Zvicra sfidon Belgjikën, kapiteni Xhaka: E dimë se si ndalet Hazard

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2018 | 19:22

Zvicra sfidon Belgjikën, kapiteni Xhaka: E dimë se si ndalet Hazard

Zvicra do të përballet sot ndaj Belgjikës në “King Baudouin Stadium” të Brukselit dhe në mungesë të kapitenit Stefan Lihshtajner, shiritin e kapitenit do të mbajë shoku i tij tek Arsenali, Granit Xhaka. Petkoviç nuk e ka grumbulluar mbrojtësin 34- vjeçar.

xhaka hazard

“Së pari, unë rashë dakord me Stefan në gusht dhe shtator se ai nuk do të ishte këtu në tetor”, tha trajneri Petkoviç, duke konfirmuar edhe rendin e kapitenëve të tjerë, që pas Xhakës vijon me Shaqirin dhe portierin Jan Zomer. Skuadra helvete renditet në krye të Grupit 2 në Ligën A të Ligës së Kombeve, pasi mundi 6-0 Islandën, ndërsa belgët nuk arritën t’u shënojnë nordikëve më shumë se 3 gola. Petkoviç eksperimentoi me 3 mbrojtës në miqësoren e fundit kundër Anglisë dhe thotë se nuk e ka vendosur ende sesi do të luajë sot: “Pyetje surprizë. Nuk e di ende. Kemi edhe një seancë stërvitore. Në shtator provuam shumë gjëra. Do ta vendos ditën e ndeshjes”.

Xhaka – Në konferencë, bashkë me trajnerin, i pranishëm ishte edhe Xhaka dhe portieri Zomer. Mesfushori i Arsenalit vlerëson Hazardin si rrezikun kryesor përpara ndeshjes: “Liga e Kombeve nuk është trofeu më joshës. Ne jemi në Ligën A, kështu që është një shans i mirë për të pasur më shumë ndeshje kundër ekipeve të forta. Grupi do të vendoset mes Belgjikës dhe Zvicrës. Hazard është një nga lojtarët më të mirë në botë. Ka bërë një start sezoni fantastik me Çelsin në Premier Ligë ku ka shënuar shumë gola dhe dhënë shumë asiste. I njohim cilësitë e tij ofensive. Do jetë e vështirë për ta ndalur, por ne kemi treguar në të shkuarën se dimë t’i ndalim edhe lojtarë me kualitet të tillë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"