Zv.presidenti i Skënderbeut: UEFA na bën kurban për një kontratë milionash, ata nuk kanë fakte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2018 | 23:04

Zv.presidenti i Skënderbeut: UEFA na bën kurban për një kontratë milionash, ata nuk kanë fakte

Te Skënderbeu janë të bindur se, në rast dënimi nga UEFA, synimi është vetëm për të bërë “kurban” një klub. Sipas korçarëve, goditet pikërisht një klub i Shqipërisë që nuk ka mbrojtje. Zv/presidenti i korçarëve, Arlind Boshku, në një bisedë për “Panorama Sport”, e konsideron të papranueshëm që skuadra të dënohet vetëm me disa grafikë siç e quan ai sistemin “BFDS”.

“Aktualisht, është Zyra e Avokatisë që merret me këtë çështje. Ne i ndjekim zhvillimet nga Tirana dhe Durrësi. Për momentin nuk kemi ndonjë informacion shtesë. UEFA ka procedurat dhe afatet e veta dhe ne nuk na mbetet asgjë tjetër veçse të qëndrojmë në pritje. Inspektorët kanë bërë një propozim dhe tani varet kur mblidhet Komisioni i Etikës dhe çfarë do të vendosë ai”, u shpreh fillimisht zv/presidenti i Skënderbeut.

arlind boshku

SISTEMI “BFDS”

Më tej, Boshku flet edhe në lidhje me sistemin e monitorimit të basteve, në bazë të së cilit UEFA kërkon që të dënojë klubin korçar. “UEFA ka shumë vite që e ka lidhur kontratën me kompaninë e monitorimit të luhatjeve të basteve ‘BFDS’. Ka 15 vite që UEFA e financon këtë kompani dhe nuk ka dënuar asnjë. E ka nisur me 15 milionë euro në vit dhe tani ka shkuar në 60 milionë euro financim. Nga 14 mijë ndeshje të dyshuara në vit, pas filtrave që u bëjnë, numri shkon në 5 mijë, por në fund nuk kanë arritur të kapin asgjë.

Unë mendoj se kjo është një dashakeqësi që kërkohet t’i bëhet Skënderbeut. Është një gjë e mirorganizuar. UEFA ka ngritur një sistem të monitorimit të luhatjeve të koeficienteve të basteve dhe, në bazë të grafikëve, kërkojnë të dënojnë Skënderbeun. Nuk ka asnjë fakt, përgjim apo të ketë dëshmuar ndonjë lojtar apo drejtues. Këta duan të na dënojnë vetëm me grafikë, por kjo është krejtësisht e padrejtë”, ka thënë Boshku.

takaj

PRECEDENT I RREZIKSHËM

Boshku është i bindur se organizmi i futbollit europian kërkon që ta bëjë fakt dënimin në bazë të këtij sistemi për të vazhduar më pas me ndëshkimin e klubeve të tjera që do të dëshirojnë ata. “Në këtë histori, nëse dënohet Skënderbeu në bazë të grafikëve, atëherë krijohet një precedent i rrezikshëm. UEFA kërkon që ta bëjë fakt dënimin në bazë të sistemit ‘BFDS’ dhe më pas dënohen me radhë të gjithë. Ata synojnë që grafikun ta bëjnë provë për të dënuar ekipet. Kjo është ajo që na frikëson ne. Do të bëjmë gjithçka dhe do të luftojmë deri në fund për të mbrojtur veten tonë. Dhe në rastin konkret, kërkohet të dënohet një ekip në Shqipëri, një vend i vogël. Por, nuk dënohet asnjë klub në perëndim. Sipas tyre, bëhet me përllogaritje matematikore. Po ku ka futbolli matematikë?!”, flet i shqetësuar numri dy i klubit të Skënderbeut.

ABSURDITETET NË RAPORT

“Tri kategoritë në Belgjikë janë ndër më të dyshuarat në Europë, për sa u përket ndeshjeve të trukuara. Ky hetuesi belg që ka bërë propozimin për dënimin e Skënderbeut, pse nuk ka kapur asnjë klub në Belgjikë?! Sipas grafikëve, në Belgjikë ka shumë ndeshje të dyshuara, por nuk është kapur asnjë klub. E gjithë kjo histori është që të bëhet kurban një klub dhe këta kanë gjetur Skënderbeun. Jam dakord që nëse ka hetime serioze dhe ka fakte, atëherë të dënohemi. Por, nuk mund të dënohet Skënderbeu në bazë të disa grafikëve apo nga ato çfarë thotë në “Facebook” Ilir Vrenozi. E dini ju se në raport ka tri faqe që flitet vetëm për Ilir Vrenozin?! Kjo është e turpshme. Pesë faqe janë për Ridvan Boden. Se çfarë lidhje ka Bodja me klubin, vetëm ata e dinë. Në disa raste, në raport thuhet se ekipi kundërshtar ka toleruar. Po ç’faj ka Skënderbeu në këtë mes?!

Nuk duhet të fitojë skuadra, kur ekipi tjetër nuk motivohet. Pse duhen futur këto në dosjen e Skënderbeut?! Në ndeshjet e përmendura në dosje ka shumë absurditete. Një sfidë me Laçin, që është mbyllur në barazim 0-0, ndërsa në raport shkruhet se skuadra kurbinase dëshironte ta humbte takimin, por nuk ia arriti dot. Kjo është absurde. Kjo që po ndodh me ne është shumë e habitshme. Po dënohemi tri herë për të njëjtën çështje, fillimisht na pezulluan, më pas na hoqën titullin dhe tani kërkojnë të na dënojnë sërish me të njëjtat ndeshje”, rendit Boshku absurditetet e një vendimi që do të zyrtarizohet në javët në vazhdim.

E ARDHMJA E KLUBIT

“Në këtë histori humbet vetëm futbolli shqiptar dhe njolla e zezë që i vendoset. Ne i marrim lojtarët dhe i çojmë në një klub tjetër dhe sërish ai është kampion. Ju e shihni që Skënderbeu është ekipi më i mirë. Por, keqardhja në këtë mes është që të mos bëhet kurban një ekip, duke u dënuar vetëm në bazë të grafikëve”, përfundoi prononcimin e tij zv/presidenti i klubit të Skënderbeut.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"