ZYRTARE/ De Biazi i jep fund papunësisë, emërohet trajner i Azerbajxhanit. Do ketë në staf edhe ish-lojtarin e Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2020 | 15:10

ZYRTARE/ De Biazi i jep fund papunësisë, emërohet trajner i Azerbajxhanit. Do ketë në staf edhe ish-lojtarin e Kombëtares

Xhani de Biazi i kthehet punës së trajnerit pas gati 3 vitesh. Ish-trajneri i Shqipërisë do të drejtojë kombëtaren e Azerbajxhanit. Lajmi është konfirmuar për “Panorama Sport” edhe nga vetë tekniku. Emërimi i tij në krye të kombëtares azere u paralajmërua gjatë pasdites së djeshme, ndërkohë që kjo nuk ishte hera e parë që azerët kontaktonin. Për 64-vjeçarin ka pasur interesim edhe nga klube e kombëtare të tjera (Kameruni mes tyre), por De Biazi vendosi të zgjedhë azerët ku edhe është zyrtarizuar tashmë.xhani de biazi

SURPRIZA AGOLLI

De Biazi është mësuar që të ketë gjithnjë njerëz të besuar në krah. Njerëz që i njeh mirë dhe mundësisht të njohin edhe ambientin ku ai vendos të punojë. Pikërisht për këtë arsye, ai ka zgjedhur të ketë në stafin e tij ish-kapitenin e Shqipërisë, Ansi Agollin. Ish-kapiteni i Shqipërisë Agolli kthehet në Azerbajxhan, vend ku kaloi vitet më të mira të karrierës së tij. Ai luajti plot 8 vite me Karabakun, duke fituar 5 kampionate dhe 3 Kupa të Azerbajxhanit. Ai arriti të luante me ekipin në Ligën e Kampionëve dhe të Europës. Zgjedhje inteligjente nga ana e De Biazit, sepse Agolli jo vetëm që ka eksperiencën e mjaftueshme, por ka vlera të jashtëzakonshme në aspektin njerëzor.

Shpesh Agolli është cilësuar si një lider i heshtur në dhomat e zhveshjes, sepse di të ruajë balancat dhe ka pjekurinë për të mbajtur grupin të bashkuar. Agolli gëzon një reputacion të shkëlqyer në tokën azere dhe do të jetë një ndihmë e madhe për De Biazin, por nga ana tjetër, do të përfitojë eksperiencë edhe si trajner në të ardhmen. Aktualisht Agolli është pjesë e Nju Jork Kozmos në SHBA, por pritet që të ndërpresë marrëdhëniet me këtë klub.De-Biazi

DY SHQIPTARË NË STOL

Kujtojmë që De Biazi mban dhe pasaportën shqiptare dhe mund të themi tashmë se do të jenë dy shqiptarë që do të drejtojnë tani e tutje Azerbajxhanin. 64-vjeçari De Biazi u kthye në heroin e shqiptarëve, duke arritur të kualifikonte kuqezinjtë për herë të parë në një kompeticion ndërkombëtar (EURO 2016). Italiani qëndroi 6 vite në krye të pankinës së Shqipërisë duke arritur bilancin më të mirë në skuadrën tonë.

Ndërkohë, krerët e Federatës Azere kanë bërë të ditur se gjithçka është mbyllur, por firma ende nuk është hedhur për shkak të pandemisë. “Duke marrë parasysh situatën me pandeminë, bisedimet me Xhani de Biazin po vonojnë disi, për të mbyllur edhe disa detaje të fundit, por besojmë se kushtet tona dhe të zotit De Biazi janë të pranueshme dhe shpejt mund të finalizojmë kushtet dhe të firmosim”, ishte deklarata e një zyrtari të Federatës dje pasdite.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"