi i Tiranës. Nga ana tjetër, Magani dhe Cungu janë ende nën kontratë me Teutën dhe Vllazninë. Sipas administratorit Idrizi, në ditët në vazhdim do të zbardhet edhe emri i trajnerit të ri.

“Ju konfirmoj se këto katër emra janë kandidatët për stolin e Flamurtarit. Pas shkarkimit të stafit teknik, ne kemi nisur bisedimet me ta. Shpresoj se do të arrijmë akordin shumë shpejt me njërin prej tyre. E theksoj, njëri nga këto emra që ju i keni publikuar tashmë, do të jetë trajneri i ri i Flamurtarit”, u shpreh fillimisht Idrizi.

Josa, i pari

Klubi i Flamurtarit i ka bërë ofertë zyrtare Mirel Josës menjëherë pas ndeshjes ndaj Skënderbeut. Gazeta zbulon se drejtuesit e klubit diskutuan me trajnerin dhe i paraqitën projektin për sezonin e ri, duke i bërë edhe një ofertë të majme. Mësohet se Josa e ka lënë të hapur mundësinë, teksa u ka premtuar drejtuesve të klubit që do të diskutojë sërish. Trajnerit tiranas i përfundon kontrata me Skënderbeun në fund të këtij muaji.

“Shpejt është, këtu jemi. Do të flasim në ditët në vijim”, mësohet t’u ketë thënë Josa drejtuesve vlonjatë. Gjithsesi, të katërt trajnerët i kanë të barabarta shanset për të qenë trajnerë të Flamurtarit, teksa preferohen nga drejtuesit vlonjatë. Nuk është hera e parë që klubi kuqezi interesohet për Maganin dhe Cungun. I pari ka drejtuar për dy vite Flamurtarin, ndërsa shkodrani mori ofertë në janar, por pranoi të rikthehej te Vllaznia.

Gjoba për ekipin

Administratori i Flamurtarit konfirmoi se do të ketë gjoba për të gjithë të larguarit nga skuadra, duke filluar nga stafi teknik dhe lojtarët. “Lojtarëve do t’u mbahet një pagë, edhe pse janë për 10. Ne nuk do t’u kthejmë kontributet e sigurimeve shoqërore, për shkak se ata nuk e meritojnë. Nëse do të kishin arritur Europën, patjetër që do t’i rimbursonim. Zhvilluan një ndeshje skandaloze dhe pa dinjitet. Ishte shfaqja më e shëmtuar që mund të shikosh në një stadium. Këta nuk luajnë as me stadiumin plot”, përfundoi Idrizi.

Përgatiti: ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"