Zvicra i ndalon shqiponjën Xhakës dhe Shaqirit, drejtori i “helvetëve”: Asnjë provokim!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2022 | 14:28

Zvicra i ndalon shqiponjën Xhakës dhe Shaqirit, drejtori i “helvetëve”: Asnjë provokim!

Zvicra ka vendosur t’i ndalojë dyshes Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri të festojnë me shqiponjën dykrenore në kampionatin botëror në Katar kur helvetët të përballen me Serbinë.

XH

Xhaka dhe Shaqiri duke festuar me shqiponjën dykrenore në fitoren 2-1 të Zvicrës kundër Serbisë në Botërorin 2018

Katër vjet pas Botërorit në Rusi, Zvicra dhe Serbia do të përballen sërish mes tyre, këtë herë në Katar, por për kupën e botës. Që në momentin e hedhjes së shortit, e gjithë vëmendja është zhvendosur te ngjarjet e katër viteve më parë në Rusi.

Në Kupën e Botës 2018, gjestet e shqiponjës dykrenore nga Shaqiri, Xhaka dhe Lishtajner shkaktuan diskutime të nxehta.

Por në Zvicër nuk duan të kenë probleme të tilla edhe në fillim të dhjetorit, kur kombëtarja e tyre dhe Serbia të përballen mes tyre. Paralajmërimi për Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin ka ardhur nga drejtori i kombëtares zvicerane, Pierluixhi Tami.

Menjëherë pas shortit të grupeve më 1 prill 2022, Tami dhe delegacioni zviceran takuan trajnerin e kombëtares serbe, Dragan Stojkoviç. “Ai na tha: Është dëshira jonë e përbashkët që kjo ndeshje ka jetë fokusin vetëm te futbolli”, tha Tami për “Media CH”.

TAKIMI ME DELEGACIONIN SERB – Siç bën me dije gazeta zvicerane “Blick”, në maj të këtij viti presidentit i federatës zvicerane, Dominik Blank, dhe sekretari, Robert Braiter, janë takuar me homologët e tyre serbë.

Edhe në këtë takim, përfaqësuesit e federatës serbe kanë kërkuar që i gjithë fokusi të jetë te ndeshja e jo te tema të tjera që nuk kanë të bëjnë me futbollin.

Por sipas “Blick”, fakt është se nuk ka qartësi nëse fansat dhe politikanët gjithashtu do t’i përmbahen këtij konturi. Kujtojmë se Xherdan Shaqiri është fyer nga tifozët serbë gjatë gjithë ndeshjes së vitit 2018.

Në lidhje me këtë temë, drejtori Tami ka thënë: “Nuk duam të bëjmë më të njëjtat gabime. Ne jemi këtu për të luajtur futboll dhe asgjë tjetër.

Ne nuk duam të dërgojmë asnjë mesazh politik apo fetar”. Pas kësaj, “Blick” ka ngritur pyetjen nëse Xhakës e Shaqirit do t’i ndalohet festimi me shqiponjën dykrenore në rast suksesi ndaj Serbisë në Katar. Tami ka qenë i qartë:

“Nuk duhet të ketë as fjalë, as gjeste dhe as sjellje që provokojnë ndjeshmëri të tjera.

Kur brohorasim, është për të treguar gëzimin tonë, kjo është e rëndësishme. Por ne nuk duhet të jemi provokues”.

Tani mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në realitet kur më 2 dhjetor në “Stadium 974”, dy kombëtaret do të përballen mes tyre në fazën në grupe.

Kujtojmë se në Botërorin 2018, Zvicra mundi Serbinë 2-1, falë dy golave të Xhakës e Shaqirit që përmbysnin golin e Mitroviçit për serbët.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"